Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

“Fiks Fare” nis të zbërthejë super- skandalin në drejtësi/ 5 milion lekë për të ndryshuar një masë sigurie (FOTO)

$
0
0

Emisioni investigativ nis transmetimin e një historie tronditëse të korrupsionit në gjyqësor, nga shkalla e parë deri në shkallët e tjera. Pazari shkon shumë lart…

 

Pesë milionë lekë për të ndryshuar masën e sigurisë.

Kjo është shuma që ka paguar një qytetar për lirimin e secilit prej pesë të afërmve të tij.

“Fiks Fare” solli të martën fakte mbi mënyrën sesi funksionon sistemi i drejtësisë në vendin tonë.

“Fiks Fare” solli me zë dhe figurë fakte reale që tregojnë sesi hallexhinjtë përplasen dyerve të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të fituar lirinë e të afërmve të tyre.

Investigimi disamujor i “Fiks Fare” zbuloi një zinxhir sekserësh, të cilët kërkojnë para në emër të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Historia e një familjeje, 6 anëtarët e të cilës u arrestuan gjatë një proteste për bukën e gojës, zbuloi të gjitha hallkat e korrupsionit në sistemin gjyqësor.

Investigimi i “Fiks Fare” nisi tre muaj më parë pas denoncimit në këtë redaksi të një qytetari, i cili së bashku me pesë anëtarë të familjes së tij ishin arrestuar në 15 prill të këtij viti gjatë një proteste që ata bënë ndaj kompanisë së përpunimit të bakrit në Fushë Arrëz ‘BerAlb”

Ky qytetar kërkoi ndihmën e “Fiks Fare” për padrejtësinë që po i bënte gjykata dhe prokuroria.

Për ndryshimin e masës së sigurisë për secilin prej të arrestuarve në protestë, shuma që i kërkohej ishte 500 mijë lekë (të reja).

Në sorollatjen e tij dyerve të gjykatave të të tria shkallëve, disa sekserë dhe avokatë kërkojnë para në emër të gjyqtarëve për të ndryshuar masën e sigurisë për pjesëtarin e fundit të familjes së tij që ndodhet në burg.

Shuma përfundimtare për të liruar djalin e tij ishte 600 mijë lekë të reja.

Dëfrim Premçi është personi që ka luajtur rolin e ndërmjetësit për lirimin e këtij të arrestuari.

Ai pranon se 600 mijë lekë ia ka dhënë prokurorit të çështjes, i cili shumë shpejt- sipas tij- do të tërhiqet nga akuzat e ngritura.

Ndërsa avokati Fariz Xhuxhi pranon përpara kamerës së “Fiks Fare” se shuma prej 600 mijë lekësh i është dorëzuar prokurorit të çështjes dhe do i jepet pjesa edhe gjyqtarit.

Për të qenë më i besueshëm, avokati organizon edhe një takim me oficerin e policisë gjyqësore të këtij prokurori, Hasan Alia.

Ky i fundit del garant që është biseduar me prokurorin dhe se e kishin pasur shumë të vështirë që ta bindnin për të ndryshuar masën e arrestit për këtë person.

Në bisedat e transmetuara në “Fiks Fare” me video dhe figurë, sekretarja dhe kancelaria e gjykatës së shkallës së parë në një nga qytetet e Shqipërisë, pranojnë se dy anëtarët e familjes së qytetarit, janë liruar kundrejt pagesës prej 500 mijë lekësh të reja secili. Për të arrestuarin e katërt, ato pasi kanë marrë konfirmimin e gjyqtarit, i rekomandojnë që lekët t’i sjellë një ditë më pas pasi gjyqtari nuk ndodhej në gjykatë.

Gjithashtu gjatë bisedës me kancelaren e gjykatës, ajo pohon me gojën e saj se ka parë që të gjitha paratë që janë dhënë për ndryshimin e masave të sigurisë të të afërmve të qytetarit që u ankua në “Fiks Fare” janë ndarë mes gjyqtarit të çështjes dhe prokurorit të çështjes, madje sipas saj, kjo ka qenë edhe arsyeja që prokurori nuk ka ankimuar vendimin e gjykatës.

Ngjarjet që u transmetuan në “Fiks Fare” janë zhvilluar në shkallën e parë të gjyqësorit.

Në ditët në vazhdim investigimi i Fiks Fare do të tregojë se pazaret vazhdojnë më tej.

 

Biseda me sekretaren dhe kancelaren e gjykatës së shkallës së parë:

Kancelarja – Më tha mbaj letrat, mos i bëj konfirmimin, nesër vij unë në orën 9. 30 tha, n.q.s vjen Pali.

