“Reforma për Maturën Shtetërore është e domosdoshme”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi që zhvilloi me nxënës ekselentë të Maturës Shtetërore.
“Reforma e Maturës Shtetërore është një reformë e domosdoshme dhe mund ta themi me plot gojën që kemi një dokument plotësisht të besueshëm për ta ndërmarrë këtë reformë dhe për të filluar të shikojmë vit pas viti efektet pozitive të saj. Ajo që dua të nënvizoj është se kemi nevojë t’i japim shumë më tepër vend meritës dhe të krijojmë shumë më tepër hapësirë për konkurrentët. Duke i dhënë shumë më tepër vend meritës, do kemi shumë më tepër sukses jo thjesht individual, jo vetëm për ju, por edhe për të tjerët, që në sistem motivues janë shumë më pranë suksesit sesa dështimit. Sistemi që kemi sot është një sistem që nuk motivon suksesin dhe e fsheh dështimin. Kush merr notën më të lartë, nuk merr atë kënaqësi që i takon as me veten e tij, as në mjedisin që e rrethon dhe ai që ka dështuar nuk e merr vesh që ka dështuar”, u shpreh Rama.
Në vijim ai u ndal në rëndësinë e arsimit profesional si dhe për numrin e madh të masterave dhe të titujve doktorë shkencash, që sipas tij nuk ka vend në botë që të konkurrojë Shqipërinë.
“Nuk mund t’u vëmë nxënësve, që së shpejti do kenë maturën e tyre, gjithë barrën e një trashëgimie shumë të vështirë. Ne e konsiderojmë absurde që gjuha e huaj prej kohësh është hequr si provim, por nuk mund të themi që qysh këtë herë gjuha e huaj të jetë provim si gjithë të tjerët dhe t’i penalizojë të gjithë. Do ecim në korsinë që të çon në rrugën e zanatit, që do të thotë në rrugën e arsimit profesional. Nga një raport i brendshëm i Departamentit të Administratës Publike lidhur me nivelin e arsimimit të njerëzve që janë marrë në punë në administratë, rezulton një situatë dramatike përsa i përket fluksit të jashtëzakonshëm të diplomave, masterave, doktoraturave të marra nga të katër anët. Nuk besoj se ka shtet në botë që të na konkurrojë për doktorë shkencash për metër katror pa llogaritur masterat që i kemi çdo 100 metër katror. Kështu shkojmë drejt shkatërrimit. Reforma në arsim është një reformë që politikanët kanë tendencën ta shtyjnë se nuk jep rezultate të shpejta të përkthyera elektoralisht”, theksoi kryeministri.
Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, Rama nuk ka lënë mënjanë batutat, teksa një të pranishmi i tha se “në të ardhmen mund të jetë pjesë e grupit parlamentar të opozitës, pasi kërkon nga të tjerët të zbatojnë rregulloren, por vetë nuk e zbaton atë”.
Rama ka folur edhe për zyrën e punësimit në Tiranë, ku theksoi se u ka shërbyer më shumë emigrantëve, pasi ata janë kthyer me një zanat.
“Vëmë re gjithashtu se pjesa më e madhe e atyre që kanë përfituar nga zyrat e punës janë shqiptarët që janë kthyer nga emigracioni, të cilat kanë dy gjëra të ndryshme nga e përgjithshmja. E para, nuk kanë iluzione se pa punë mund të gjendet një punë e atillë, që duke mos punuar të gjesh më shumë para se sa duke punuar. E dyta, kanë zanatin që i përgjigjet kërkesave”, tha Rama.
Si ndryshon formula
Përllogaritja e pikëve të maturantëve për në universitet këtë vit do të ketë një tjetër formulë, e cila i jep më shumë peshë mesatares së 3 viteve të studimit në shkollën e mesme. Në këtë kuadër ky vlerësim është rritur me 6% krahasuar me atë aktual, ndërsa është ulur rëndësia e lëndëve me zgjedhje.
