Çtabuzim pakthim!
Kur lamë pas të shkuarën, lamë pas edhe qasjen bardhë e zi ndaj ngjarjeve historike dhe personazheve të përfshira në to. 20 shkurti nuk bën përjashtim. Një datë kjo që për shkak të politikës ende nuk gjeneron kohezionin e pritshëm demokratik dhe kjo sa për shkak të referencave spekulative, ashtu dhe demagogjisë 20 vjeçare që pasoi.
Historia nuk ribëhet me inverse dhe përtej ndjeshmërive demokratike, rrëzimi i një shtatore nuk duhet të nëpërkëmbë ndjeshmëritë historike rreth kontributit gjysmë shekullor të një shoqërie të tërë (përpjekjet për çlirim, ndërtim, civilizim etj). 20 shkurti nuk është dita e fitores së gjysmës së shoqërisë ndaj gjysmës tjetër. As dita e ‘licencës’ për të mallkuar dhe zhbërë çdo gjë që monizmi la pas (sikundër edhe ndodhi me pasurinë publike, rrënimin e vlerave qytetare etj). 20 shkurti është dita e lënies pas së tabuve në politikë por ndërsa tabutë nuk ranë për t’u zëvendësuar me të tjera, çdo ‘privatizim’ politik i 20 shkurtit apo shpërdorimi si alibi për të provokuar tensione dy dekada më pas, për më tepër nga ata që koha dëshmoi se e katandisën demokracinë në demagogji, është përdhosje e simbolikës së asaj dite dhe mesazhit që bart.
‘Shtatoret’ brenda vetes
Përtej simbolikës së ngadhënjimit të qytetarit në shesh, ‘linçimi’ deri në vulgaritet i shtatores më pas nuk i shtoi pikë demokratike ditës më tej (reminishenca e qasjeve të shkuara si p.sh. hedhja në erë e varrit mbretëror). E ndërsa mund të pritet nga një shesh në delir, e papranueshme është referenca e ‘zvarritjes’ që politika e PD lançon ende sot ndaj rivalit politik (neobllokmen, bijtë e etërve etj). 20 shkurti duhet të mbahet mënd për zbritjen e monumentit në tokë dhe jo për zvarritjen e tij dhe t’i bësh eko zvarritjes sot, i bën eko mentalitetit që ajo ditë la pas. Dhe kjo sepse sfida e demokracisë nuk janë shtatoret por simbolikat që ato përfaqësojnë. Për më tepër që ajo shtatore, edhe pa u hequr dhunshëm, ishte e pavend në ato përmasa, në atë koncept, në atë pozicion (ndryshe nga ai i Gjirokastrës që ishte më natyral në paraqitje, përmasa dhe vendndodhje). I atillë ai shërbeu veçse si ‘rrufepritës’ i mirëkalkuluar për kohë të ‘keqe’ dhe një ‘certifikatë’ para perëndimit se ‘timoni’ i politikës u kthye pakthim.
Ndonëse demokracia nuk është shtatoremani, historia nuk bëhet me vakume ndaj dhe ashtu sikurse monumenti i monarkut zuri vend në funksion të memories historike, rivendosja eventuale e shtatores së Hoxhës nuk ka përse të shihet si provokim demokratik por plotësim i mozaikut historik që është në vetvete standard në demokraci. Në monizëm u bënë shumë gjëra keq. U bënë edhe shumë gjëra mire dhe nëse përmendja pa komplekse e arritjeve të bën ‘enverist’, ashtu qoftë. Standardi i demokracisë nuk është bardhë e zi dhe etiketime të tilla nuk kompleksojnë kur bëhen nga një takëm politikanësh që duke i bërë bisht ligjit notojnë në pasuri të pamerituara duke nëpërkëmbur standardet demokratike, deri interesin kombëtar.
Përkujtimi i 20 Shkurtit presupozon moral demokratik që PD me qeverisjet e saj nuk e dëshmoi. Çdo kushtrim prej saj për protestë, përveçse demagogji, provokon edhe dinjitetin qytetar teksa lyp mbështetje për një politikë që në CV qeverisëse ka Gërdecin, 21 janarin, abuzimin me Rrugën e Kombit, nëpërkëmbjen e votës, deri nëpërkëmbjen e sovranitetit kombëtar siç ishte marrëveshja detare me Greqinë (ndërkohë që Hoxha nuk përmendet të ketë ardhur në pushtet apo mbijetuar në të duke futur kufirin në lojë) etj.
20 Shkurti është test për të gjithë
Përballë sfidës së protestës, qeveria nuk ka përse të përgatitet për skenare dhune dhe as nuk duhet të përcjellë këtë perceptim. Përballë qytetarit në protestë, Kryeministria nuk ka nevojë për kordona policash pa armë, qofshin edhe femra. Ajo duhet të ruhet siç ruhet çdo ditë. Nga personeli i zakonshëm i shërbimit. Dhe nëse turma dëshmon agresivitet dhe mësyn institucionin, ashtu qoftë. Sa kohë nuk rrezikohen jetë njerëzish nga të dyja palët, pllakat dhe mobiliet vihen sërish në vend më pas. Ndërkohë drejtësisë i shtohet një dosje më shumë.
Qeveria Rama ka marrë përsipër shumë reforma por nëse opozita luan jashtë ‘ringut’ demokratik, fati i tyre dhe shmangja e sindromës së qeverisjes së Nolit (ndonëse e ardhur në pushtet me revolucion), fillon nga zbatimi i ligjit njëlloj për të gjithë. Më 20 Shkurt ra shtatorja, por ‘shtatoret’ që polli tranzicioni bëjnë ende karshillëk. Dhe deri tani nuk ka ende ‘kavo’ për to.