Qytetari – Nuk do bëjë konfirmim?

Kancelarja - Më ka thënë të mos e bëjmë konfirmim sonte, do e bëjmë sikur e ke bërë të dielën…

A ke folë me prokurorin ti?

Qytetari – Shiko si e kam punën, tani të flasim drejt më kupton apo jo, kam hallin e lekëve.

Kancelarja – Nesër i ka thënë Bardhës me ardhë.

Qytetari – Nesër.

Kancelarja – Po don me ia marrë Bardhes, nuk don me t’i marrë ty ajo.

Qytetari – Nuk don me m’i marrë mua ajo?

Kancelarja – Kështu ka thënë.

Sekretarja – Tani Pal jam duke hyrë direkt në temë. Unë kam folur dje me Shtjefnin dhe më ka thënë të dorëzoj njërin, kaq.

Qytetari – Jo mo si të dojë, por dua me nxjerrë djalin se më dhimbset se është me kriza.

Sekretarja – Do me nxjerrë djalin, do me lënë vëllain atje ti?

Qytetari – Njëlloj i kam si njërin si tjetrin, a më dëgjon? Dëgjo, unë kam hallin e lekëve, kush i merr?

Sekretarja – Lekët kam folë edhe me Bardhen, lekët i mbaj unë një ditë përpara se bëjmë gjyqin. Ose atë ditë që do e lejë Shtjefni, një orë përpara i fus lekët. Se si të marri lekët, nuk e vras mendjen ma.

Qytetari – Një ditë përpara. Nuk bëhet fjalë me i marrë sot?

Sekretarja – Nuk kam ku me i lënë, nuk kam ku me i lënë. Nuk kam ku i lë o Pal sot. Unë fola me Shtjefnin e më tha unë jam për Palin, për vëllain e vet.

Qytetari – Po tjetri kur del?

Sekretarja – Dëgjo Lilin, unë nuk e di kur del a kur nuk del tjetri, ai kështu më tha në telefon. Kam folë sot unë me të në telefon, më tha Liljana nuk bën të dy se ndoshta bën bujë more Pal… E tjetrin si të eci puna. Me 1 fillon puna, data 27 sot. A don Astritin?

Qytetari – Ku t’i lë lekët?

Sekretarja- kancelares – A po i mban ti këtu?

Qytetari – Jo këtu…

Sekretarja – Mirë, unë gjatë rrugës po marr në telefon kryetarin  që të më lërë datën dhe po i them se Pali e ka dorëzuar kërkesën  se ka thyer dorën nusja e Astritit dhe është shumë keq. Dhe ai më thotë bëj njoftime dhe unë të them Pal me datë kaq, ora kaq.

Sekretarja i drejtohet kancelares – Po lekët?

Kancelarja – I mbaj unë në kasafortë.

Sekretarja – Se nuk kam ku i lë lekët.

 

Qytetari – Lekët tani se i kam edhe të prokurorit komplet?

Sekretarja – Komplet.

Qytetari – Iku.

Kancelarja – Të kam thënë edhe atë ditë se i ka marrë si ai, edhe ai.

Sekretarja – I kanë ndarë bashkë, tak, tak, tak.

Qytetari – 10 milionëshin e kanë marrë, 5 njëri, 5 tjetri.

Sekretarja – Pash këtë ujë, që lahet i gjallë e i vdekur, po. Për kryet e katër fëmijëve, po. Pasha njat djalë se njat djalë kam, pasha kryet e djalit, sikur m’i ka dhënë kunata jote, 5 milion të parit, 5 milion të dytit. Dhe ja kam shkruajtur në shifra 2.500.000 prokurorit dhe 2.500.000 këtij (kryetarit të gjykatës). 2.500.000 atij, i kam dërguar katër zarfa ia ka shkruajtë kunata jote 25. Haram m’i bëftë Zoti.. Shete e beja Zotit dhe i kam thënë Bardhës futu brenda dhe thuaj a e ka marrë kafen.

Kancelarja – Vetëm se ka marrë lekët prokurori…

Sekretarja e kryetarit – Po i kam parë unë, vil-vil-vil kanë hyrë me çantë e ka dalë pa as… Unë jam mafie, por nuk foli, kam 21 vite që e bëj atë punë.

Sekseri Defrim Premçi

Sekseri Defrim Premçi

Avokati Fariz Xhuxhi

Avokati Fariz Xhuxhi

Oficeri i policisë gjyqësore, Hasan Alia

Oficeri i policisë gjyqësore, Hasan Alia


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>