Nga Pandeli Majko
Diskutimi i projekt-buxhetit të vitit 2014 po vjen ashtu siç duhet të ishte. Ai “zbarkoi” në Kuvend brenda diskutimeve kontroverse e cila nuk mund të shmangte as acarimin e opozitës dhe as cilësitë oponente të së majtës të skalitura nga qëndrimi i saj 8 vjeçar në opozitë.
Cilësia më pozitive dhe “negative” e këtij buxheti lidhen me emrin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Delegacioni i këtij institucioni prestigjoz u rikthye në Tiranë me gjuhën e njohur të akullt mbi një krizë financiare e cila është gatuar më së shumti nga arsyet politike. Pas vitit 1997 është hera e dytë që ndodh kështu dhe sërish përgjegjësit janë të njëjtë. Marrëveshja me FMN-në rikthen financat e Shqipërisë me një status të garantuar stabiliteti. Ana “negative” e kësaj historie është rikthimi në “këmishën e forcës” i ekonomisë së vendit, përkohësisht, deri sa të kalohet kjo situate e vështirë financiare.
Qeverisja socialiste duket se ka marrë Shqipërinë në kushte borxhesh të fshehura të cilat po dalin si jetimët e dashurisë politike për sukses të pamerituar.
Borxhi më ulëritës është ai karshi bizneseve vendase, i cili ende nuk është përfundimtar dhe llogaritet që për vitin 2014 të shlyhet një shifër që shkon tek 350 milionë dollarë.
Çuditesh se si shifra e borxhit për TVSH-në dhe tatim-fitimin e rimbursueshëm nga një vlerësim paraprak të Ministrisë së Financave shkon në shifra që ke frikë t’i shkruash apo pagesat e vendimeve gjyqësore për ekzekutim vetëm si fillim shkojnë në shifrën 1.2 miliardë lekë.
Pyetja për cilindo që na ndjek sot me pakënaqësinë e dëgjimit për rritje taksash dëshiroj t’i bëj një pyetje aspak retorike. A do të ishim të detyruar sot të rrisnim taksat në se nuk do të kishim këto borxhe të fshehura? A do të bënim sot edhe humorin e hidhur se “taksa të përmirëson shëndetin”, sikur disa vite më parë qeverisja e dikurshme të mos nxiste bizneset të merrnin kredi për të përfunduar projekte rrugësh që nuk mbulonte me fondet e buxhetit me shprehjen “rregullohemi më vonë…!”? Rrugët e shtruara me bujë u mbuluan nga kreditë e biznesit privat i cili vrapoi në sportelet e bankave jo vetëm për të fituar simpatinë politike të qeveritarëve të djeshëm, por edhe nga presioni i një vendimi qeverie që nuk të lejonte të hyje në tenderin e radhës pa përfunduar atë që kishe fituar edhe kur ai ishte i pambuluar financiarisht nga ligji dhe buxheti i shtetit. Situata degradoi aq shumë, sa besoj që kujtoni urgjencën me të cilën u ndryshua edhe ligji që kufizonte borxhin publik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Partia Demokratike, si asnjë herë më parë, cedoi publikisht nga një premtim elektoral i shkruajtur i saj për ta mbajtur borxhin në kufijtë e 50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kur demokratët dorëzuan zyrat, shifra e pranuar të paktën zyrtarisht të borxhit publik kishte marrë të përpjetën e mbi 60 përqindëshit…
Në 100 ditë qeverisje edhe sikur Edi Rama t’i vinte “tritolin” financave shqiptare nuk do të kishte mundësi që të bënte dëme të natyrave të tilla që sot të bërtitej “Pse po ngrihen taksat?”…
Nuk kam dalë në podiumin e nderuar të këtij Kuvendi për të kënduar me “sazet” e suksesit që duket diku në horizont… Së pari e kuptoj që situata është e vështirë. Zhvillimi ekonomik i një vendi ka edhe aspektin e tij psikologjik dhe mendoj se opozita ja ka dalë që të mbizotërojë publikun me një fakt i cili është i vërtetë. Ai ka të bëjë me rritjen e taksave që prekin shtresa jo të pakta të shoqërisë shqiptare. Arsyetimi se “po ndihmojmë më të varfërit” është ngushëllues, por nuk ka të bëjë dhe aq me shpresën. Treni i ekonomisë më të rëndësishme ka lokomotivën dhe jo vetëm kujdesin për vagonat e tij…
Dëshiroj ta nënvizoj këtë fakt të fundit për të bërë të qartë që zhvillimi i ekonomisë sonë ka të bëjë në radhë të parë me trajtimin e klasës së biznesit shqiptar. Kjo e fundit, jashtë çdo komplimenti mban barrën e zhvillimit të vendit shumë më tepër se sa politika dhe kostot periodike që ajo i dhuron vendit.
