Kryeministri në detyrë i Kosovës, Hashim Thaçi denoncon përmes rrjetit social “Facebook” mbishkrimet e konstatuara ditën e sotme në Manastirin e Deçanit.
“Dikush sonte ka fëlliqur muret e mureve të Manastirit të Deçanit me mbishkrime Kalifati, ISIS dhe UÇK. Fillimisht duhet të denojmë nje incident të tillë sepse objekti i Manastirit të Decanit nuk është vetëm mur por trashëgimi e mbrojtur me ligje të Republikës dhe statusin si një vlerë të njohur botërore edhe nga UNESCO. Për më shumë, grafite me mesazhe të tilla janë edhe kundër vlerave më të shenjta të luftës për clirimin e Kosovës.
UÇK kurrë nuk ka luftuar për cështje fetare por emancipuese në frymën europiane. Për dallim nga shtetet e tjera ballkanike që kanë pasur njësite xhihadiste apo ekstremiste panortodokse, ne kemi zhvilluar një luftë të ndihmuar nga aleanca më e madhe në botë NATO. Dora e atij që fut në një fjali UÇK dhe ISIS nuk është dorë që ja don të mirën shqiptarëve, pakicave dhe Kosovës” shkruan Thaçi.
Edhe AAK ka reaguar ndaj mbishkrimeve duke dënuar atë që cilësohet si “abuzim me emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga grupe të caktuara, me qëllim njollosjen e vlerave të saj”.
“Grafitet e sotme, të shkruara nga persona të panjohur në muret e Manastirit të Deçanit, që synojnë identifikimin e UÇK-së me organizata të huaja terroriste e kriminale si “ISIS” dhe “Kalifati Islamik”, kanë tendenca të qarta antishqiptare dhe kundër luftës së drejtë e të pastër për liri, të bërë nga populli dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës” deklaron AAK e Ramush Haradinajt.