Sot është një ditë e vështirë. Duhet me shku deri në Presidencë me çu dorëheqjen pa ardhë Piktori në zyrë.
Bujari më telefonoi qysh në mëngjes dhe më tha po të ishte nevoja, vinte ai tek unë.
E mendova një herë, por rojet më thanë se ashensori ka probleme dhe nuk ia vlente të humbitnim kohë.
U nisa dhe shkova vetë aty. Aty më prisnin gazetarët. U thashë gazetarëve se kam nisë një grevë heshtje 24 orë kundër Kodit të Heshtjes së Piktorit.
Më pyetën se çdo bësh 24 orë pa folur. U thashë ju do rrini katër vjet pa folur, unë 24 orë do të rri.
Më mirëkuptuan.
Pastaj hyra në zyrë. Njoftova Bujarin se kam fillu grevën e heshtjes, kështu që ai mund të thoshte çfarë të donte, por unë nuk do përgjigjesha.
Më mirëkuptoi. Mbajti një fjalim të zjarrtë.
-I dashur Doktor, tha. Ky është lajmi më i rëndë për mua në karrierën time politike. I kisha menduar të gjitha, kisha menduar dhe të sakrifikoja jetën për ty, por se do të vinte një ditë dhe unë do të firmosja dorëheqjen tënde nga kryeministër, këtë nuk e kisha menduar kurrë. Kjo gjë më bën shumë të vështirë vendimin e sotëm dhe pa diskutim kjo do të jetë dhe firma më e hidhur që do të hedh në jetën time. Kam firmosur plot dekrete për emërime e ç’emërime, por dorëheqja juaj nuk është dekret, por një kumt i zi që unë me dorën time u jap shqiptarëve. Ky është një nga defektet më të mëdha të demokracisë. Ju e keni quajtur dikur anëtarësimin tonë në NATO një mrekulli të lirisë, por dorëheqja juaj është një mizori e lirisë, një nga produktet më të këqija që na ka sjellë liria dhe demokracia në këtë vend. Si mundet që një popull mosmirënjohës, për të cilin ti ke shpenzuar 22 vite të jetës tënde në demokraci, plus dhe 22 vite në diktaturë, të ta shpërblejë kështu? Kjo është një pikëpyetje e madhe që do t’i japin përgjigje brezat që vijnë.
I nderuar Doktor Berisha!
Unë po e firmos këtë letër për shkak të detyrës, por ju siguroj se në zemrën time, në mendjen time, dhe gjithë qenien time, ju jeni i vetmi president i këtij vendi, i vetmi kryeministër i këtij vendi, i vetmi kryetar PD-je i këtij vendi, dhe i vetmi udhëheqësi ynë.
Shpallja e grevës suaj 24 orëshe është po ashtu një gjest shumë simbolik dhe një përgjigje e duhur dhe për mosmirënjohjen e shqiptarëve, e cila nuk të ka lënë vetëm ty pa fjalë dhe tekst, por gjithë ne bashkëpunëtorëve të tu dhe gjithë atyre që besojnë vërtet se këtë vend mund ta udhëheqësh vetëm ti!
I dashur Doktor!
Mua më ra fati i zi që të ngelem në pushtet pas teje. Ndonjëherë trillet e fatit janë të tilla që na bëjnë të gjithëve të pafuqishëm për të përballuar një barrë të tillë. Të jesh në pushtet pas teje, kur çdo orë pushteti në jetë e kemi pasur prej teje, do të thotë të lundrosh në një oqean ku s’ka ujë, të jetosh në një pyll ku s’ka pemë, të ecësh në një rrugë ku s’ka makina, të fluturosh në një qiell ku s’ka ajër. Ti ishe i vetmi që i jepje kuptim jetës sonë. Ikja jote është një dënim i madh për të gjithë ne që na le pas, mua, Lulit, Edit, bile dhe Joridës.
Heshtja juaj 24 orëshe është përgjigja më e mirë për këtë popull mosmirënjohës dhe për të gjitha ata që sonte duan të kënaqen me fjalët e tua duke ikur. Ik i qetë e i nderuar Doktor se ne do të na kesh përherë ushtarë të tutë, derisa Shqipërinë ta kthejmë sërish siç ishte, një vend i lulëzuar, me rrugët plot makina, me qiellin plot avionë, me detin plot vaporë…
Ju faleminderit shumë dhe më bëj hallall që jam i detyruar të hedh këtë firmë plot hidhërim mbi letër.
I juaji përjetë, Bujari!”
Ishte një fjalim shumë prekës. Kur ngrita kokën, gjithë stafi i tij po qante. Po qante dhe vetë Bujari dhe po i bënte shenjë sekretares t’i fshinte lotët. Qava dhe unë se nuk kishte lezet. Ishte një skenë shumë prekëse.
U çova dhe ika. Rrugës për në shtëpi shikoja njerëzit që ecnin të shkujdesur sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Me siguri akoma nuk e kanë marrë vesh, thashë me vete. Hyra në shtëpi. Dhe aty po qanin. E mbajta veten.
Mbesa mu afrua në prehër dhe më pyeti.
-Gjysh, po nesër ku do flasësh ti, do ma tregosh ça do bëhesh tani e tutje?
Tunda kokën në shenjë pohimi. Mbesa u gëzua dhe iu afrua motrës.
-A të thashë që gjyshi do bëhet si Ed Paloka?