Nga Mero Baze
Për ngjarje të tilla, si ajo që pasoi masakrën mbi “Charlie Hebdo”, vëmendja nuk është gjithandej njëlloj. Fjala vjen, nuk përbën lajm që shtypi britanik ishte solidar me ta, as që Merkel vajtonte mbi supin e Hollande dhe as që danezët ribotuan karikaturat. Vëmendja, natyrisht në këtë rast drejtohej ndaj reagimit të botës myslimane dhe kombeve me fe të përzier, siç janë shqiptarët. Është kjo arsyja, që shqiptarët jo vetëm që duhet të ishin solidarë, por duhet të dëshmonin në Paris dhe në botë, se feja nuk është arsye për luftë. Mendoj se të dyja këto detyrime që kishim për imazhin e shqiptarëve, Edi Rama i realizoi falë dhe aftësive të tij regjizoriale.
Por, në të vërtetë shqiptarët nuk janë të gjithë dakord me atë që bëri Edi Rama. Ka kritikë të sinqertë të tij, që tolerancën fetare e quajnë vlerë të ateizimit dhe të tjerë që kritikojnë protagonizmin e tij politik në këtë histori, i cili është i pashmangshëm. Këta janë kritikë normalë. Ajo që është anormale në Shqipëri, është tinzaria me të cilën fshihet adhurimi për atë që ka ndodhur.
Disa portale online, edhe pse të papërfillshme, që flasin në shumicë në emër të opozitës qysh në fillim, i kanë mëshuar idesë së konsipiracionit rreth asaj që ka ndodhur dhe më pas kritikave ndaj abuzimit me lirinë e shtypit. Më shqetësues në këtë drejtim, mbetet një faqe e opozitës së Kreshnik Spahiut, e cila përveçse ngul këmbë se ajo që ka ndodhur është sajim shërbimesh dhe vazhdon teoritë e konspiracionit, nga ana tjetër revokon ngjarje kriminale, duke i paraqitur si konflikt fetar në Shqipëri, siç është vrasja e Sali Tivarit, një zyrtari të klerit mysliman, ekzekutuar në zyrën e tij në vitin 2003, për shkaqe ende të pazbardhura. Në këtë frymë ka dhe disa zëra të tjerë, që në përpjekje për t’i bërë opozitë qëndrimit të shtetit shqiptar në Paris, janë gati të kthejnë konspiracionin në realitet dhe të mbajnë një qëndrim tinzar pro asaj që ka ndodhur.
Këto janë shenja të qarta se ata nuk janë thjesht admirues të asaj që ka ndodhur, por më shumë se aq, propagandues të saj.
Një tjetër tezë, që kërkon të relativizojë qëndrimin e shtetit shqiptar në Paris, përveç kritikave ndaj regjisorit Rama, është trajtimi i kësaj mënxyre si cënim i lirisë së shtypit. Ngjarja ndaj “Charlie” prek deri në kockë lirinë e shtypit, por nuk është një reagim ndaj lirisë së shtypit. Ajo është qëndrimi i një bote të errët ndaj lirisë, dhe jo një zemërim ndaj shtypit. “Charlie” u zgjodh si viktimë jo nga bota myslimane, por nga terrorizmi. Dhe si të tillë, ata nuk janë thjesht heronj të lirisë së shtypit, por viktima të një beteje mes terrorizmit dhe lirisë. Shumë burra shteti që ishin në atë ceremoni, natyrisht kanë probleme me shtypin. Çdo shtetar në këtë botë ka probleme me shtypin, por relativizimi, se të gjithë ata që kanë probleme me shtypin, janë si ata që vranë, është një mbrojtje tinzare e tyre.
Në çdo variant, aty do të ishte kryeministri i Shqipërisë, edhe sikur të ishte Sali Berisha. Dhe çfarë do thoshim pastaj për atë monstër që ka burgosur gazetarë, që ka masakruar gazetarë, që ka gjobitur gazetarë, që ka dhunuar gazetarë, dhe që vazhdon të linçojë publikisht gazetarë, do thoshim që ne nuk jemi me “Charlie”, se na përfaqëson Saliu? Dhe pikërisht këta që kanë heshtur për krimet ndaj shtypit prej Berishës, tani janë bërë kaq sqimatarë, sa ta zhvlerësojnë nderimin e botës për “Charlie”, duke kujtuar se kanë probleme me lirinë e shtypit.
Bota nuk do t’ia vlente të tronditej, nëse ishte vetëm betejë kundër lirisë së shtypit. Bota u trondit, pasi pa se e keqja mbërriti në shtëpinë e tyre, ngaqë ata po e sodisnin se si po ndodhte në shtëpitë e të tjerëve. ISIS është tani një terrorizëm, që po formon shtetin e tij dhe Perëndimi po e toleron. ISIS është tani një fuqi terroriste, që po dikton rregullat dhe në botën Perëndimore. Ata kanë doktrinën e tyre të terrorit dhe ideologjinë e tyre, që mbështetet mbi njerëzit e dëshpëruar në këtë botë, dhe kjo ka alarmuar botën. “Charlie” nuk u godit pse është tallur me Profetin, por u godit si vlerë e Perëndimit dhe si një objektiv kundër të cilit është formuar kjo fuqi e re terrori.
Të mbrosh sot ISIS dhe atë që ndodhi në Paris hapur është e pamundur. Të vetmen gjë që mund të bëjnë ata që duket se janë dakord me atë që ka ndodhur, është ta relativizojnë të keqen që ndodhi, të gjejnë cene të atyre që demonstruan solidaritet në Paris, të shpikin teori konspiracioni që vrasësit ishin të policisë franceze, të bëjnë filma dhe teori konspirative mbi arsyet e kësaj maskare etj. Boll që e vërteta të mos jetë një dhe e vetme! Boll që ata që bëjnë gjeste kundër këtij akti terrorist, të mos quhen njerëz të pastër, me qëllim që të dy palët të bëhen pis! Kjo i kënaq ata që nuk mendojnë dot me zë të lartë pozitivisht për atë që ka ndodhur. Dhe nëse doni të gjeni në Shqipëri se kush është ndjerë mirë me atë që ka ndodhur, shikoni pikërisht këtë rreth shoqëror dhe politik. “Kritizerët” e solidaritetit me “Charlie” janë në të vërtetë adhuruesit e asaj çfarë ka ndodhur. Dhe nuk janë pak!