Egjiptianti i arrestuar në Kapshticë, El Sayed Ali Ahmed El Ezabi, kërkon azil politik në Shqipëri.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Brendshme, sipas te cilave, i dënuari në Egjipt me 24 vjet burg për “grusht shtetit” kërkon që mos të ekstradohet drejt vendit të tij.
Mësohet se kërkesa është dorëzuar pranë drejtorisë së azil kërkuesve në Ministrine e Brendshme, raporton ABC News.
Burimet thonë se gjatë parashtrimit të kërkesës egjiptiani El Ezabi ka qenë i shoqëruar nga ish-prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Theodhori Sollaku, me cilësinë e avokatit mbrojtës.
Mësohet se kërkesa është argumentuar për faktin se në Egjipt, ai është dënuar për shkak të bindjeve politike dhe angazhimeve të tij për të rikthyer në pushtet presidentin e rrëzuar me anë të grushtit të shtetit Muhamed Mursi.
El Ezabi pretendon se procesi gjyqësor ndaj tij ka qenë politik dhe nëse ekstradohet në Egjipt i rrezikohet jeta.
SIpas urdhërit të Interpolit, të lëshuar nga drejtësia e Kajros, El Sayed Ali Ahmed El Ezabi rezulton i dënuar në prill të këtij viti me 24 vite burg.
Ai akuzohet për akte terroriste, vrasje me paramendim, pjesëmarrje në grup të armatosur, kërcënim personash, vandalizëm dhe armëmbajtje pa leje.
Këto akuza, sipas vendimit, janë konsumuar gjatë periudhës 16 deri më 23 gusht 2013 në Port Said të Egjiptit, kohë kur janë organizuar mbështetësit e ish-presidentit Muhamed Mursi, për rikthimin e tij në pushtet pas grushtit të shtetit.
Arrestimi i tij është bërë nje jave me pare në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në momentin që El Ezabi bashkë me bashkëshorten dhe një mikun e tyre po hynin në Shqipëri.
Pas arrestimit, për llogari të drejtësisë së Egjiptit, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 40 ditor për El Ezabin, kohë kjo qe i eshte vene ne dispozicion organeve te drejtësise se Kajros të sjellin kërkesën për ekstradim./b.l