Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Një buxhet që synon të ringjallë drejtësinë

$
0
0

fatmir-xhafaj-3

Nga Fatmir Xhafaj

 

Tashmë është e qartë dhe e prekshme. Nuk ka më asnjë dyshim. Ky është një buxhet i një ekonomie në krizë, edhe po nuk e pranoi opozita për të qenë realiste dhe sadopak e ndershme me qytetarët e këtij vendit, edhe po qe se ne deputetët e maxhorancës nuk duam ta themi me zë të lartë, asgjë nuk ndryshon.

Vetë qytetarët e ndjejnë përditë në xhepat e tyre, në tryezat e tyre, në shkolla e spitale apo kur u afrohet dita e pagesës së kësteve të kredive bankare, se në çfarë derexheje e keni lënë këtë vend. Bizneset ka kohë që shohin me frikë të ardhmen, tkurrin investimet, rrudhin numrin e punonjësve, përplasen në dyert e shërbimeve përmbarimore për të mbrojtur kolateralet e tyre, që përfundojnë në ankande qesharake jo rrallë diskriminuese për to, për efekt të shlyerjes së detyrimeve.

Ndryshe nga ju, kjo qeveri, që në ditët e para të drejtimit të vendit, mori një vendim tejet të drejtë e të guximshëm. Vendosi të jetë transparente me veten, qytetarët e saj dhe partnerët përsa i takon situatës së trashëguar në nivel borxhi publik. Rezultatet që dolën janë ato që njihen tashmë, gropa e borxheve është e thellë dhe për shkak të shtrirjes në kohë të këtij borxhi është dhe me pasoja mjaft të rënda.

Cilët janë rrugët e daljes nga kjo krizë? Përgjigjet për këto pyetje sigurisht që mund të jenë shumë, alternative, por një gjë është e sigurtë. Qasja e qeverisjes së djeshme që prodhoi këtë krizë financiare nuk është përgjigjja. Me një sy qorr, me një vesh shurdh dhe me shkopin kërcënues të taksidarëve politikë, qeverisa e deridjeshme detyronte biznesin të heshtte teksa borxhet e qeverisë ndaj tij shtoheshin përditë e më shumë. Absurdi arriti deri aty sa biznesi u detyrua që borxhin që qeveria kishte ndaj tij, ta mbulonte me kredi bankare me interesa aspak të favorshëm. Qindra kilometra asfalt i shtruar me paratë e kredive bankare, që në fakt ishin tenderuar me fonde të qeverisë, por këto fonde sigurisht që nuk mund dhe nuk duhet të shkonin për zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë, duhet të shkonin për pasurimin eksponencial të kastës politiko-ekonomike.

Ky buxhet përpiqet të adresojë prioritetet politike të kësaj maxhorance në kushtet e një krize të trashëguar. Kjo qeveri po synon që kredimarrjen mos ta përdorë më si instrument për mbylljen e vrimave të zeza që krijohen nga keqqeverisja, por si instrument zhvillimi.

Ne duam që krahas sinjaleve pozitive në fushën e financave publike, të japim sinjale po aq pozitive dhe në jetën institucionale të vendit. Të garantojmë biznesin se nuk do të jetë në shënjestrën e sjelljes arbitrare dhe korruptive të administratës e banditizmit të gjyqësorit. Të krijojmë një frymë të re në gjirin e institucioneve që drejtpërdrejtë ndikojnë në mbarëvajtjen e ekonomisë. Kush cënohet në të drejtat e tyre të ligjshme, të shkojë e të marrë drejtësi në gjykata. Ta marrë drejtësinë dhe mos ta blejë atë me para nëndorë, duke i shtuar koston dhe dhunuar moralin biznesit, qytetarëve.

Ky buxhet dhe kjo paketë fiskale është përballja e parë serioze që kjo maxhorance ka me votuesit e saj. Sa seriozë kemi qenë në premtimet tona elektorale, sot qytetarët kanë rastin ta vërtetojnë duke lexuar shifra, nesër duke ndjerë përmirësimin në ekonominë e tyre private.

