Nga Arbana Xharra*
Vizita e Papa Françesku përçoj mesazhe të shumta për miliona shikues nga mbarë bota që ditën e djeshme kishin drejtuar sytë kah Shqipëria. Vend ky që tash vonë fitoj statusin kandidat për në BE, shteti më i varfrit në Evropë, i prirë të zë vend nëpër mediat e huaja jo aq për të mirë por kryesisht për skandale, priti madhërishëm Atin e Shenjtë. Fotografia e ditës, kishte në sfond klerikët fetar shqiptarë të të gjitha religjioneve në pritjen e Papës. Harmonia ndërfetare, në një shtet me mbi 50 për qind mysliman, ishte mesazhi më i fortë që dha vizita e Papës në Shqipëri. Derisa dhjetëra mijëra shqiptarë jo të gjithë të krishterë që pritën mahnitshëm Papen i cili doli edhe jashtë protokollit për të përshëndetur nga afër turmën e njerëzve, ju përgjigj më së miri propagandës anti-shqiptare se “ISIS ka mundësi ta vras Papën gjatë vizitës së tij në Shqipëri”.
“Miliarda njerëz në botë kanë mundësi të mësojnë ose rimësojnë se nobelistja e Paqes dhe shenjtorja e Vatikanit është një shqiptare. Në asnjë rrethanë tjetër kjo gjë nuk do të mund të ngulej në memorien e botës kaq shpejt dhe thjeshtë se sa nga ulja e Atit të Shenjtë të dielën në aeroport dhe udhëtimi drejt këtij sheshi për të mbajtur një meshë. Vetëm dikush që vjen nga lart, ta zbulon kaq thjeshtë dhe ta ndriçon kaq mirë historinë tënde”, spikat aq bukur rëndësinë e vizitës së Papës, në shkrimin tij gazetari nga Shqipëria Mero Baze. Derisa një nga agjencitë më kredibile ndërkombëtare të lajmeve “Reuters”, nxjerr në faqet e saj një detaj shumë të rëndësishëm të kësaj vizite, ajo flet për bashkimin që i bëri Papa Françesku kundërshtarëve politik në Shqipëri. “Reuters” shkruan se Papa Françesku, ende pa ardhur në Shqipëri, i ka bërë asaj një mrekulli të vogël: Ka nxitur bashkëpunimin ndërmjet forcave politike kundërshtare që të bashkohen për të rikonstruktuar një nga sheshet kryesore të Tiranës.
Ky titull dhe pak fjalë të shkrimit të saj, mjaftuan për të rikujtuar primitivizmin politik në vend, dhe nevojën për bashkimin e tyre. Mentaliteti provincial që me vite të tëra ka drejtuar shtetin shqiptar është i njohur edhe ndërkombtarisht. Drejtuesit e shtetit të cilët kryekëput për interesa personale kanë instaluar tashmë mentalitetin e prapambetur politik që po përcillet me gjenerata, bëhen lajm për mediat e huaja që bashkërisht organizuan pritjen e Papës në ditën historike të saj. Primitivizëm politik, fatkeqësisht i njohur shumë vjet më parë edhe gjatë historisë 100 vjeçare të shtet ndërtimit të Shqipërisë pasojat e së cilës bartën në regresin e integrimit.
Dje të tubuar në një sallë të presidencës, ulur afër njëri tjetrit kasta politike e cila fatkeqësisht e ka normalitet që kundërshtarin e vet politik pafundësisht ta degradoj në mënyrën me denigruese, përpara kamerave në pritje të Papës na u shfaqën si politikan bashkohorë dhe modernë e të ngritur intelektualist. Por janë këta politikanë që vuan nga mentaliteti primitiv që në esencën e funksionimit të tyre vazhdon të mbetet provinciale. Papa bashkojë politikanë që në pamje dhe sidomos nga veshja dhe luksi duken bashkohorë, por që në realitet janë bartësit më besnik të provincialitetit politik.
Shqipëria u shfaq Evropë, Papa i dha mundësinë që këtë shtet ta njohin miliard njerëz nga mbarë bota, tash i mbetet krerëve të saj ta drejtojnë këtë vend kah vlerat që i njeh Perendimi!
*Kryeredaktore e gazetes Zeri, Prishtine