Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Shënime nga Ditari i Doktorit: Dita e fundit në zyrë

$
0
0

Sot është dita e fundit në këtë zyrë. Fjalimi im prej 40 faqesh do të lexohet në mbledhje të qeverisë. Është një fjalim historik, do ua numëroj shqiptarëve gjithë arritjet e mia. Ka për t’i ndjekur mallkimi im brez pas brezi, por unë besoj nuk do arrij t’i shikoj më keq se sa sot, që ta përjetoj.

Thirra Gjergjin në mëngjes dhe biseduam për karrigen. Çështja e karriges është bërë shumë e ndjeshme pasi si PS dhe LSI kanë premtuar që do tallen me mua duke ma dhuruar karrigen me vete. Për këtë vendosa të marrim masat tona.

Porosita Gjergjin ta marr karrigen dhe ta çoj tek zyra ime në PD dhe në vend të saj të vendos një karrige imituese si ajo që kisha. Karrigia ime është e rëndë 40 kg dhe është me dru arre origjinal. Gjergji e mori seriozisht punën, por ishte në vështirësi se si do ta transportonte.

-Ka njerëz në korridor, tha, dhe po panë që iku karrigia, fillojnë e qajnë.

Kishte të drejtë në fakt. Nuk duhet të loz me ndjenjat e njerëzve që preken nga ikja e karriges.

Vendosëm ta ambalazhojmë në një kuti kartoni dhe të duket sikur është bibliotekë. Ashtu u bë. Erdhën e paketuan dhe e çuan tek furgoni. Gjergji porositi shoferin të bëjë kujdes se është dollap. Kur e kishin çuar tek SHQUP, shoferi duke ditur se ishte dollap, e kish ulur në tokë dhe ishte ulur sipër. Befas ishte zhytur në karton dhe kish parë që ishte karrige. I alarmuar kish marrë sekretaren time. I kish thënë kanë vjedhur karrigen e Doktorit dhe e kanë maskuar si dollap. Sekretarja ishte alarmuar dhe kish njoftuar Zenin. Zeni ishte mërzitur shumë dhe kish lajmëruar Lulin. Luli ishte mërzitur shumë dhe kish thënë “Olldashi e ka vjedhur. Ai i bën këto”.

-Jo, jo, i kish thënë Zeni, e ka marrë dikush gjoja ta çojnë tek zyra jote tek SHQUP.

Luli ishte tronditur shumë. Kishte shkuar urgjent tek SHQUP, kish ngarkuar karrigen dhe e ktheu në kryeministri. Unë me Gjergjin ishim ende në zyrë duke pirë kafe kur trokiti dera dhe hyri Luli dhe dy persona me karrigen në krahë.

-Çfarë po bën, i thashë.

-Duan të na fusin në sherr Doktor, më tha. Dikush ka vjedhë karrigen tuaj dhe e kishte sjellë tek ndërtesa e SHQUP që të mendohej sikur e kisha vjedhë unë. Mendoj se ndonjë ministër e ka bërë që do të na fusë në sherr.

Pashë nga Gjergji. Ai po buzëqeshte. Dhe unë po ruaja qetësinë. Luli po na shikonte si i çuditur që nuk na bënte përshtypje.

-Si të betohem Doktor, tha, që nuk kam dhënë asnjë porosi. Nuk di kush e kurdisi këtë djallëzi.

-Qetësohu, i thashë, s’ka problem, le të rrijë atje. Çojeni prapë aty ku e morët.

Luli ngriu për një moment. Ishte hera e parë që nuk qeshte.

-Më fal Doktor, tha, mendova se e kishin vjedhur.

-S’ka gjë, i thashë, po lere tek SHQUP, le të jetë atje.

-Patjetër Doktor, e çoj unë dhe nuk kam për të lënë të ulet njeri aty veç teje.

Zbriti shkallët me shpejtësi dhe urdhëroi dy punëtorët ta rikthenin prapë tek vendi. E ndoqa nga dritarja tek ikte në oborr. Shikonte karrigen dhe herë pas here kthente kokën pas. S’di pse ia prishi aq shumë terezinë ajo karrige, po duket djalë i mirë dhe i dëgjueshëm.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>