Publicisti Kim Mehmeti, duke e komentuar vizitën e Edi Ramës Serbi, ka theksuar se shefi i qeverisë shqiptare u ka përcjellë porosinë politikanëve serbë, se kanë “vdekur” politikanët inferior shqiptarë.
Ai ka thënë për Telegrafin se “nuk kishte si mos të ndjeheshin të ‘provokuar’ mikpritësit e kryeministrit shqiptar në Beograd, ngaqë për ata ai ishte si pasqyrë e ndritshme ku shihen vlerat civilizuese e njerëzore të popullit që përfaqësonte, pasqyrë nga e cila projektuesit e antishqiptarisë nuk mund ta fshihnin fytyrën e tyre të deridjeshme monstruoze”.
Ai ka thënë se Rama ishte “provokues” për serbë, ngaqë ai kishte një argument të pamohueshëm dhe shumë civilizues, që atë e lartësonte aq sa e bënte të paarritshëm për bashkëpunëtorët e deridjeshëm të Millosheviçit: mospasjen e ngarkesës se ishte një përfaqësues i popullit me varreza masive me nëna, fëmijë e civilë të masakruar, vetëm sepse ata nuk ishin serbë.
“Rama më së shumti i ‘provokoi’ serbët me porosinë më të rëndësishme që u përcolli atyre: se kanë ‘vdekur’ politikanët e deridjeshëm inferior shqiptarë, ata të cilët përuleshin përpara kolegëve të tyre ballkanas”, ka deklaruar Mehmeti për Telegrafi./b.l