Kjo ishte e shtuna e katërt rresht që Forcat e Armatosura, në kuadër të shpalljes së emergjencës civile për gjendjen e mjedisit nga Komisioni Ndërministror, janë angazhuar në operacionin për pastrimin e territorit në shkallë vendi.
Sot 1100 trupa dhe mbi 100 mjete të strukturave të Forcave të Armatosura u përqendruan përgjatë akseve nacionale Fier-Levan-Tepelenë- Gjirokastër -Kakavijë.
Operacioni i efektivëve të Forcave të Armatosura për pastrimin e këtyre akseve nacionale është ndjekur nga afër nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor Jeronim Bazo.
Ata janë ndalur në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, ku forca dhe mjete ishin të angazhuar në pastrimin e segmentit rrugor dhe të territorit përreth saj.
Ministra e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, tha se “jemi drejt përfundimit të këtij aksioni të madh kombëtar për pastrimin e territorit nga mbetjet”.
“Në ditën e sotme kishim mbështetjen e pushtetit lokal, të Policisë së Shtetit, të institucioneve të tjera dhe të shoqërisë civile”.
Në këtë kontekst, në mënyrë të veçantë ministrja Kodheli ka falënderuar median dhe opinionistët për “mbështetjen që kanë dhënë gjatë këtyre ditëve për sensibilizimin e asaj që ne kemi dashur të arrijmë në përfundim të këtij aksioni: që Shqipëria, vendi ynë, të jetë më e pastër”.
Gjithashtu ajo ka falënderuar 1100 trupat e FA që janë bërë edhe sot pjesë e këtij aksioni.
“Ky vend ka nevojë për projekte, por edhe për të forcuar më shumë sanksionet dhe frymën qortuese, për ngritjen e opinionit dhe të aksionit të gjithësecilit prej nesh”, theksoi ministrja e Mbrojtjes Kodheli.
Kodheli është ndalur edhe në segmentin pranë Ujit të Ftohtë në Tepelenë, ku situata ishte mjaft problematike.
Ajo edhe këtu ka inkurajuar forcat e angazhuara për evitimin e kësaj gjendje të rënduar mjedisore dhe ka kërkuar nga institucionet përkatëse të pushtetit lokal që situata të tilla të mos lejohen në të ardhmen.
Gjatë ditës së sotme janë angazhuar 1100 trupa dhe mbi 100 mjete nga strukturat e Forcave tona të Armatosura, duke bërë të mundur pastrimin e 127 km rrugë dhe transportimin me mjetet e ushtrisë të mbetjeve të nxjerra për në vendgrumbullimin e tyre.