Deri tani është folur dhe dëgjuar shumë për detyrimet e prapambetura që shteti i ka bizneseve, por në fakt shumë pak e dinë shifrën që sipërmarrësit kanë detyrime në tatime. Nëse në total borxhi që qeveria ka ndaj sipërmarrësve, ku përfshihen punë publike, TVSH dhe tatim-fitim i prapambetur apo shërbime të papaguara shkon 52.4 miliardë lekë, (afërisht 525 milionë dollarë), detyrimi që individë e biznese i kanë tatimeve është 76 miliardë lekë, raporton Vizion Plus. Pëllumb Rakipi, nëndrejtor i përgjithshëm i tatimeve sqaron se pjesa më e madhe e këtij detyrimi është krijuar nga mos pagesa e TVSH-së.
“Pjesa më e madhe e detyrimeve janë për TVSH, datojnë që prej ‘92-shit… Ne vetëm për dy muajt e parë kemi mbledhur 3 miliardë lekë detyrime, por është e vështirë duhet të gjenden mënyrat…”
Por biznesi thotë se një pjesë e mirë e këtij borxhi është krijuar sepse shumë kompani nuk kanë patur para për shkak të vonesave në pagesa nga ana e shtetit. Por tatimet tregojnë një histori tjetër, borxhi më i madh që kompanitë i kanë atyre është i përqendruar te katër firma, ku në tre prej të cilave ka pjesë dhe shteti. Përveç pjesës së ekzekutimit të borxhit të kompanive shtetërore, bizneset thonë se shifra 76 miliard është krijuar për shkak të mos funksionimit të ligjit të falimentit.
Nëse një biznes del me humbje dhe nuk ka para të paguajë taksat për tre vite rresht drejtoria e tatimeve duhet ta nxjerrë atë në listën e falimentit. Pas përfundimit të procesit në gjykatë, administratori shtetëror bën vlerësimin e aseteve, i nxjerr ato në shitje dhe paguan bankat, palët e treta dhe detyrimet ndaj shtetit.