Në funksion të transparencës së këtij procesi vetëm Komisioni ynë i Ligjeve në një sërë seancash të komisionit dhe nënkomisioneve të tij bëri të mundur të dëgjoheshin rreth 17 institucione shtetërore, kushtetuese e të pavarura dhe rreth 14 shoqata përfaqësuese të shoqërisë civile e grupeve të interesit. Kuvendi i Shqipërisë çdo ditë e më shumë po përpiqet të kthehet në një institucion të hapur për të gjithë të interesuarit në vendimmarrjen publike, larg frymës së hermetizmit dhe shpërfilljes së kontributeve, të ndryshme nga ato që vinin prej zyrave të politikës.

A ka gjëra që mund të diskutohen? Sigurisht që po, çdo buxhet ka dhe do të ketë gjithmonë situate që meritojnë diskutim dhe reflektim, dëgjimin e zërave të grupeve të interesit, qytetarëve dhe partnerëve tanë.

Sot ndër të tjera po dëgjojmë në media një debat të madh në lidhje me rritjet e çmimit të karburantit dhe pasojat zinxhir që kjo rritje mund të ketë në artikujt e konsumit dhe në xhepat e përdoruesve të mjeteve motorike. Është e vërtetë që rritja e akcizës për karburantet mund të ketë efekte negative të ndjeshme, por nëse do të lejohet që biznesi i hidrokarbureve ti shkarkojë tek konsumatori nëpërmjet çmimeve spekulative.

Qeveria e re ka në dorë të gjithë instrumentet e nevojshëm për të bërë të mundur që kjo rritje mos të shërbejë për të pasuruar edhe më shumë shtresën e biznesmenëve të hidrokarbureve e të varfërojë edhe më shumë shqiptarin e thjeshtë.

E për këtë pa ju skuqur fare fytyra flet e spekulon edhe opozita e sotme ndërkohë që qeveria e djeshme abuzuese, siç e kishte zakon, ta linte në derë. Na la në derë një koncesion për ngjyrosjen e hidrokarbureve, një koncesion monopolist, në kufijtë e kushtetutshmërisë, një koncesion që do të prodhojë miliona Euro të ardhura koncensionarit, që do tu hiqen nga buxheti i përditshëm qindra e mijëra qytetarëve me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve.

Qeveria dhe institucionet e saj duhet të ushtrojnë kompetencat ligjore për ta zhbërë këtë situatë monopoliste dhe për të kontrolluar çdo pompë benzinë që u merr para’ qytetarëve dhe në këmbim i vjedh jo vetëm me lloj-lloj përzierjesh të benzinës me nënprodukte nafte, por dhe me 10-20% të sasisë që tregojnë mjetet matëse, që certifikohen nga institucione qeveritare.

Është absurde të mendosh që vetëm pak km më tutje në Maqedoni e Mal të Zi, qytetarët shqiptarë të zonave kufitare me to, furnizohen me karburant cilësisht më të mire, me çmime më të lira dhe me sasi të ndershme. Kjo tallje e madhe me njerëzit dhe financat e shtetit duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë, preket ose jo “konfidencialiteti” i hajdutëve të parave të shqiptarëve.

Qeveria që shkoi diku nga prilli i vitit që shkoi, solli për miratim iniciativën për rritjen e pagave të gjyqtarëve e prokurorëve të Republikës. E solli në ditët e fundit të asaj maxhorance dhe duke qenë e bindur se paratë e tenderave elektorale nuk lejonin që kjo rritje të kryhej menjëherë, efektin financiar e parashikoi ta nisë në janar 2014.

Ky buxhet që ne sot diskutojmë sot në parim e ka të parashikuar këtë rritje. Nuk e kemi bërë thjesht dhe vetëm si një detyrim ligjor apo qokë klienteliste, siç kishte qejf ti konsideronte këto iniciativa qeveria që shkoi.

E kemi përmbushur këtë parashikim buxhetor me përgjegjësi dhe ndërgjegje të plotë shtetformuese. Ne duhet tu kthejmë dinjitetin në vend asaj mase gjyqtarësh që nuk bëhen pis me para pushtetarësh apo klientësh gjithfarësh. Por që përpiqen të jetojnë e të rrisin fëmijët e tyre me ndershmëri e duke parë në sy çdo qytetar në sallat e tyre të gjyqeve.