Mendoj se nuk është e tepruar t’i themi “faleminderit” kësaj elite biznesi ende në formim pa i futur të gjithë në një “kallëp”. Kjo shtresë ka pasur një presion të padenjë nga qeverisjet dhe politika për t’u kthyer në vegël elektorale. Parimi “kush ka më shumë, paguan më shumë…” nuk duhet të marrë theksin e gabuar të një gati “fajësie” për të cilën duhet të paguash. Të majtën shqiptare nuk e bën të majtë vetëm ky parim. Ka qindra biznese që kanë paguar taksën e gjobës të pashkruajtur në asnjë ligj dhe që ishte “taksa” e bindjeve politike apo e të qenit pranë ish-opozitës. Kjo nuk duhet harruar.
Nuk duhet harruar se ende nëpër dyert e administratës vijnë për të trokitur njerëz me vendimet e gjykatave për t’u kthyer në punë. Padyshim që ka nervozizëm. Ka nervozizëm sepse ka pritshmëri të lartë. Pritshmëria është e lidhur me shpresën për të vendosur të drejtën e nëpërkëmbur. Janë qindra specialistë të fushave të ndryshme të cilët u hodhën në rrugë të madhe vetëm me arsyetimin e bindjeve politike. Në një shtet ligjor kthimi i tyre në vendin e punës së mohuar nuk ka alternativë. Padyshim që shkarkimet kanë krijuar dhe krijojnë situatë kaotike në administratë. Kemi bërë ironi të hidhur me emërimet e dikurshme që arritën të vendosnin një veteriner aty ku kërkohej një mjek. E majta nuk ka vuajtur asnjëherë për specialistë të aftë dhe shpresoj që gafa të tilla të mos përsëriten.
Ndërtimi i administratës është një nga sfidat e vitit 2014 për qeverinë Rama. Është fakt se shumë sektorë të kësaj administrate mbartin njerëz poshtë nivelit mesatar të shoqërisë të cilët shpesh jo vetëm ju nxijnë jetën qytetarëve që kërkojnë ndihmë por bëhen edhe protagonistë të diskretitimit të qeverisë me dashje. Administrata ka nevojë për një audit kontrollues të thellë. Një mësues dhe mjek i mirë janë dhe mbeten të mirë sido që të jenë bindjet e tyre politike. Jam për një reformë administrative që tu hapë rrugën më të mirëve dhe shpresoj që të ecet sa më shpejt në këtë drejtim.
Më lejoni që si deputet i Njësisë Bashkiake numër 5-së në Tiranë tu shpreh një shqetësim që e kam ndarë me mirëkuptim edhe me Kryeministrin Rama dhe Ministrin e Transportit Haxhinasto. Bëhet fjalë për një nga investimet më të rëndësishme në vazhdim për Bashkinë e Tiranës dhe që është Unaza e Re e kryeqytetit. Ky investim për vitin 2014 kap vlera të konsiderueshme për kushtet ekonomike ku ndodhet vendi. Komuniteti i zonës së quajtur “Kodra e Diellit” që ka banorë të Njësisë Bashkiake nr. 5-ё ka shprehur një shqetësim të thellë për projektimin e gabuar të unazës pasi ai nuk parashikon asnjë mbikalim apo nënkalim për banorët e saj. Në këto rrethana zona e “Kodrës së Diellit” kthehet në një lloj “getoje” duke izoluar banorët e saj nga të qenit qytetarë normalë të Kryeqytetit. Nuk dua të zgjatem me “psherëtima” por kam kërkuar dhe propozuar që në buxhetin e vitit 2014 të parashikohet një fond për të kryer projektin shtesë. Jetojmë në kohë të vështira dhe banorët e “Kodrës së Diellit” nuk kërkojnë çudira, por veç të bëhet e qartë që në buxhet do të parashikohet ky rregullim pasojë e një projektimi të papërgjegjshëm që duket se nuk është bërë me duar por “me këmbë”…
Kur fola me drejtuesit e Njësisë Bashkiake për problemin e “Kodrës së Diellit” më thanë edhe çudinë se ajo nuk është pjesë e Bashkisë së Tiranës, por e Komunës së Farkës. Këto absurditete ku “unaza” e bashkisë kalon nga komuna janë pjesë e një historie që i ka mbaruar edhe humori.
