Familja u mblodh këtë fundjavë në vilën luksoze të Lalzit për të diskutuar kundër korrupsionit në vend. Si zakonisht, sa herë që mblidhet Familja, e para flet Supermbesa.
-Gjyshi, pse e prishëm vilën dhe e bëmë nga e para ne? E kishin më të bukur këta të tjerët?
-Jo bijë e gjyshit. Vilën mami jot e ka bërë me djersë dhe punë të ndershme. Por, kaluan tetë vjet, dhe siç e di ti, na përgojuan. Çfarë nuk thanë për mamanë tënde. I thanë hajdute vetëm se i kërkoi tre milion euro një biznesmeni që donte të merrte leje për termocentral. I thanë se po pastron para vetëm se tërhoqi 1,7 milion euro kesh nga Fazlliçi. E akuzuan pse merr 100 mijë euro nga universitetet private, që në fakt janë lekë xhepi.
Pas gjithë këtyre akuzave, diçka mbetet. Ndaj u mblodhëm dhe vendosëm që vila të ngelej e pastër dhe njerëzit mos të kishin gojë të akuzonin, ta prishnim dhe ta bënim të re. Kështu, vjet, pasi humbëm zgjedhjet, i thashë mamit tënd: Prishe atë vilë dy katëshe se e kanë bërë pis me akuza dhe bë një të re tani që jemi në opozitë. Tani nuk kanë çfarë thonë. Dhe kështu u bë. E prishëm vjet dhe sivjet e bëmë të re, të madhe, luksoze dhe shumë më të mirë. Tani nuk kanë gojë të flasin se e kemi bërë në opozitë, jo në pushtet. E kemi me lekë të pastra.
-Faleminderit gjysh, i tha supermbesa. Tani ua tregoj unë këtyre që kanë vila këtu që nga koha që ishim në pushtet dhe nuk i kanë ribërë. Të gjithë me lekë të pista i kanë.
-Duhet të një sulm frontal i organizuar kundër korrupsionit, tha Doktori. Kjo që ndodhi me CEZ është e tmershme. Ne e shitëm, dhe ua morëm pa lekë me forcë, këta shkojnë bëjnë marrëveshje tua marrin duke ukthyer gjysmat e lekëve. Skandal. Ne paguam avokatët, këta shkojnë bëjnë pazar. E kanë bërë qëllimisht t’i heqin mamasë tënde punën nga dora, i tha Doktori supermbesës.
-Le se do merrem unë me këtë punë, tha superdhëndri. Nuk ua fal unë këtyre që duan të më heqin nga duart çdo gjë. Këtu tek CEZ nuk i fal. Më kanë fyer dinjitetin e Familjes dhe më kanë hequr punën nga duart. Këtu nuk i fal.
-Babi, të shkruaj dhe unë në FB për këtë gjë, se kam qejf?
-Jo, se nuk i di të gjitha ti, i tha superdhëndri. Do shkruaj vetë.
-Edhe ti Zeni duhet të aktivizohesh, i tha Doktori.
-Po ja, shkruajta kundër Mesilës, tha Zeni.
-Duhet të shkruash çdo ditë, i tha Doktori. Kam të dhëna se kanë gjejtur dokumentat si ke marrë tridhjet hektarë tokë në Ksamil. I kam të dhëna të sigurta. Burimi im thotë se mund t’i bëjnë presion Çimit dhe Rafit dhe të tregojnë që e kanë marrë për hesap tënd. Duhet me u aktivizu fort, se nëse të marrin atë, t’i marrin të gjitha.
-Jo, tha Zeni, se kanë fol me Koçon ata. U ka thënë Koço, “e keni marrë si e keni marrë, ta gëzoni biri im, por po na u desh për investime, duhet të na e jepni lirë”.
-Në asnjë mënyrë lirë tha superdhëndri. Ti po deshe jep pjesën tënde lirë. Ne tonën nuk e lëshojmë lirë. Kemi vënë emrin tonë në rrezik aty. Argita mbeti dyerve të gjykatave derisa e rregulloi.
-Nejse, në atë zonë duhet punuar me Koçon, tha Zeni. Duhet forcuar ai brenda PS-së, ndaj duhet ta sulmojmë pak që të forcohet. Pastaj flitet me të. Le të marrë dhe ai pjesën e vet. Rëndësi ka mos të kthehet prona në origjinë. I thonë 128 hektarë. Kemi pjesën më të mirë të Ksamilit.
-Duhet me luftue, tha Doktori. Mos u gënjeni nga Koçua. Nuk duhet dorzue asgjë, se hapet fjala dhe pastaj ua marrin të gjitha. Duhet të tregohemi dhe më të fortë. Ja, si punë e kësaj vilës, që e ribëmë të re. Tani s’na thotë dot njeri që e kemi me para të pista, se jemi në opozitë. Asgjë nuk duhet të lëshojmë. Bile dhe Lulit dhe Flamurit, të gjithëve u duhet thënë ta ribëjnë të re. Nuk duhet të kemi gjëra që lidhen me pushtetin. Duhet me i ribë të reja.
-Ashtu them dhe unë gjysh, tha supermbesa. S’kemi pse trembemi prej këtyre. Këta nuk ditkan si qeveriset vendi. Ua marrin lekët budallenjtë.