Nga Mero Baze
Ka disa ditë që po kthehet në një telenovelë përpjekja për ta paraqitur liderin e opozitës të kërcënuar nga një person me precedentë penal. Nuk dua t’i hyj teatralitetit të prodhimit të kësaj fabule, por rëndësisë që ajo ka për një lider politik, dhe sidomos për një lider opozite në këtë vend.
Politikanë si Lulzim Basha, të cilët janë emëruar në krye të partisë nga paraardhësi që është ende prezent, duhet të kenë të tjera objektiva politike për t’u shfaqur si udhëheqës të besueshëm. Aq më tepër si udhëheqës të kërcënuar.
Së pari, të jesh udhëheqës i kërcënuar nga mafia në një vend, duhet të bësh diçka kundër saj. Minimumi duhet ta prekësh në kallo. Shqipëria është e mbushur me veprimtari kriminale dhe korruptive, dhe Lulzim Basha vjen nga kjo histori. Ai drejton prej katër vitesh kryeqytetin, ku i ka hapur rrugë mafias së ndërtimit në çdo cep dhe është kthyer në një sekser të tyre. Ai nuk e ka pasur kurrë flamurin e luftës anti-korrupsion, pasi vjen nga një gjyq i pambyllur për 220 milionë euro, që janë konstatuar të humbura në buxhet nga Prokuroria për shkak të tij. Ai vjen po ashtu nga një vrasje e shëmtuar politike si ministër i Brendshëm më 21 janar, për të cilin ai është përgjegjës se u vra në emër të detyrës së tij. Në historinë e tij poliitike, ai nuk ka as gjeste dhe as profil të një njeriu që ka bërë qoftë dhe një gjest kundër mafias së çdolloj forme në Shqipëri. Përkundrazi, personi që ai e kërkon doemos si kërcënues, ka qenë një huligan që ka thyer tribunat e kundërshtarëve të tij dhe ka vënë tritol në dyer apartamentesh në fushatën e Bashkisë më 2011-ën. Por, edhe sikur ky fakt të mos ekzistonte, nuk ekziston fakti tjetër, që Lulzim Basha sot të ketë bërë një gjest, që të prekë mafian dhe ajo të egërsohet kundër tij. Atë nuk ka kush ta kërcënojë në këtë drejtim.
Së dyti, përpjekja për t’u shfaqur lider i kërcënuar, nuk është as elektorale në atë parti që drejton. Ajo është një parti e mësuar me përplasje, madje edhe me banda. Është një parti, që është ndeshur me elementë kriminal pas vitit 1997. Shumë militantë të saj janë vrarë për këtë dhe shumë lider të asaj partie janë kërcënuar dhe masakruar. Nuk mbaj mend njeri të ketë vënë këtë kujë groteske për kërcënim, të deleguar në celularin e një femre, që një dreq e di çfarë e lidh me Emiliano Shullazin dhe pse duhet t’ia niste asaj atë mesazh.
Vetë kryetari real i asaj partie është kërcënuar dhe qëlluar për t’u vrarë disa herë, por nuk ka qarë në publik. Për kërcënimet jo e jo që si ka treguar askujt, por dhe kur i janë bërë atenatate, ka pasur një lloj përmbajtje për të mos dalë të qajë sokakëve “O mami, ky më shau”.
Në këtë aspekt, profili i Lulzim Bashës si kryetar i asaj partie, në vend që të bëhet më burrëror, bëhet më qesharak dhe tejkalon çdo standart të të quajturit burrë.
Së treti, por që është dhe më e rëndësishmja, rreziku real Lulzim Bashës nuk i vjen as nga kërcënimet dhe as nga siguria fizike në këtë vend, por nga siguria me të cilën ai ka marrë atë detyrë dhe nga mos bërja asgjë. Duke qenë se ia kanë dhuruar atë post dhe duke mos menduar asnjë ditë të bëjë diçka për të lënë gjurmë si lider i asaj partie, Basha është i rrezikuar seriozisht si lider i opozitës, duke mos u bërë udhëheqës i saj, por menaxhues i frikërave të tij dhe tekave si djalë i llastuar. Opozita në Shqipëri është një rrugë e vështirë, e cila nuk ia del dot në krye me një djalurcin, që çdo mëngjes qan “O mami, ky më shikon më inat”. Vendi ka nevojë për një opozitë që të vrasë frikën dhe jo të qajë për frikën, një opozitë që të mposht demagogjinë e qeverisë dhe jo të prodhojë halle që nuk kanë lidhje me njerëzit. Opozita po u ofron sot mbështetësve të saj standarte që ata nuk ia kanë kërkuar dhe beteja që nuk u hyjnë në punë.
Dhe për ta bërë më qesharake frikën e tij, ka hyrë në lojë dhe qeveria. Duke forcuar mitin e njerëzve ordinerë dhe duke e shtyrë Bashën të besojë se është përballë një problemi real. Kanë dy ditë që kryeministri dhe kryetari i opozitës ankohen se kë ka kërcënuar më shumë ky Shullazi, a thua se ky është perëndia në këtë vend dhe këta të dy janë delet e tij. Por, nëse Ramës kjo nuk i prish shumë punë, se është në pushtet, për liderin e opozitës është qesharake të jetë pjesë e këtij debati. Njerëzit të vijnë pas jo kur u ankohesh se nga kush ke frikë, por kur ata që të kanë frikë, hapen nga rruga kur kalon ti. Ky profil që kërkon të ngrejë Lulzim Basha është i vetmi rrezik real për të si lider opozite. Rrezik i tij real është Sali Berisha, që i ka lënë peshqesh opozitën dhe Lulzim Basha, që akoma nuk e beson këtë.