“Ndryshimi i peshës mes komponentëve të formulës së Maturës Shtetërore bëhet për t’i dhënë më shumë rëndësi dhe peshë punës 3-vjeçare, rezultateve të tre viteve të gjimnazit. Është rritur përqindja e pikëve mesatare, nga 20, ka shkuar në 26%. Pra është rritur 6% fuqia e saj në ndikimin e pikëve të maturantit për vazhdimin e garës për në universitet”, tha Arben Fagu, specialist pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.
Një tjetër risi për këtë vit është futja në maturë edhe e provimit të gjuhës së huaj. Gjuha e huaj nuk është pjesë e formulës së përllogaritjes së pikëve, ndërsa maturantët që u ka mbetur ndonjë provim me zgjedhje pa dhënë nga vitet e shkuara, nuk do t’i nënshtrohen këtij provimi.
“Gjuha e huaj është pjesë integrale e provimeve të maturës dhe ngelja në atë lëndë nuk të pengon në vazhdimin e lëndëve të tjera, por besoj se mund të jetë pengesë në çuarjen në universitet, pasi është një provim i detyrueshëm dhe studenti duhet të jetë kalues, pavarësisht se ajo nuk hyn në formulën llogaritëse të pikëve”, sqaron Fagu.
Ndërsa nga marsi do të fillojë edhe aplikimi online i kontrolluar për formularin A1, fillimisht për maturantët aktualë dhe më pas do të nisë plotësimi i formularit A1Z nga maturantët e viteve të shkuara.
Nikolla garanton transparencë
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, garantoi sot se provimet e Maturës Shtetërore do të jenë transparente dhe me cilësi të lartë, që maturantët të vlerësohen ashtu siç e meritojnë.
Gjatë një takimi me nxënësit ekselentë të maturës, ministrja Nikolla sqaroi se ndryshimet që i janë bërë Maturës Shtetërore, synojnë krijimin e një rrugë të re bashkëveprimi për të përsosur këtë proces.
Në bashkëbisedim me të rinjtë, Nikolla premtoi se për të gjitha rastet kur nxënësit që mbarojnë maturën, shpresojnë në një aplikim në universitetet jashtë vendit, Ministria e Arsimit në kohë reale do t’i bëjë të mundur pajisjen me diplomën përkatëse, pa të cilën aplikimi është i pamundur.
Po kështu Nikolla sqaroi se nuk do të ketë më raste kur nxënësit apo prindërit e tyre do të dynden në dyert e Ministrisë së Arsimit për të kërkuar një të drejtë, pasi i gjithë procesi do të jetë transparent dhe në kohë reale.
“Edhe pse viti shkollor që po mbyllet u përgatit nga qeveria që iku, për ne jeni të shtrenjtë si sytë e ballit. Nuk mund të rrimë dhe të shohim kur ju shpreheni të shqetësuar për një proces të keqadministruar, me teste që hapen natën. Ishte një proces i turpshëm. Filluam me masat e para, duke ndryshuar situatën me procesin e realizimit të testit”, theksoi Nikolla. Në këtë kuadër ajo shtoi se “kemi vendosur të lidhim një marrëveshje me Postat Shqiptare dhe Ministrinë e Brendshme, duke rritur kështu sigurinë e transportit, për të mos u përsëritur fiktiviteti në rezultatin e maturantëve, ku tezat hapeshin rrugës dhe shiteshin”.
Ministrja Nikolla tha “se po komunikojmë me universitetet që të kemi mirëadministrim në salla të mëdha në jo më pak se 50 nxënës”.
“Kemi një plan të qartë dhe të detajuar për përzgjedhjen e administratorëve. Do ketë trajnime përzgjedhje dhe certifikime. Do ketë dënime deri në pezullim nga detyra në rast se do konstatohen shkelje”, u shpreh Nikolla.