Debutimi i Shqipërisë në “Elbasan Arena” ndaj Danimarkës mund të shihet si një sukses në shumë aspekte, me vendin tonë që për herë të parë plotësoi pjesën më të madhe të standardeve ndërkombëtare për organizimin e një ndeshjeje të nivelit të tillë, me atmosferën e jashtëzakonshme në Elbasan e në stadium dhe me rezultatin e arritur në fushë (pavarësisht golit të pësuar në fund e rasteve të pastra të humbura).
POR … – Përtej aspekteve të lartpërmendur, e shtuna kuqezi nxorri në pah (më shumë për ata që i vuajtën se për ata që duhen të ishin kujdesur edhe për këto aspekte) mangësi të mëdha dhe sajesa shqiptare, të cilat duhet t’i kishim kapërcyer dhe lënë pas me kohë.
BILETAT – Gjithçka nisi me publikimin e çmimeve të biletave, nga 1000 lekë për vendet prapa portës, duke vazhduar në 1500, 2000 dhe 3000 mijë lekë për vendet e tjera në tribunat jo kryesore dhe më pas 6000, 8000 dhe 10 000 lekë për tribunën kryesore. Në njoftimin zyrtar të FSHF-së për biletat, i datës 22 shtator, nuk figuronte në asnjë rresht çmimi për zonën VIP (18 000 lekë, më shumë se 80% e pagës minimale në Shqipëri prej 22 000 lekësh). Por federata para lajmëronte tifozët e interesuar se “E vetmja mënyrë për t’i siguruar nëse biletat janë të rregullta, është kontrolli elektronik dhe nisur nga kjo këshillojmë të blini bileta vetëm në pikat zyrtare të shitjes të ofruara nga FSHF”. Dy pikat zyrtare të shitjes ishin ajo e stadiumit “Qemal Stafa” dhe ajo pranë teatrit “Skampa” në Elbasan, sasia e dalë nga të cilat, ku tifozët u tortuan në rradhë të gjata duke pritur me orë të tëra, ishte më e pakta qesharake. Se si u shit dhe me çfarë çmimesh u shpërnda pjesa më e madhe e biletave mjafton të thuhet se pak orë përpara ndeshjes në tregun e zi në Elbasan një “lejekalim” për në sektorët C2 dhe G2 me çmim nominal 1000 lekë kushtonte deri në 5000-6000 lekë.
KOSOVA – Një pjesë e konsiderueshme e biletave (këtu mungoi sërish transparenca nga ana e federatës) u shpërndanë me të drejtë në Kosovë dhe pikërisht nga shteti më i ri në Europë morëm (jo për herë të parë) një shuplakë të ashpër. Tifozët kosovarë paguan për biletat në sektorët 1000, 1500 dhe 2000 lekësh të stadiumit, së bashku me udhëtimin rreth 4000-5000 mijë lekë (30-40 euro). Në Prishtinë shpërndarja e biletave u bë normalisht dhe pa kaos, kështu që në Tiranë dhe Elbasan nuk na mbetet veç se të ulim kapelet përpara tyre edhe për këtë aspekt (në rradhë të parë për mbështetjen e zjarrtë dhe të organizuar).
HYRJA NË STADIUM – Pas sigurimit të biletave, vuajtjeve të tifozëve nga Shqipëria për të hyrë në stadium iu bashkuan edhe ata nga Kosova. Edhe pse akomodimi i mbështetësve në “Elbasan Arena” nisi disa orë përpara ndeshjes, një pjesë e tyre zuri vend në stolat përkatës edhe kur kishte kaluar më shumë se gjysëm ore lojë. Mbi të gjitha në tribunat G1 dhe G2, ku njëra hyrje ishte lënë për tifozët miq (të akomoduar në tribunën G3), ndërsa pjesa tjetër kaloi mes shtyrjeve përmes vetëm 2 sporteleve të kontrolleve elektronike.
KIOSKAT DHE GOTA E UJIT – Për herë të parë në një stadium shqiptar, në pjesën e sipërme të çdo sektori, ishin vendosur pika shitjeje, ku tifozët mund të konsumonin birrë, pije freskuese, ushqime të ndryshme dhe ujë. Pijet shërbeheshin me gota plastike për të shmangur hedhjen e sendeve në fushë si në çdo stadium europian, por pavarësisht kohës dhe rradhës së gjatë që sërish tifozëve u duhej të duronin për marrë produktet e kërkuara në këto kioska pak funksionale dhe të vendosura në pozicion jo të përshtatshëm, ishte skandaloz çmimi për ujin, i cili u shit me 50 lekë një gotë. Krejt ndryshe nga të vendosurit në tribunën VIP, në çmimin e të cilëve, ashtu si për gazetarët e akredituar, ushqimi cilësor dhe pijet ishin të përfshira në çmim. Një pjesë e tyre vonuan të uleshin në vendet e tyre dhe humbën fillimin e pjesës së dytë pasi ishin të zënë për të konsumuar ushqimin që dje u “zuri sytë” dhe nuk panë atë që ndodhi jashtë dhe brenda stadiumit me tifozët.
TIFOZËT – Në fund, por jo më pak e rëndësishmja, ishte e papranueshme sjellja banale e një pjese të tifozëve. Megjithëse sharjet individuale apo në kor ishin shumë më të rralla se herët e tjera, sërish nuk munguan dhe stononin tërësisht në një ambient ku sportdashëset femra ishin të shumta në numër. Kishte edhe nga ata tifozë, që qendronin apo kalonin duke shkelur ulëset e reja të “Elbasan Arena”, i cili pas përfundimit të ndeshjes në shumë vende kishte mbeturina të hedhura vend e pa vend. Megjithatë për këtë të fundit, faji nuk është vetëm i tifozëve, pasi kosha mbeturinash nuk kishte në asnjë cep.