Tu japim mundësinë atyre gjyqtarëve e prokurorëve të ndershëm që janë në sistem të besojnë tek ai, tu japim sinjale shprese atyre dhjetëra gjyqtarëve të rinj që sot nuk po duan ti emërojnë në radhët e gjyqësorit, kulisat e interesave të ndyra që kanë kapur prej fyti sistemin. Tu japim shpresë se duke punuar me ndershmëri, do të kenë mundësi të ndërtojnë jetën e tyre duke u bazuar në vlera dhe meritë e jo në servilizëm politik dhe gjobvënie ndaj qytetarëve. Paga të larta do të thotë gjithashtu, mundësi për më tepër përgjegjësi ndaj llogaridhënies publike nga institucionet e shtetit të së drejtës.

Në këtë buxhet që vjen sot për miratim në këtë sallë të nderuar, të gjitha institucionet kushtetuese dhe të pavarura gjejnë rritje të buxhetit të tyre nga viti paraardhës. Kjo mund të shihet nga shifrat që të gjithë ju keni përpara. Këtë fakt, Komisioni i Ligjeve e konstatoi me kënaqësi edhe gjatë zhvillimit të seancave dëgjimore me përfaqësues të këtyre institucioneve. Sigurisht që nevoja për më shumë investime ka, do të përpiqemi që gjatë shqyrtimit nen për nen të buxhetit të adresojmë sa më shumë nga kërkesat me vend që janë paraqitur gjatë seancave dëgjimore.

Sot buxheti i shtuar i këtyre institucioneve i vendos vetë ata, por dhe këtë sallë të nderuar në një tjetër pozitë. Paratë që po u shkojnë këtyre institucioneve në formë pagash e investimesh, merren nga financat e çdo shqiptari. Të gjitha këto institucione duhet të mësohen që edhe për këtë shkak, duhet të forcojnë llogaridhënien publike në ushtrimin e detyrave të tyre shtetërore. Kuvendi duhet të jetë garanti i popullit që na zgjodhi, që në rrugë ligjore e kushtetuese tua kërkojë ushtrimin e kësaj përgjegjësie këtyre institucioneve.

Kuvendi i Shqipërisë, Komisionet e tij, ne si deputetë do të jemi këtu për ti kërkuar llogari çdo institucioni që ka për detyre të funksionojë vetëm në bazë të ligjit, pa marrë parasysh emrin apo shumicën që e ka zgjedhur personin.

Çdo veprim që cënon mbarëvajtjen e shtetit të së drejtës, që minon besimin e qytetarëve tek sistemi që kemi zgjedhur për qeverisjen e këtij vendi, që shkel vlerat e meritës dhe aftësisë do të kundërshtohet fuqishëm nga kjo maxhorancë, u pëlqen apo jo laraskave që recitojnë pamflete politike apo zhgarravisin editorialë, sa here u dridhet toka e interesave okultë që i mban në këmbë.

Ekonomi të shëndoshë pa një shtet të së drejtës funksional nuk ka e nuk mund të ketë. Shqipëria duhet të luftojë korrupsionin të forcojë shtetin e së drejtës. Korrupsioni luftohet nga struktura të përgjegjshme të shtetit ligjor. Ekonomi të shëndoshë do të kemi kur shteti i së drejtës të fillojë të funksionojë, kur zyrtarët e tij të jenë të përgjegjshëm se njësoj si qytetari i thjeshtë edhe ata përgjigjen sot e gjithë ditën para ligjit, kur nga më i larti zyrtar e deri tek komunari në zonën më të humbur të kenë frikë nga ligji, kur u shkon ndër mënd apo detyrohen ta shkelin atë.

Nëse është e nevojshme ndërmarrja e reformave të thella institucionale, ne kemi vullnet t’i çojmë përpara. Nuk kemi as kompleks, as droje, përkundrazi kemi përgjegjësi të adresojmë në qoftë se është e nevojshme edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese, për të garantuar shtetin e të drejtës, si shtyllë kryesor e sistemit, pa të cilën çdo përpjekje për shëndoshjen e ekonomisë do të rezultonte pa suksesin e kërkuar.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852