Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë morën për vitin 2012 me qindra dhurata, në vlera të ndryshme, nga përfaqësues të qeverive të huaja, përfshirë edhe Shqipërinë, por shumica prej tyre u refuzuan.
Listën me dhuratat e refuzuara e bëri publik dje vetë Departamenti i Shtetit, i cili, sipas ligjit amerikan, publikoi zyrtarin të cilit i ishte adresuar dhurata, dhuruesin dhe vlerën e dhuratës.
Në krye të listës është presidenti Obama, pasuar nga ish-sekretarja Klinton, deri te kongresmenë dhe drejtues të agjencive qeveritare. Zyrtarët nga Shqipëria, presidenti Nishani, kryeministri Berisha, kryebashkiaku Basha apo gjeneral Xhemal Gjunkshi, shef i shtabit të Forcave të Armatosura bënë dhurata për ish-sekretaren e shtetit Klinton apo gjeneralin amerikan Dempsey.
Gjatë vitit 2012, Shqipëria u vizitua nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, e cila mori dhurata nga liderë të shtetit shqiptar. Klinton gjatë vizitës së saj në tetor, mori dhurata nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dhe Kryeministrin Sali Berisha, raporton “Shekulli”.
Presidenti i dhuroi Klintonit një stoli të punuar me filigran ari, që kap një vlerë prej 450 dollarë. Ndërsa Kryeministri, Sali Berisha i ka dhuruar Sekretares Amerikane, një kuti argjenti, me vlerë 400 dollarë. Dhuratë nuk mori vetëm Klinton, pasi kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha vendosi t’i bëjë dhuratë zëdhënëses së Klintonit, Viktoria Nuland.
Bëhet fjalë për një gjerdan me perlë që ka një vlerë prej 390 dollarë. Në listën e dhuratave nga Shqipëria për zyrtarët amerikanë bën pjesë dhe një dhuratë për gjeneralin e ushtrisë amerikane, Martin Dempsey, dhuratë të cilën e ka marrë nga gjenerali, Xhemal Gjunkshi.
Ajo është një shpatë me vlerë 460 dollarë. Të gjithë këto dhurata bujare të zyrtarëve shqiptarë për zyrtarët amerikanë nuk janë pranuar. Kjo pasi ato janë cilësuar të papranueshme nga Shërbimi i Administratës, për shkak se vënë në vështirësi qeverinë amerikane.