Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

JE SUIS SA(R)LI

$
0
0

BLEDINga Bledi Mane – Public Enemy

fb.com/bledi.mane

twitter.com/blediMANE

1./

Data 11 janar 2014

Ora 19:59 minuta

Vendi Tiranë

-Ja pra të nderuar teleshikues të televizionit Klan, ky ishte edicioni qëndror i lajmeve ku ndër të tjera ndoqët:

Edi Rama, kryeministri i vetëm evropian armik i besimeve fetare vonon qëllimisht ngritjen e xhamisë së re të Namazgjasë në Tiranë me arsyen absurde se ky komunitet nuk i dha votën më 23 qershor…

Nga unë Reiz Çiço natën e mirë dhe shikim të këndshëm të telenovelës turke në vazhdim “Bexheti i biri i Hekuranit”

2./

Parakaluan krenarë rrugëve të Parisit dhe fundja kishin të drejtë. Më bukur nuk kishte si ndodhte kur katër burra ashtu kryeneçë me atë çka përfaqësonin ecnin dhe shikonin në sy edhe metropolin edhe qytetarët që lotonin dhembjen. Katër burra që vinin nga vendi i vogël evropian me tolerancën e madhe fetare e meritonin atë honor por jo në rresht të parë.

Ishte një krutan i krishterë ortodoks, ishte një tiranas musliman sunit, një shqiptar kosovar i krishterë katolik dhe bashkë me ta një kolonjar musliman bektashi. Por ama pavarësisht se falen më këmbë a ulur, pavarësisht se e kanë të imponuar, të dhuruar apo të trashëguar besimin në Zot…nën lëkurë e në gjenezë janë e njëjta etni, e njëjta racë. Tolerancë brenda llojit dhe kaq mjafton.

Parakaluan krenarë mes Parisit sepse prej shekujsh nuk ua ka ndjerë as kishave dhe xhamive të tyre nëse ndonjëherë, dikush dikur ka predikuar latinisht, osmanllisht, greqisht apo italisht e arabisht. Gjithësesi kur shashkat e euforisë, privilegjeve apo qokave spontane janë sfumuar sërish ia kanë kërcitur muhabetit shqiptarçe e krushqitë mes tyre e kanë bërë më të vakët ndasinë. Nuk ua ndjen edhe nëse ndonjë vorioepiriot apo xhihadist i natyralizuar ka kërkuar të bëjë zhurmën e rradhës por këta eksponentë minorance kanë nxitur më tepër bashkimin e nuk ka nguruar të hahet e pihet për qejf edhe për Krishtlindje, Kurban Bajram, Sulltan Novruz apo Pashkë.

Ndaj ngulmoj se përfaqësuesit e komuniteteve tona fetare duhet të ishin në rreshtin e dytë. Bota protestonte qetësisht në Paris për lirinë e fjalës e të shtypit ngritur mbi kërcënime e vrasje fondamentaliste kur e kundërta ka ndodhur tek ne. Në historinë moderne shqiptare nuk ka pasur kurrë dhunë e gjak mbi fjalën e lirë nga asnjë komunitet fetar apo besimtar i vetëm madje edhe kur suniti Haxhi Qamil rrëmbeu sopatën e u nis nga Peqini drejt Tironës duke klithur “dum Babën, dum big borther”!

Madje, madje edhe gjatë pragut të luftës civile në pranverën e 1997-ës pavarësisht se komunitetet fetare u frikësuan e nuk bënë zë të ndalnin revanshin…

Feja dhe liria e shtypit në Shqipëri është thjesht një “deja vu” që fillon në janar me kafe e llogje e përfundon në dhjetor me dreka e darka gazetarësh. Këta të fundit, që shkuan në Paris thjesht u sollën keq e pa dinjitet. U rreshtuan në prapavijën e gabuar dhe duket sikur mëkatuan duke bërë pakt me djallin. Iu nënshtruan dëshirës sipërfaqësore të qeverisë e u mjaftuan me udhëtimin e fundjavës. E mbani mend klerin katolik shqiptar kur erdhi Papa Francesku në Tiranë? Iu derdh rrëfimit me lotë e me ngashëllim mbi persekucionin bolshevik. Pra nuk nguroi dhe e çliroi të kaluarën. Në Paris rreshtimi i gabuar i gazetarëve duket sikur pranoi bashkëfajësinë.

Në vend të klerit katolik duhet të ishte Nikoll Lesi që ia shkrumbitën redaksinë e gazetës “Koha Jonë’ Dhet të ishin edhe mirditorët lezhianë Sandër Frangaj dhe Martin Leka që u burgosën si ordinerë për fjalën e lirë. Me ta duhet të parakalonte edhe gazetari i dhunuar, i rrahur, i poshtëruar dhe i tjetërsuar Zamir Dule i cili vuan në vetminë e psiqikës së një regjimi mosrehabiltimin e një humani atje larg në fshatrat e humbura të Devollit.

Në vend të klerit ortodoks duhet të ishte Filip Çakulli me burgosjen e tij pse karikaturoi një lider politik, duhet të ishte Top Channel me gjobat e frikshme pse informon e argëton qytetarët e lirë të një vendi të lirë. Edi Rama duhet të rruhej e ti shfaqte botës shenjat e dhunës mbi buzë e nën buzë pse e masakruan si kafshë kafshët e një regjimi me të vetmen arsye se shkruante publicistikë kritike. Në vend të klerit bektashi duhet të parakalonte Mero Baze me shtypshkronjën e sekuestruar, redaksinë e dhunuar, automjetin e djegur, plagët e shkatuara nga eunukët e regjimit. Në vend të sunitëve duhej të ecte krenar poeti Xhevahir Spahiu me peshën e turpit që të le si njollë dhuna shtetërore. Duhej të sfilonte edhe Adi Krasta me gjurmët e gjakut mbi fytyrë e mbi emër pse fliste atë që mendonte e mendonte atë që ishte e shtrembër. Edhe Agron llakaj nuk duhej të mungonte sepse humori i tij u dhunua shumë para në kohë karikaturave të Charli-t, jo nga ekstremizmi fetar por nga provincializmi ekstrem politik.

E meqënëse po flasim për karikatura, më e papara ishte ajo e gjalla, karikatura reale. Në Paris qeveria kshte ftuar edhe Fevzon, Blendi Fevziun i cili nuk kishte arsyen më të vogël për të protestuar ndaj dhunës mbi fjalën e lirë. Blendi edhe kur i bënte “opozitë mediatike” regjimit deri më 1997-n asnjëherë nuk u kërcënua e nuk u dhunua sepse kurrë nuk shfaqej i vetëm pa nipin e shokut Hysni. Këtij të fundit Sa(r)li i detyrohej shumë jo vetëm për analizat e urinës por edhe për trampolinimin…

3./

Data 11 janar 2015

Ora 19:59 minuta

Vendi Tiranë

-Ja pra të nderuar teleshikues të televizionit Klan, ky ishte edicioni qëndror i lajmeve ku ndër të tjera ndoqët:

Edi Rama, kryeministri shqiptar mahnit Parisin. Mençria e një lideri evropian i tregon botës tolerancën jo vetëm fetare por edhe të qeverisjes së tij. Tolerancën dhe progresin global të një vendi që qysh pas zgjedhjeve të 23 qershorit por rilind shpirtërisht, kulturalisht dhe financiarisht…

Nga unë Reiz Çiço natën e mirë dhe shikim të këndshëm të telenovelës turke në vazhdim “Mazllëmi, djali i Bexhetit të Hekuranit”.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>