Mobilimi i zyrave të reja të PD në SHQUP, i ka zgjuar fantazinë Kunatit të bëjë pak politikë me protokollin e uljes në zyrën e Lulit.
Ai ka porositur arkitektin që zyra të kompozohet në një mënyrë të tillë, që Luli të ketë mundësi të lëvizë vendet ku ulen deputetët para tij, sipas rrethanave.
Mbledhjet e grupit parlamentar që do të zhvillohen çdo të hënë në zyrën e Lulit, do të shmangin tavolinën rrumbullake ku të gjithë dukeshin të barabartë, por do ketë disa tavolina ku disa do të jenë më të barabartë se të tjerët.
Tavolina qendrore ku do të jetë Luli në krye do të ketë formën e një katërkëndëshi, ku mund të qëndrojnë 20 deputetë, ndërsa pas tavolinës qendrore janë vendosur edhe pesë tryeza të tjera, ku në secilën mund të qendrojnë nga dhjetë deputetë.
Kjo nënkupton faktin që Kunati ka marrë masa që PD të ketë gjithësej 70 deputetë në rastin më të mirë, plus Lulin, 71.
Pra, ky është dhe mesazhi i parë i zyrës së re, që kërkon të përçojë idenë se PD do t’ia arrijë që një ditë të ketë 71 deputetë.
Problemi është tani se PD ka vetëm 40 deputetë. Kështu që i bie që gjysma të jenë në një tavolinë dhe gjysma në dy tavolinat e tjera.
Detyra e Kunatit tani është që çdo të hënë të zgjedhë 20 deputetët e parë, d.m.th deputetët që meritojnë të rrijnë në një tavolinë me Lulin dhe pastaj dy tavolinat e tjera, ku janë deputetët që nuk e meritojnë të rrijnë në një tavolinë me Lulin.
Fjala vjen, nga sjellja e kësaj jave, Aldo Bumçi meriton të rrijë në tavolinë me Lulin, se e ka sha Muç Nano “pse bilbilos idiotësira” dhe është i tronditur. “Bilbili ka tinguj magjikë- thotë- nuk këndon idiotësira”. Ed Halimi patjetër duhet të rrijë me Lulin, pasi ka theksuar se nëse Gjykata Kushtetuese voton pro PD, atëhere PS ka humbur. Edhe Oerd Bylykbashi meriton të jetë në tavolinë me Lulin, pasi ka çuar në Gjykatë Kushtetuese reformën administrative me arsyetimin se nuk është pyetur populli.
Astrit Patozi duhet të rrijë tek tavolina e fundit, në vend të fundit, se qenka ankuar pse është përgjuar.
Kaç Islami duhet të rrijë tek tavolina e mesit, se ka qenë neutral këtë javë. Nuk duhet harruar që Doktori duhet të ketë karrigen në krah të Lulit, por Jozi duhet të rrijë në tavolinën e fundit, pasi nuk ka bërë sa duhet në luftën kundër kancerit të mitrës, siç ka bërë vitin e kaluar. Majlinda Bregu duhet të kalojë përkohësisht tek tavolina e mesit, pasi ka krijuar keqkuptime me betejën e saj në mbrotje të cicave.
Sidoqoftë, kjo u jep mundësi Kunatit që çdo javë të bëjë ndryshimin e vendeve duke e kthyer këtë protokollin e uljes në një lloj stimuli për t’u sjellë mirë në PD.
Ideja tjetër e tij ishte ashensori direkt e për katin e tretë qysh tek hyrja e godinës, me qëllim që Doktori të ngjitet në zyrën e tij, dhe njerëzit që duan ta takojnë, mos të kenë droje nga Luli.
Mbetet të sqarojë Ed Selamin që nuk e ka detyrim të shkojë në kat të tretë në zyrë, meqë është fqinj me Doktorin. Tritani, si gjithnjë, do të mbulojë mungesën e tij.