Kryqyteti i vendit u gdhi pa makina në rrugë, por me mijëra besimtarë dhe qytetarë të devotshëm, që kishin sfiduar bezdinë e sigurisë policore dhe kishin mbërritur në Bulevard. Mijëra të tjerë ndenjën në shtëpi, duke e ndjekur nga televizioni gjithë ceremoninë maratonë 11 orëshe dhe askush nuk u bezdis.
Presidenti i Republikës mu duk më mirë me shendet dhe më orator në fjalimin e tij, që më mbajti në ankth deri në fund mos këpuste ndonjë kumbull. Kryeminstri, që e ka zanat imazhin, shkëlqeu nga mëngjesi në mbrëmje. Edhe Sali Berisha aty në rresht të dytë ngjante si tigër i zbutur në kafaz. Lulzim Bashës i lexohej qartë mundimi të siguronte një takim në këmbë tek shkallët, sa për t’i dorëzuar një çelës të Tiranës, por prapë nuk të bezdiste. Shiu që tentoi të prishë dy herë meshën dështoi, pasi askush nuk u largua nga bulevardi.
At Troshani që rrëfeu torturat e tij në burgjet komuniste ngjante sikur kishte merak se mos u bënin kujt keq nga ata që i kanë bërë keq. Tri autoritetet më të larta të klerit në Shqipëri, kryemyftiu i vendit, kryepeshkopi i Kishës Ortodokse dhe kryegjyshi i bektashinjve, ngjanin sikur ishin katolikë me veshje të ndryshme. Papa Françesku si me magji i ktheu të gjithë në ëngjëj për 11 orë.
Media po ashtu ishte e jashtëzakonshme. Vizitën mund ta ndiqje nga çdo kanal televiziv dhe deri në faqe interneti.
Mijëra gazetarë të huaj që raportonin nga Tirana i ranë shkurt, duke theksuar harmoninë fetare në vend. Në një kohë që bota po tronditet nga luftra me bazë fetare, vendi ynë i vogël ka fatin të ekspozojë si një diamant të rrallë tolerancën fetare dhe bashkëjetesën e shkëlqyer mes njerëzve me besime të ndryshme. Fotoja e tre klerikëve tanë të lartë përballë Papës është një ikonë botërore.
Gazetarët e huaj ikën bashkë me Papën. Nesër Shqipëria do të jetë një vend më i pëlqyer për botën, dhe ata do të marrin me vete imazhin e një populli të ri, entuziast dhe të dashur.
E di që të gjithë kanë në majë të gjuhës një pyetje themelore që shtrohet në këtë histori. A është toleranca dhe martirizimi, dy vlera aq shumë të theksuara gjatë vizitës së Papës, realisht identiteti ynë perëndimor? Për 11 orë rresht, klasa politike, qyetarët, media dhe kushdo tjetër u sollën sikur të ishin perëndimorë. Kjo nuk është pak. Është mbi të gjitha vetëdije se duhet të jemi perëndimorë. Është së paku një dëshmi se asksuh nuk ka dilema për orientimin e Shqipërisë. Në një moment të turbullt të historisë, siç është ky që po kalojmë, një demonstrim kaq i qartë i prirjeve perëndimore të kombit tonë, është një vlerë. E di që ka plot kritikë që e konsiderojnë këtë shtirje kolektive dhe e ilustrojnë me sherret banale të politikës, kurthet e vogla ndaj njëri- tjetrit, dhe shpesh kacafytjet primitive. E di që ato do vazhdojnë të ndodhin nesër e në vazhdim. Por, ato janë përditshmëria e një vendi ende me probleme, por që e ka të qartë rrugën e tij. Nëse ka ndonjë gjë që e motivojnë interesat e ngushta, janë pikërisht ato sherre dhe intoleranca primtive që shfaqen në jetën tonë. Kjo që ndodhi sot është një akt që e tejkalon interesin personal. Askush nuk u shtir për t’iu dukur Papës më i mirë, por të gjithë bashkë për t’iu dukur botës më të mirë. Një vend i vogël si i joni, ka nevojë ende të pranohet. Ky nuk është nacionalizëm, por qartësi. Dhe sot për 11 orë kemi bërë një përpjekje të lavdërueshme për t’ia dalë mban si një komb europian. Në mos qofshim tolerantë dhe martirë në çdo episod të zhvillimit të shoqërisë sonë, jemi së paku të qartë se dikur duhet të jemi të tillë. Së paku dëshmuam se e dimë se toleranca dhe martirizimi janë dy pasuri tona në rrugën drejt Evropës. Nuk është pak të bashkohesh për të njohur dhe mbrojtur vlerat e tua. Qoftë dhe për 11 orë.