Çfarë tregon sot me gisht buxheti i vitit 2014, ajo është çfarë do të ketë shqiptari i nesërm në tavolinë. Në fund të fundit, ajo mori shifrash dhe kjo përplasje mes dy filozofish të drejtimit të shtetit, të së majtës dhe të së djathtës, reduktohet në përgjigjen e një pyetjeje të thjeshtë: do të jetojë nesër më mirë qytetari i zakonshëm shqiptar? Do të ketë më shumë mundësi ekonomike, kulturore dhe sociale në krahasim me të shkuarën? Do të afrojë ky dokument themelor financiar më shumë garanci për të nesërmen për ta nxjerrë Shqipërinë nga parashikimet e zymta, nga tamtamet e haresë së fshehur keq nga një krah politik për mungesën e suksesit të krahut tjetër, do të afrojë më shumë shpresë për ndryshim?
Duke votuar pro, si deputet dhe si kryetar i grupit parlamentar të LSI-së, nuk kisha e nuk kam asnjë dilemë se do të ndodhë pikërisht kështu. Sepse nuk mund të ndodhë ndryshe. Sepse në thelb të këtij dokumenti qëndron filozofia e solidaritetit dhe sakrificës: solidaritet ndaj shtresave më në nevojë dhe sakrificë të përbashkët të qytetarëve që falë përpjekjeve të tyre, kanë pasur më shumë fat në jetë.
Ky dokument nuk është pronë e pozitës dhe as kundërshtar i opozitës. Ai prek njëlloj si ata që votuan ndryshimin e pushtetit, si ata që kërkuan vijimësinë e pushtetit të vjetër. Vetëm duke e parë atë nën këtë optikë, ne, të gjithë bashkë, do të kemi një shans më shumë në betejën e gjatë, të dhembshme dhe të vështirë kundër varfërisë, kundër privimeve që jeton qytetari, i cili ende ndodhet në një shoqëri të papërkryer, refleks i tranzicionit të gjatë e të dhembshëm, refleks i një demokracie ende në përpjekje për të qenë evropiane. Si në Paris e Londër, për shembull.
LSI ka afruar kontribut maksimal në përpunimin e këtij dokumenti. Si një parti e majtë, në shtratin e saj natyral dhe nën rrobën e saj tipike të majtë, ajo ka përqafuar dy kolonat themelore të buxhetit, solidaritetin dhe sakrificën. Aleate serioze dhe e përgjegjshme, respektuese deri në limit i kontratave të saj politike, ajo ishte pjesë aktive e hartimit të dokumentit financiar, qoftë me trupën e ministrave të saj në qeveri, qoftë me grupin parlamentar në komisionet e veçanta. Përgjegjshmëri dhe seriozitet, seriozitet dhe profesionalizëm, profesionalizëm dhe maturi, ky ishte një kontributi i dukshëm, i prekshëm dhe konkret për të sotmen dhe të nesërmen e vendit. Situata në vend është e rëndë, por absolutisht jo e pakthyeshme në trasenë normale të zhvillimit. Dhe kjo do të ndodhë. Me vështirësi, por pa asnjë dilemë.
Edhe një nga amendimet e saj për uljen e barrës fiskale për biznesin fason, ishte i të njëjtës filozofi. Jo vetëm sepse garantimi i mbështetjes së këtij lloj biznesi të veçantë është i nevojshëm për vendin, jo vetëm për shkak të premtimeve politike në të shkuarën e afërt dhe të largët ndaj tij, as vetëm për shkak se të punësuarit në këtë biznes i kanë besuar në shumicë votën LSI-së, por edhe sepse ne e shohim këtë biznes si një gjenerator e karburant për të nesërmen e gjithë ekonomisë së vendit. Në punësim. Në rritjen e eksportit. Në ruajtjen dhe përmirësimin e ekuilibrave makroekonomikë.
Është një nga amendamentet më të debatuar në shumicën e sotme qeverisëse. Çfarë u bë publike, ishte shumë e shumë më pak sesa çfarë u diskutua me seriozitet dhe profesionalizëm, qoftë me partnerët tanë në qeverisje, qoftë me grupet e interesit. Duke marrë garancinë e plotë nga qeveria se paketa fiskale që ka lidhje me këtë biznes do të rishqyrtohet në pranverën e vitit të ardhshëm, duke mirëkuptuar në maksimum faktin që për momentin, ndryshimet në projektbuxhet janë të pamundura si rezultat i negociatave të mëparshme me FMN-në, nuk dua kurrsesi që një gjë të tillë, ta konsideroj si një fitore të LSI-së. Sepse ne nuk ishim në betejë me PS-në në këtë pikë, por ndodheshim në një anë dhe ishim pjesë e përbashkët e të njëjtit shqetësim. Votimi i dokumentit financiar kryesor të shtetit nuk është provë force dhe numrash, por është prova themelore e maturisë dhe pjekurisë së vetë klasës politike për të gjetur të përbashkëtën për bashkëpunim për hir të rëndësisë së posaçme të këtij dokumenti. Dhe këtë provë – LSI e dha edhe njëherë si përherë.
Dhe duke thënë këtë, nuk di nëse është më e udhës të qesh apo të qaj kur shoh që korri i skeptikëve sheh përplasje e fraktura në marrëdhëniet mes dy partive fituesve. Nuk di nëse duhet të qesh apo të qaj kur kasandrat e errëta që mendojnë me një kokë, por flasim me shumë gojë, as nuk e fshehin gëzimin e lig të shpresës: pas nesh qameti! As njëra dhe as tjetra. LSI nuk do të reshtë së afruari besim dhe optimizëm në financat publike dhe në klimën e të bërit biznes, si instrumente të pazëvendësueshëm për mënjanimin e efekteve imediate të krizës dhe frymëmarrjen e nesërme të të gjithë ekonomisë së vendit. Nuk do të reshtë së afruari mbështetje e përkrahje edhe për biznesin fason, që e ka përmendur së pari që në vitin e largët 2005. Ndaj, përkundër skeptikëve dhe kasandrave dua të them të fundit: po, kush beson tek ne, ka më shumë arsye për të qenë optimist. LSI është parti e fjalës së mbajtur edhe atëherë kur të gjithë kanë mbajtur frymën se çfarë do të bëjë LSI, kjo parti e ekuilibrit dhe maturisë.
Dhe çfarë kanë treguar këta tre muaj e ca të bashkëqeverisjes së LSI-së në shumicën e re të së majtës, dëshmojnë se çfarë mund të bëjmë edhe nesër. Do të bëjmë më shumë. Do të bëjmë më mirë, madje edhe si garanci e të majtës, të djathtës, por dhe të qytetarit indiferent nga politika.