Edi Rama ka qenë sot në një ditë të mirë në Kuvend.
Replika e tij me Sali Berishën dhe Ridvan Boden i dha fund debatit në sallën e Kuvendit dhe nxori nga takti përfundimisht Berishën.
Ndërsa ky i fundit i referohej vazhdimisht Ramës si njeri i Bllokut, Rama u ngrit ta sqaronte.
“Ma ke përmend shpesh këtë Bllokun dhe nuk kam dashur të të përgjigjem”, i tha.
“Kam njohur një anëtare të Byrosë Politike në Bllok, që s’po ia përmend emrin për etikë, e cila më ka treguar se kur i ka vdekur burri, një udhëheqës i lartë komunist i këtij vendi, kishte një hall të madh, mirë që nuk qetësoja dot njerëzit e mi, tha, por nuk mbaja dot Saliun që qante më shumë se gjithë familja”.
Nuk dihet për kë e ka pasur Rama, por duket se fabula na çon tek Hysni Kapo, i cili derisa vdiq, ka pasur si mjek roje Berishën, që i maste tensionin dhe kujdesej për parametrat biologjikë gjatë natës në shtëpinë e tij.
Më tej, Rama sqaroi për Berishën dhe momentet e tij të para në shkurt të vitit 1991, kur e kishte takuar Berishën bashkë me Ardian Klosin dhe Kasëm Trebeshinën.
“Takimi ynë i fundit me ty ka qenë dramatik, pasi ti na kërcënove se ne duam të nxjerrim llumin nga burgjet e komunizmit, por ti nuk do na lejoje kurrë… Nuk na ndalove dot Sali dhe në këtë sallë je enveristi i fundit”.
Por më me ironi ka qenë replika me Boden.
Ndërsa Rama po fliste, Bode hyri në sallë dhe Rama tha “ja dhe një Vullnetar i Enverit erdhi”.
Bode kërkoi replikë, por Meta i tha se nuk mund t’ia japë fjalën, pasi ai nuk përmendi emrin, por tha vetëm “Vullnetar i Enverit”.
“Nëse pranon që je Vullnetar i Enverit, eja”, i tha Meta.
Bode pranoi dhe doli në podium.
Ai akuzoi Ramën se ka dalë nga gjirizet e Bllokut dhe se është djali i Kristaq Ramës.
Më pas Rama rimori fjalën për replikë duke theksuar se nuk ka punë as me babanë e Berishës dhe as me të Bodes.
“Atyre t’iu ndrijë shpirti ku kanë shkuar, dhe nëse janë gjallë, të rrojnë sa të duan”, tha Rama.
“Unë e kam punën me ju. Ti Ridvan nuk ke pse mërzitesh. Nuk është turp që ke mbajtur në krah bustin e Enverit. Punë është dhe ajo. Hall ke pasur. Do vije nga Librazhdi në Tiranë, ku nuk ke qenë i internuar siç gënjen, por ke qenë shef plani i kooperativës, njeri i besuar i partisë. Me PD-në nuk kishe njohje, kape bustin e Enverit dhe erdhe. Mirë bëre, mos ki turp. Shefi yt ka bërë dhe më keq për Enverin”.
Replikat e Ramës acaruan Berishën, i cili kërkoi sërish fjalë, por u mbyll seanca.