Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Nëse do të kishim vërtet një Zonjë të Parë!

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Ndërsa opinioni publik ka marrë në dorë betejën kundër guvernatorit Fullani, një nga arsyet e zemërimit dhe konspiracionit rreth rrëzimit të tij është lista nepotike e punësimit të familjarëve të zyrtarëve të lartë, të cilëve u prin Zonja e Parë, Odeta Nishani. Kjo listë, e cila në të vërtetë është nje mekanizëm banal përmes të cilave Fullani kap gjithë strukturat e pushtetit, ilustron më së miri disa nga veset e shoqërisë shqiptare, më shumë se sa veset e Fullanit. Kjo listë dëshmon se vetë elita politike nuk beson tek sistemi i vlerave, nuk i lë gratë dhe fëmijët e vet të konkurrojnë dhe meritojnë një vend pune, dhe mbi të gjitha, nuk refuzon dot as një ofertë korruptive nga një zyrtar që përdor paratë publike për të bërë ndere private.

Guri i fundit i këtij gjerdani korruptiv, me të cilën guvernatori heq zvarrë klasën politike shqiptare, ishte Zonja e Parë. Pas ndërrimit të pushtetit, ajo nuk u ndje komode aty ku punonte, pasi nuk i kishte më ministrat ushtarë siç i ka pasur më parë dhe vendosi të ikte. Për të bërë deri në fund shërbimin politik ndaj PD, shpiku dhe faktin që në Ministri të Turizmit e fyejnë dhe vendosi të japë dorëheqjen. Në fakt, nuk dha asnjë ditë dorëheqje, por vetëm lëvizi nga një vend pune qyl, në një vend pune edhe më qyl, që ja ofroi guvernatori. As la ndonjë gjurmë aty ku ishte, dhe as pritet të lërë ndonjë shenjë aty ku ka shkuar, përveç faktit se i shërben si mburojë guvernatorit.

Tani që palët politike u shprehën, tani që qeveria thotë se duhet të presë prokurorinë të konstatojë fajësinë e guvernatorit për të propozuar shkarkimin dhe që Berisha i ka dalë zot, sikur t’i ketë vjedhur vet ato lekë, presidenti i Republikës ka heshtur. Ky nuk është se ka përgjegjësi për vjedhjen në bankë, dhe as e ka pyetur njeri as kur kanë votuar Fullanin. Ky vetëm sa është “dorovitur” nga Fullani pasi është bërë president dhe tani ka hyrë në fushëpamjen e atyre që janë të irrituar përse nuk preket guvernatori.

Bujar Nishani e ka gjetur guvernator Ardian Fullanin dhe do ta lërë guvernator, nëse nuk shkarkohet pas këtij skandali. Ai nuk ka përgjegjësi për profilin e tij korruptiv, për papërgjegjshmërinë e tij në drejtimin e Bankës së Shqipërisë. Ndryshe nga Fullani që ka llogaritur dhe mizat që fluturojnë mbi tavat e peshkut për t’u zgjedhur guvernator, Nishani s’ka bërë asnjë përpjekje, pasi e kanë zgjedhur pa u munduar. E parë në këtë kënd, Nishani është më pak përgjegjës se kushdo tjetër për çështjen Fullani.

Por, fakti që ka më pak faj, nuk e bën të ndryshëm nga të tjerët. Nëse sot do të kishim një president dhe një Zonjë të Parë dinjitoze, shoqëria mund të merrte një leksion pozitiv përmes një akti të thjeshtë. Zonja e Parë mund ta dorëzonte atë vend pune, tashmë jo se ndjehej keq ngaqë nuk i buzëqeshte ministrja, sikundër u ankua një vit më parë, por se duhet të ndjehet keq ngaqë po e urren gjithë shoqëria, si një njeri që jep shembullin më të keq se si meritohet një vend pune. Ajo mund ta lërë atë punë, për t’u thënë shqiptarëve se nuk ja vlen të zhgënjehen nga gjithçka në këtë vend. Është e sigurt që nuk do lërë asnjë boshllëk pas, pasi nuk bën asnjë punë. Thjesht do lërë një përshtypje më të mirë për publikun, duke marrë anën e opinionit publik. Ajo i ka të gjitha shanset për këtë, sikur të ketë fare pak personalitet dhe ndjeshmëri publike. Ajo nuk është as vajza e Jozefinës dhe Ridvanit që u kanë gjetur punë prindërit, as kunata e Berishës, që është roja e parave të Familjes dhe as rrjeti nepotik i Fullanit. Ajo është thjeshtë një qokë e rëndomtë e Fullanit. Ky është i vetmi motiv që është punësuar, e vetmja CV që ka plotësuar dhe e vetmja arsye përse ka zemëruar publikun. Nëse ajo e lë atë punë, dhjetëra vende pune mund t’i ofrohen vetëm për të respektuar vendimin e saj. Por, dhe nëse rri pa punë, apo kthehet në zanatin e saj, do të jetë më mirë. Toka dhe prona ka marrë plot, dhe mund të merret me ndërtime. Ka dhjetëra mënyra për të qenë vetëvetja, përveç atij posti që ka marrë për qokë dhe që e ka vënë në qendër të zemërimit popullor.

Jo të gjithë fëmijët e gratë, apo nipërit e mbesat e kastës që janë punësuar aty janë të paaftë dhe nuk e meritojnë, por është e sigurt që gjithë të paaftët e kastës, janë aty. Odeta Nishani është një prej tyre. Ajo nuk mund të jetë edhe Zonja e Parë e shqiptarëve, edhe pjesë e pisllëkut të Bankës së Shqipërisë. Shqiptarët janë të zemëruar me atë që po ndodh me Fullanin edhe për shkak të qokës ndaj Zonjës së Parë. Zonja e Parë e shqiptarëve, është sot badigarde e Ardian Fullanit, rrufepritëse e mallkimeve dhe zemërimit ndaj tij. Ajo nuk ka punë më me shqiptarët dhe as ata me atë. Për t’u kthyer tek ata nuk duhet ta kalojë më atë portë, që ka poshtëruar dinjitetin e shtetit shqiptar, shtetit ligjor, normave morale të shoqërisë dhe respektit ndaj institucioneve.

E di që është një torturë t’i kërkosh një njeriu të rëndomtë të bëhet Zonjë e Parë për 24 orë, por po e bëj për hir të së drejtës që kemi si qytetarë të kemi një Zonjë të Parë. Dhe kur ajo, mes shoqërisë së zemëruar me shtetin dhe pushtetin dhe mes Fullanit, të zgjedhë këtë të fundit, do të jemi më të qartë që një vend nuk mund të ketë Zonjë të Parë, kur nuk ka një president.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>