Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur që të pezullojë nga detyra prokurorin e Pukës, Pëllumb Premçi dhe oficerin e policisë gjyqësore, Hasan Alia.
Vendimi i Llallës erdhi pas transmetimit të pamjeve në emisionin “Fiks Fare”, ky zyrtarët e drejtësisë implikohen në një çështje korrupsioni.
Prokurori i Përgjithshëm urdhëroi gjithashtu Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, njësinë Task-Force të kryejë hetime të plota për të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje. Ndërkohë ka reaguar edhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që i ka kërkuar prokurorisë që të hetojë sa më shpejt dhe në mënyrë të plotë këtë çështje.
KLD ka kërkuar që të hetohet nëse ka gjyqtarë të përfshirë në këtë ngjarje.
“Këshilli garanton opinionin publik se do të mbështesë dhe do të bashkëpunojë pa asnjë rezervë me çdo institucion shtetëror në hetimin objektiv ndaj çdo gjyqtari të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme apo korruptive”, thuhet në reagimin e KLD-së./ep