News 24 ka paraqitur dëshminë e një personi, i cili thotë se njeh vrasësit e Artan Santos.
Të bën përshtypje fakti se ai ka thënë se e ka parë disa herë motorin dhe autorët e vrasjes dhe i ka ndjekur.
Jo vetëm kaq, por ai thotë se ka këmbëngulur disa herë për të denoncuar vrasësit dhe madje njihte edhe miqtë e vrasësve.
Edhe pse ai thotë se ka këmbëngulur që të denoncojë vrasësit për të marrë shpërblimin prej 100 mijë eurosh, guximi i tij duket paksa i tepëruar për të folur publikisht.
Kjo, duke qenë se kemi të bëjmë me vrasës profesionistë, të cilët mund të ekzekutojnë edhe atë, pasi ai thotë se njeh miq të tyre dhe për pasojë, edhe ata mund ta njohin atë.
Edhe policia lë të kuptohet se ky mund të jetë një dizinformacion.
“Policia është e vetëdijshme që grupi kriminal që ka organizuar dhe kryer këtë vrasje të sofistikuar ka kapacitet e mjaftueshme për të hedhur në treg qoftë edhe nëpërmjet medias dizinformacione për të penguar zbulimin e të vërtetës”, thotë policia.
Kujtojmë që bashkëpronari i News 24 ka pasur një konflikt të hapur me viktimën.