Sot do rivarrosim Azem Hajdarin. 15 vjet pas vrasjes së tij, ndjehem i lehtësuar që më në fund ai do varroset në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Nga ana tjetër heq dhe një peng timin, që atë ditë që duhej varrosur, ishim të zënë me luftë dhe nuk e varrosëm dot siç duhej.
Por sot kisha një problem me Lulin.
Kishte marrë qysh në mëngjes kryeredaktorin e RD-së dhe i kish kërkuar gjithë fjalimet e Azem Hajdarit, botuar në RD, se i duheshin për fjalën përshëndetëse.
Kryeredaktori ishte vënë në siklet dhe i kishte thënë ‘nuk i gjej dot se nuk kam kohë’.
Luli ishte nxehur shumë dhe i kishte thënë ‘nëse nuk m’i bie për dy orë, je i pushuar nga puna’. Atëherë kryeredaktori ishte detyruar t’i thoshte ‘dakord, po fol me Doktorin një herë’.
Luli, pas kësaj ishte nxehur dhe më shumë.
-Ti je i infektuar nga armiqtë tanë, i kishte thënë, që nuk besojnë se unë jam kryetar i PD dhe për çdo gjë duhet të pyes Doktorin. Kjo nuk është e vërtetë. Unë me atë konsultohem vetëm për gjëra shumë të rëndësishme.
Kryeredaktori i RD, i vënë në siklet, i thotë përsëri që ‘kjo hyn tek gjërat e rëndësishme, ndaj konsultohu’.
Luli ishte nxehur shumë dhe më merr mua.
-Dëgjo Doktor, tha, nuk i lejoj ata të RD të tallen me mua.
-Çfarë ka ndodhur, i thashë.
-Ata tallen me mua, tha. Dhe për një porosi të thjeshtë të vogël, më thonë fol me Doktorin. D.m.th jo se unë nuk dua të të pyes ty, por jo dhe për tre fotokopje gazetash.
-Si është puna, i thashë, çfarë u ke kërkuar?
-U kërkova të fotokopjojnë fjalimet e Azemit që ka botuar RD, dhe më thanë dhe për këtë gjë të vogël fol me Doktorin. Bile u tallën se thanë që kjo është gjë e rëndësishme.
Nuk dija ç’t’i thosha dhe si t’ia shpjegoja. I thashë vetëm që kjo është vërtet e rëndësishme dhe duhet të ta shpjegoj.
Erdhi me vrap në zyrë.
-Si është puna, më tha.
-Puna është që Azemi nuk ka fjalime të botuara tek RD, i thashë. Ashtu ka qenë ajo kohë.
-Po mirë, tha, të më japin shkrime rreth Azemit, ça ka shkruar RD për Azemin.
-Shiko Luli, i thashë. Atëherë PD ishte uzurpuar nga një klan që donte të më armiqësonte mua me Azemin dhe kanë shkruar gjëra të ulëta për Azemin. I kanë thënë spiun Sigurimi, spiun i UDB-së, kapter i Frrokut, ushtar i Guçes, kontrabandist, trafikant, vrasës dhe plot epitete fyese. Unë nuk kam qenë kurrë dakord me to, por ti e kupton aspiratën time për shtypin e lirë. Më thoshin të gjithë pengoji këto sulme. Po unë s’mund ta bëja kurrë atë gjë. Si mund të frenoja unë shtypin e lirë, aspiratën më të madhe të shqiptarëve, të ndalnin kritikat mbi Azemin?
Respektova lirinë e tyre dhe i lashë të botohen. Por fatkeqësisht tani në arkivat e RD ka vetëm sulme dhe sharje për Azemin dhe asnjë fjalim apo shkrim pozitiv për të. Ndoshta ka diçka kur ka vdekur, por më parë nuk ka.
-E kuptova, tha Luli dhe uli kokën. Nuk i dija të gjitha këto. Kam pak nevojë të mësoj historinë e partisë. Po ju kërkoj ndjesë atyre djemve të RD se u keqkuptuam.
-Jo, s’ka problem, flas unë me ta, i thashë, se ndoshta janë bezdisur dhe nuk të hapin telefonin.
-Mirë, faleminderit shumë, më tha. Tani jam i qartë. Tani e kuptoj se socialistët qysh atëherë kanë dashur t’u mbyllin gojën demokratëve dhe të censuronin shtypin. Falë teje kjo gjë s’ka ndodhur. Ne duhet të jemi krenarë për këtë. Përpara!
-Përpara, i thashë dhe u ndava me dhembshuri me të.