Presidenti Bujar Nishani tha në emisionin “Opinion” se dekretimi i qeverisë së majtë “Rama” do të bëhet brenda ditës së paraqitjes së propozimit nga koalicioni që fitoi zgjedhjet dhe pa humbur kohë.
“Kam kërkuar mbledhjen e parlamentit në 9 shtator. Në 7 shtator ishte dita e fundit e parlamentit të ri. Menjëherë pas kësaj date pres që koalicioni fitues të sjellë propozimin dhe me të ardhur propozimi do të kryej dekretimin, nuk do të pres 7 ditë siç ma ofron kushtetuta”, komentoi kryetari i shtetit.
“Edhe për ministrat nuk do krijoj pengesa artificiale për dekretimin”, shtoi Nishani.
Ai u shpreh se akuzat e së majtës që kanë shënjestruar Presidentin nuk kanë ndikuar drejtpërdrejt në punën e tij.
“E vetmja vështirësi në raportet e mia me të majtën ishin ato për deklaratat publike, por ato nuk ndikojnë në punën time”, tha Nishani.
Duke komentuar çështjen e shumëdebatuar për selinë e re të PD-së, kreu i shtetit tha se e kishte firmosur dekretin për daljen nga plani i shpërndarjes së ushtrisë së godinës, pavarësisht mendimit kundër të Shefit të Shtabit, Xhemal Gjunkshi. Presidenti u mbrojt se ligji ia ka lënë në dorë vetëm atij të vendosë.
“Do ta kisha firmosur dekretin për SHQUP-in, edhe po ta kishte kërkuar për seli, PS-ja. Propozimi erdhi nga ministria e Mbrojtjes”, tha Nishani.
Ai e konsideroi intrigë lajmin, se toka ku ngrihet selia e PD-së ishte në pronësi të bashkëshortes së tij.
“Prona ku është ngritur selia e PD-së nuk është pronë e familjes sime. Unë kam qenë në poste të rëndësishme për shumë vjet dhe nuk kam bërë asnjë përpjekje për të tjetërsuar objektin e kësaj prone, në favorin tim”, u mbrojt Presidenti.
I pyetur nëse do të firmoste dekretet për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm apo kryetarit të SHISH-it, me kërkesë të mazhorancës së re të majtë, Nishani shprehet i prerë se nuk të ketë asnjë lloj lëshimi.
“Asnjë presion nuk do të gjejë një ambient bashkëpunues tek Presidenti i Republikës”, nënvizoi kreu i shtetit.
Ai nuk e shmangu edhe një koment emocional për “largimin” e udhëheqësit të tij shpirtëror nga kreu i PD-së.
“Tërheqja e Berishës, është një e drejtë personale. Mbetet një çështje që do të reflektohet në historinë politikë të Shqipërisë. Jam i bindur se kontributet janë të rëndësishme, për të parë se çfarë ka sjellë”, tha Nishani.