Berisha e përvëloi këtë tokë! Tokë më të djegur se kjo Sali Berisha la pas vetëm në vitin 1997!
Dëgjova dje me shumë vëmendje deklarimet publike të ministrit të Financave në detyrë. Por njëherësh sapo pashë Treguesit Fiskale “Janar- Korrik, 2013″ të prodhuar nga Ministria e Financave. Për fat të keq, treguesit përgënjeshtrojnë ministrin, madje dëshmojnë se ai gënjeu në më shumë se një rast. Ja përse:
Së pari, sipas treguesve, rezulton e provuar se qeveria e Sali Berisha nuk ka zbatuar ligjin për buxhetin e shtetit, duke krijuar një situatë të rëndë financiare.
Kështu, të ardhurat nuk janë realizuar sipas ligjit dhe mungojnë 115. 000. 000 dollarë. Vetëm në të Ardhurat Tatimore mungojnë 146. 000. 000 dollarë. Të ardhurat nga tatimet e doganat mungojnë 131. 000. 000 dollarë.
Tamam këtu, tek Tatimet e Doganat është bërë batërdia:
Në TVSH mungojnë 76. 000. 000 dollarë;
Në Tatim Fitimi mungojnë 5. 000. 000 dollarë;
Në Akcizë mungojnë 36. 000. 000 dollarë;
Në Taksa Nacionale mungojnë 14.000. 000 dollarë.
Kjo dëshmon qartë se administrate fiskale e qeverisë ka krijuar një deficit skandaloz në të ardhura, deficit që ka vënë në vështirësi serioze buxhetin e shtetit.
Së dyti, ministri i Financave tha dje se ky deficit në të ardhura është krijuar nga pushteti vendor. Kjo është gënjeshtër. Nga të dhënat e Ministrise së Financave, Plani i te Ardhurave nga Pushteti Vendor ka qenë:
75. 000. 000 dollarë.
Fakti i të Ardhurave nga Pushteti Vendorëeshtë:
64. 000. 000 dollarë.
Pra, mosrealizimi i të ardhurave nga pushteti vendor është vetëm 11 milion dollarë, ose 12 herë më i vogël se mosrealizimi i të ardhurave nga administrata e qeverisë.
Së treti, të gjithë treguesit dëshmojnë se viti 2013, nga pikëpamja e treguesve fiskalë, është më keq se viti 2012.
Kështu:
Të ardhurat janë 48 milion dollarë më pak se në 2012;
Të ardhurat Tatimore janë 54 milion dollarë më pak se në 2012;
Të ardhurat nga Tatimet dhe Doganat janë 53 milion dollarë më pak se në 2012.
Krahasimi me 2012 tregon qartë “Tokën që po digjet”.
Së katërti, ministri i Financave tha dje se ky deficit është krijuar edhe nga mosreflektimi në buxhet i favoreve fiskave që qeveria bëri pak para fushatës elektorale. Kjo është një dëshmi e qartë se si financat publike u përdorën për të favorizuar një grusht klientësh apo se si financat publike u përdorën për qëllime të fushatës elektorale. Megjithatë, kjo është një e vërtetë pergjysëm, sepse gënjeshtra merr gjysmën tjetër.
E vërteta është se deri në 10 ditëshin e parë të qershorit nuk kishin hyrë në zbatim favoret fiskale edhe për shkak të vonesës së udhëzimeve të ministrisë për aplikimin e tyre. Favori fiskal i miratuar në prill për TVSH-në e imputeve bujqësore u anulua në maj dhe nuk pasti asnjë efekt. Fatura e këtyre favoreve fiskale me bazë vjetore, paraqitur në Kuvend është shumë më e vogël se deficit në të ardhura i krijuar në tre muaj.
Megjithatë, unë e ftoj ministrin e Financave të publikojë listën me emrat e përfituesve nga këto favore fiskale, veçmas nga TVSH, si dhe shumat përkatëse për secilin.
Së pesti, ministri i Financave tha dje se deficit nuk është problem dhe është krejtësisht i menaxhueshëm. Në fakt nuk është kështu.
Deficiti reflekton qartë mosrealizimin e të ardhurave, nevojën shumë të madhe për shpenzime elektorale të Qeverisë, veçmas në investime publike që nuk mbarojnë prej 5 vitesh, duke sjellë nevojën shumë të lartë për të marrë borxh.
Qeveria e ka “djegur fare” me Huamarrjen e Brendeshme. Plani vjetor i huamarrjes ishte 280 milion dollar. Fakti i 7 muajve është 247 milion dollarë.
Pra, në vetëm shtatë muaj, qeveria ka marrë 88.3% të borxhit të parashikuar në gjithë vitin. Ministri tha dje se ka ndodhur kështu jo për qëllime elektorale, por një strategji e mirëmenduar për të ulur kostot e borxhit.
Por, është për këtë gënjeu. Viti 2012 e nxjerr zbuluar. Gjatë 2012 nuk ishte kjo strategji. Huamarrja e Brendeshme në 7 muajt e parë të 2012-tes ishte vetëm 150 milion dollarë! Pra, 64.4% më e vogël se në vitin e strategjisë, vitin electoral 2013. Ka ndodhur kështu vetëm në vite elektorale, 2009, 2011, 2013. Treguesit fiskalë e dëshmojnë këtë.
Së fundi, ministri i Financave tha dje, gjithnjë në funksion të argumentimit se kjo nuk është “tokë e djegur”, se buxheti i shtetit me suficit primar. Edhe kjo është gënjeshtër. Buxheti i shtetit është me deficit primar, madje me më të madhin deficit primar të viteve të fundit.
Ndërkohë, edhe treguesi i kursimit publik është negativ, dëshmon se po merren para borxh jo vetëm për investime publike, por edhe për shpenzime të tjera të qeverisë.
Treguesit në vite dëshmojnë se ka qenë kështu vetëm në vite elektorale, 2009, 2011, 2013. Dhe nuk ka qenë kështu në vitet 2010, 2012. Kjo është e vërteta që nxjerr zjarr. Më keq se kaq nuk ishim dhe qëllimi electoral e bëri kaq keq.