Ndarja e re administrative e Shqipërisë nuk është tanimë një kërkesë, por një urgjencë. Në vitin 2014 qeveria duhet të përmbyllë një proces historik të ndarjes së re administrative. Kjo ndarje administrative e ka kthyer “pazarin” e shpërndarjes së fondeve në një fjalëkryq që nuk kupton për shembull pse bashkia Maliq me 8000 banorë duhet të marrë më pak fonde se sa komuna Pustec (ish-Liqenas) me 4000 banorë. Paralelja nuk ka keqdashje, kërkoj mirëkuptim për këtë, por është pasqyrë simbolike e një trafiku të mirëfilltë politik fondesh që fshihte dikur faktin se po të votoje opozitën nuk kishe shpresë të merrje fonde për investime.
Ndarja e vjetër administrative është kthyer në një “kancer” të vërtetë administrativ për vendin. Shpresoj në një vendim sa më të shpejtë për të mbyllur këtë kapitull të postkomunizmit në Shqipëri. Jemi vendi i fundit që ndarjen territoriale e kemi sipas kufijve të ish-kooperativave bujqësore dhe ish-komiteteve ekzekutive. Kjo nuk do të thotë se duhet dhe do të boshatisen zyrat e komunave aktuale pasi aty do të qëndrojnë shërbimet aq të nevojshme për banorët sidomos në zonat e thella malore duke i sjellë ato në standarde europiane.
Në botën antike ajo që ndante të sunduarit dhe sunduesit ishte aftësia për të lexuar. Elitat kishin aftësi të interpretonin dokumentet. Demokracia dhe vota e sistemit të saj sfidoi parimin e oligarkisë.
Për qytetarët që na votojnë rregullisht diskutimi i një projekt-buxheti padyshim vë çdo vit në provë aftësinë e atyre që udhëheqin për të “lexuar” të ardhmen e kombit. Kjo vetëdije qartëson se kuptimi asaj që do të ndodhi nga buxheti i një vendi nuk ka vetëm kuptim financiar. Tek fundit, po të ishte kështu, kjo histori do të kishte të bënte me matematikën se sa me politikën. Në këtë kontekst, për mua është më e rëndësishme ndihma që qeveria do të japë gjatë vitit 2014 për Preshevën se sa për shembull taksa e karbonit…
Sot në Kuvend jemi përballë një qeverie e cila sado që të kritikohet, ajo ka vendosur si parim bazë të financave të vendit pagimin e borxheve të qeverisë së mëparshme. Kjo në çdo rast dhe për çdo pikëpyetje për të ardhmen ka një kuptim të dorës së parë. Ky është një shembull përgjegjshmërie dhe legaliteti shtetëror. Jo për kompliment, dëshiroj të vlerësoj ministrat e financës dhe të ekonomisë që me punën e kryer me këtë buxhet stabilizues morën përsipër rolin e “të keqit” në publik për një të mirë që do të duhet kohë për tu ndjerë si e tillë. Sot, jashtë çdo rezerve jam në krah të tyre dhe kolegëve të mi në qeveri në këto kohë të vështira. Vota ime është “pro” këtij projekt-buxheti. Ajo vlerëson maturinë dhe marrjen e riskut për të vendosur detyrimet në plan të parë. Kjo përgjegjshmëri kolektive e qeverisë Rama e përkrahur edhe nga institucionet ndërkombëtare të financave bëjnë të qartë një seriozitet që e nderon këtë qeveri. Si në çdo familje, të marrësh përsipër të paguash borxhin është një akt që ka vlerë më të madhe se marrja borxh. Kam besuar dhe besoj se rruga e të nesërmes nuk do të jetë e lehtë prandaj vlerësoj se me përkushtim dhe punë ajo mund të kthehet në një sukses të merituar. Edhe për këtë arsye, vota ime do të jetë “pro” projektbuxhetit të vitit 2014.