Edhe pse ne i paraprimë me humor një reagimi të mundshëm nga Lazarati pas një deklarate rutinë paralajmëruese të ambasadës së SHBA-së për qytetarët amerikanë, të cilët duhet të shmangin Lazaratin, deklarata ndodhi. Kryetari i Komunës së Lazaratit, Dashamir Aliko ka reaguar ndaj ambasadës. Ky debat në distancë pason një takim ku u shqiptuan deklarata të dënueshme nga pjesmarrësit, të cilët flisnin hapur për investime në biznese të ndershme të parave të drogës dhe për nevojat që ka ky fshat të edukojë fëmijët të qëndrojnë larg drogës.
Kjo në të vërtetë është një situatë amorale më shumë se sa një situatë antiligjore. Ne kemi vite që e shikojmë Lazaratin si spektatorë dhe të gjithë nën zë ja vëmë fajin Sali Berishës, që i përdor për depo votash dhe i lejon të bëhen milionerë me drogë. Por, për hir të së vërtetës, ata ishin të tillë dhe pa ardhur Berisha në pushtet, në vitin 2005, dhe duket se kanë ndërmend të qëndrojnë të tillë.
Them se Lazarati tashmë është nëj çështje amoraliteti, pasi është fyerje të diskutosh çështjen ligjore që buron nga kultivimi i hapur i drogës.
Amoraliteti është së pari politik. Lazarati, dhe këtu nuk e kam fjalën për banorët, por për bosat e drogës aty, ka prodhuar në Shqipëri modelin e tolerimit politik të një veprimtarie kriminale, duke ushqyer tek shqiptarët bindjen se po i shërbeve pushtetit, mund të bësh gjithçka. Modeli i të pasuruarit përmes drogës duke u sjellur si kamikazë politikë, është një model i përafërt në gjithë modelin e të suksesshmëve në Shqipëri. Edhe pse jo në ato përmasa, model suksesi janë biznesmenët e lidhur me politikën, model suksesi janë dhe kriminelët e lidhur me politikën.
Ashtu sikundër kreu i Lazaratit kërkon të mos pyetet për milionin e parë, ashtu dhe biznesmenët e lidhur me politikën kërkojnë të mos i pyesësh për tenderin e parë, apo kriminelët e lidhur me politikën të mos pyeten për vrasjen e parë.
Ky model amoraliteti që nxitet publikisht dhe konsiderohet si politikë pajtuese, është një rrezik më i madh se pafuqia për të prishur një plantacion hashashi. Unë e kuptoj pafuqinë e policisë, dhe kujdesin e saj mos vret njerëz. I kuptoj dhe mungesat logjistike të saj. Jam gati të pranoj dhe dështimin e saj për të mos e ndalur kultivimin dhe shitjen e hashashit nga Lazarati. Por, i papranueshëm është legalizimi i modelit të Lazaratit. Kjo nuk duhet lejuar kurrë. Më mirë të sillemi si të pafuqishëm, se sa si të dorëzuar.
Asnjë zyrtar shqiptar nuk ka të drejtë të shkojë në Lazarat, të ndeshet me trafikantët e drogës dhe të na bëjë moral për politikë. Le të shmangë shkuarjen atje përderisa shteti i tij nuk e kontrollon dot territorin. Asnjë zyrtar shqiptar nuk mund të jetë në një tavolinë ku flitet për mënyrën si mund të investohen paratë e drogës dhe të mos reagojë. Le ta shmangë atë tavolinë, kur është i padenjë për të përfaqësuar shtetin. Asnjë polic shqiptar nuk mund të shikojë me sy plantacione droge dhe të mos nxjerrë prangat. Le të bëjë sikur nuk shikon së paku për të ruajtur imazhin e policit.
E kuptoj pafuqinë e tyre, por le të rrijnë në shtëpi dhe jo të shkojnë tek zemra e krimit dhe të bëjnë moral si mund t’i bëjmë njerëz të mirë disa trafikantë.
Një problem tjetër amoral që lind nga Lazarati është diskriminimi pozitiv i tyre. Ai është një fshat që tashmë po mobilizon energjitë për t’u trajtuar ndryshe nga pjesa tjetër e qytetarëve shqiptarë. Disa ditë më parë Fiks Fare dha një kronikë investigative se si një plak i vetmuar 80 vjeçar nga Kruja u dënua me dy vjet burg se i kishin gjetur 5 rrënjë hashashi në kopësht, që ai ende nuk e kuptonte çfarë ishin. Dukej qartë se dikush ja përdorte kopështin. Si mund ta dënosh atë plak me dy vjet burg, dhe pastaj i njëjti shtet, të njëjtët gjyqtarë dhe policë, të shkojnë në Lazarat e të bëjnë propogandë t’i luten fshatit të mos kultivojë qindra tonë hashash. Kushtetuta e Shqipërisë njeh barazinë para ligjit të çdo shtetasi shqiptar. Nëse do të isha avokat, do ta çoja në Gjykatë Kushtetuese çështjen e një klienti të akuzuar për drogë, duke i kërkuar njësim dënimi me çdo banor apo punëdhënës droge në Lazarat. Kultivimi i pabarazisë para ligjit, është një dëm shumë më i rrezikshëm se sa vet droga që kultivohet atje.