Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vangjel Dule i ka cilësuar reformat e ndërmarra nga Qeveria Rama si të dështuara. Dule u shpreh se këto reforma janë pa fillim, pa mes dhe pa fund.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e tetë të OMONIA-s në Gjirokastër, Dule tha se kauzat e kësaj qeverie janë të kompromentuara nga klientelizmi.
Sipas kreut të PBDNJ-së, qeveria ka dështuar edhe me minoritetet, pasi janë bërë hapa prapa sa u përket të drejtave të tyre në vend.
Nga Gjirokastra, Dule ka thënë se partia që ai drejton në bashkë me organizatën OMONIA, nuk kanë dalë ende me nje vendim përfundimtar rreth reformës së re territoriale.
Sipas tij, qeveria shqiptare me reformën territorialo-administrative përfshirë edhe disa reforma të tjera jo te rëndësisshme, dëshmon mungesë vullneti dhe ka shënuar hapa pas në respektimin e të drejtave të minoriteteve etnike.
“Ky nuk është vizioni që na kishte bashkuar veçanërisht me zotin Rama gjatë viteve të opozitës. E kundërta në kishte bashkuar çka ishte vizioni për shtetin e së drejtës, respektimin e të drejtave të çdo qytetari në përgjithësi e në vecanti respektimi i të drejtave të minoriteteve”, tha Dule.
Kreu i PBDNJ tha se do të jetë këmbëgulës në vazhdimësi për ndërgjegjësimin e qeverisë e se kjo reformë duhet rindërtuar sërish. /gj.k/