Deputetja e LDK në Kosovë, Alma Lama, ka marrë një kërcënim me vrasje.
Kërcënimi i saj është bërë në rrjetin social Facebook nga ana e një komentuesi, pas publikimit të artikullit në Indexonline, që qeveria turke po e financon radikalizmin islam në Kosovë.
Në një intervistë telefonike për Ora News, deputetja Lama thotë se nuk është hera e parë që është kërcënuar, dhe sipas saj, kërcënimi është bërë në mënyrë që ajo të mos flasë në lidhje me këtë çështje.
“Janë nga ato kërcënimet e shumta që unë kam marrë prej një viti, që kur e kam ngritur zërin kundër depërtimit të radikalizmit islamik në Kosovë. Këtë kërcënim e kam denoncuar në polici dhe kam kërkuar nga organet e rendit që të merren me të sepse jemi në një situatë që kushdo që fle,t gjendet nën sulmin e njerëzve që ose janë të inkriminuar ose janë trushpëlarë. Në fakt në këtë rast është kjo e dyta, ku njerëëz të cilët nuk i kuptojnë proceset, por që janë pjese të kësaj ideologjie, me dashje apo padashje marrin përsipër që të kërcënojnë këdo që flet kundër kësaj rryme. Kohët e fundit policia ka marrë aksione, dhe ka arrestuar 70 persona mes tyre edhe imamë radikalë të cilët janë ata burimi i frymëzimit dhe indicjes së kësaj ideologjie. Unë kam pasur kërcënime vazhdimisht, herë publike dhe hërë jo publike, qëllimi ka qëne zmbrapsja që unë mos flas për këto çështje, por unë i jam drejtuar policisë që ata persona te hetohen”, u shpreh Lama.
Deputetja e Kosovës ka deklaruar se është ndier e rrezikuar, madje ajo ka kërkuar edhe mbrojtje në polici. Pavarësisht kësaj, Lama shprehet e bindur se nuk do të heshtë në lidhje me këtë fenomen.
“Unë shpesh jam rrezikuar dhe kam kërkuar mbrojtjen e policisë, por kjo nuk do të thotë që unë duhet të hesht për shkak të frikës, sepse në fakt është kjo se çfarë kërkojnë kush do që e ngre zerin të heshtë, dhe ata të vazhdojnë punën e tyre pa u penguar nga askush.”