Kukësi provoi të pamundurën por nuk ia doli mbanë të bënte historinë në transfertën turke ndaj Trabzonspor. Me krenarinë që i karakterizoi gjatë ecurisë në Europa Ligë, formacioni i Armando Cungut hyri në fushë me bindjen se nuk kishte asgjë për të humbur. Trajneri i nënkampionëve hedh pothuajse të njëjtin formacionet me takimet e tjera, me ndryshimin e vetëm se në të djathtë luan titullar Dritan Smajli. Në sulm Popovic është i vetëm, me Prognin dhe Hoxhën që mbështesin në krah. Dhe pa u nxehur mirë lojtarët në fushë, është serbi që në minutën e 11 dërgon kartolinën e tij për turqit duke shënuar golin e parë. Kuksianët në delir, gjendje që zgjat shumë pak, vetëm 3 minuta pasi braziliani Paulo Henrique vendos barazpeshën. Kukësi kërkon disa herë të rigjejë avantazhin, por porta e Kivrak mbetet e paprekur.
Madje Trabzonspor tregohet e rrezikshme me francezin Malouda, që mbetet rreziku kryesor për mbrojtjen e Kukësit. Është pikërisht ish futbollisti Chelseat që i jep epërsinë turqve në pjesën e dytë në minutën e 54. Takimi mer vetëm një drejtim dhe 10 minuta pas golit të dytë vjen dhe i treti. Është braziliani Paulo Henrique ai që plotëson dygolëshin personal duke vulosur dhe rezultatin përfundimtar. Me këtë humbje mbyllet aventura e Kukësit në debutimin evropian, ku nënkampionët e sezonit të kaluar shkruan historinë në futbollin shqiptar me kalimin e tre tureve në kompeticionet evropiane, gjë që s’kishte ndodhur kurrë më parë. Megjithatë Kukësi ka një shpresë për të shkuar në fazën e grupeve të Europa League, pasi Uefa ka vendosur se vendi i lënë bosh nga skualifikimi i Fenerbahce do të zgjidhet me short nga skuadrat e eleminuara në fazën Play-off./SS