Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Kunati përgatit fjalimin e Lulit për 1 Prillin

$
0
0

Luli i kërkoi Kunatit të përgatisë fjalimin që do mbante të martën. I duhej një fjalim ku të rreshtonte arritjet trevjeçare në Bashki dhe objektivat për të ardhmen si në Bashki, ashtu dhe në parti.

Për këtë i dha disa nga pikat ku duhet ta mbështeste fjalimin.

Pasi i pa me kujdes pikat, Kunati iu fut punës dhe më në fund bëri fjalimin që kërkonte.

 

“Të dashur demokratë dhe demokrate, populli i Tiranës, qytetarë shqiptarë.

Tre vjet pas marrjes së Bashkisë së Tiranës, me një proces zgjedhor nga më të ndershmit, më të lirët dhe më transparentët në historinë e Shqipërisë, ku u numëruan jo vetëm votat brenda kutive, por dhe ato që ishin rrotull tyre, unë vij para jush me objektiva të realizuara dhe tejkaluara.

Tre vjet më pas, unë kam bërë realitet premtimin tim kryesor se do heq dorë nga politika dhe do merrem vetëm me Bashkinë e Tiranës. Siç e shikoni të gjithë, unë formalisht jam dhe kryetar i PD, por atë e drejton Doktori dhe unë merrem me qytetarët. Bile dhe punët administrative të Bashkisë i bën stafi im dhe unë merrem vetëm me qytetarët.

Premtimi im i dytë i madh është tramvaji. Ua premtova qysh në vitin e parë të mandatit dhe e mbajta fjalën. Të gjithë ju keni sot mundësinë ta shikoni si është një tramvaj, si ecën ai, ku do ecë dhe sa shpejt ecën. Në zyrën time në Bashki janë të varura në mur gjithë projektet dhe mund të shikoni dhe pamje filmike. Unë nuk mund ta fsheh kënaqësinë që tani banorët e Tiranës janë koshientë që kjo arritje i dedikohet punës së Bashkisë dhe kryetarit të saj.

U kam premtuar uljen e taksave dhe heqjen e disa tarifave vendore dhe e kam bërë. Kam rritur vetëm 60 herë taksën e pastrimit dhe kam shtuar taksat vendore, por kjo është bërë me dëshirë të qytetarëve.

Ju kam premtuar barazi në biznes dhe liri ekonomike dhe kam prova konkrete. Hapni bilancet financiare të Bashkisë së Tiranës dhe do të shikoni se të gjitha blerjet dhe furnizimet e Bashkisë tani bëhen vetëm në Megatek, e cila është kompania më e madhe në vend, që mund të furnizojë një Bashki. Ne nuk shpërdorojmë lekë lart e poshtë, duke i çuar në kompani të vogla pa autoritet. Aty i gjen të gjitha, dhe plus të jep shansin të bësh dhe ndonjë punë, siç e thotë slogani i saj, “Bëje mirë, bëje vetë”. Bashkia gjen rastin të ftojë qytetarët, që dhe ata pazaret e tyre t’i bëjnë po aty.

U kam premtuar leje ndërtimi dhe kam thyer çdo rekord. Vetëm gjatë vitit të kaluar, rreth 5 mijë qytetarë të Tiranës ndërtuan pa marrë leje fare, duke shtuar kate pallatesh, cepa ndërtesash dhe duke ndërtuar në zona të lira. Ne i hapëm rrugë lirisë së ndërtimit jashtë rregullave të Edi Ramës, që la qytetin pa ndërtuar vetëm që të jepte vetë lejet. Sot, siç dihet, mjafton t’i jepni një gjë të vogël Florencit dhe mund të ndërtoni ku të doni.

U kam premtuar që Bashkia do të jetë vatra e shoqërisë civile, dhe ja ku jemi sot në një realitet që ju e prekni vetë, ku çdo protestë që organizon PD, organizohet nga Bashkia. Ne kemi bërë mitingjet e PD, protestat e saj, festa, koncertet dhe çdo gjë tjetër. Një urim me këtë rast për Altinin e papërtuar për çdo sebep të tillë.

Në fund dua të siguroj demokratët dhe demokratet e Shqipërisë se kështu siç kam mbajtur premtimet në Bashki, do t’i mbaj dhe në PD dhe në zgjedhjet e ardhshme do t’i japim 1 milion vota mbrapsht Edi Ramës. Ne do të luftojmë autoritetin e Sali Berishës në parti, dhe do krijojmë identitetin tonë, të pavarur prej tij dhe Familjes së tij, që ka futur duart në pasuritë e shqiptarëve. Ne jemi një brez i ri, që nuk na lidh asgjë me të, pavarësisht gojëve të liga. Ai dhe familja e tij duhet t’i dorëzohen drejtësisë. Ne do ta lëmë të lirë drejtësinë dhe do të shikojmë nga e ardhmja”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>