Ish- ministri i Mbrojtjes, përmes ish- Sekretarit të Përgjithshëm të ministrisë, Edvin Kulluri, i ka vënë në dispozicion dy helikopterë të ministrisë për këngëtaren Zajmina Vasjari, e cila ka prodhuar një videoklip për këngën e saj
Tema
Këngëtarja Zajmina Vasjari ka pasur në dispozicion të saj, dy helikopterë të markës AB- 205 të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, për të realizuar vidoklipin e një kënge të saj në prill të vitit 2013. Ish- Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, ka marrë prej zonjës Vasjari një kërkesë formale më 18 prill të vitit 2013 dhe brenda ditës i ka plotësuar kërkesën.
Zajmina Vasjari i ka kërkuar përmes shkresës Nr 3171 datë 18 prill 2013, vënien në dispozicion të saj të dy helikopterëve të ushtrisë shqiptare.
Më poshtë shkresa e plotë.
Brenda ditës Edvin Kulluri, me shkresë 3171/1 i ka kërkuar Regjimentit të Helikopterëve në Farkë, të vihen në dispozicion të kompanisë private, përmes të cilës Vasjari do realizonte videoklipin e saj.
Pas kësaj shkrese, ish- Komandanti i Forcës Ajrore, Dhori Spirollari, përmes një mesazh faksi nr. 200 datë 26 prill 2013 urdhëron dy helikopterët AB- 205 të kryejnë fluturime stërvitore dhjetë minuta në lartësi 30 metra. Ai udhëzon mundësinë e realizimit të një procedure varjeje helikopteri, në interes të realizimit të këtij videoklipi, duke pasur parasysh rregullat e filmimit në zonat e klasfikuara.
Pas kësaj Zajmina arrin të përdorë dy helikopterat për të realizuar videoklipin e saj.
Skandali është mes të tjerash se Ministria e Mbrojtjes ka fshehur raportimin për këtë veprimtari dhe informacioni i vetëm gjendet në komunikatën e repartit të Farkës nr. 451/7, datë 29 prill, ku shkruhet se u krye fluturimi stërvitor me dy helikopterë AB- 205, të cilët u vunë në dispozicion të kompanisë “Max produksion” në zbatim të mesazh faksit nr. 200, datë 26 prill 2013 në 6 misione për tre e dhjetë minuta
Nuk ka pasqyrim të këtij aktiviteti as në urdhrat e fluturimit.
Shkeljet e ligjit
Shkelja e parë e ligjit ka të bëjë me tejkalim të kompetencave të Sekretarit të Përgjithshëm, duke iu drejtuar direkt repartit 3006 dhe jo Shtabit të Përgjithshëm ose Komandës Ajrore dhe pa miratim nga Ministria e Mbrojtjes.
Një tjetër shkelje e rëndë është se nuk rezulton të ketë praktikë të nxjerrjes së urdhrit për realizmin e këtij aktiviteti.
Nga ana e zbatimit formal të marrëveshjes së paligjshme kemi një tejkalim dy orësh të kohës së aktivitetit nga 2 misione në total 60 minuta, e cila nuk është e justifikuar në raportin ditor të dokumentacionit e fluturimit.
Po ashtu janë shkelur rregullat e sigurisë së fluturimit sepse janë bërë filmime në zona të klasifikuara.
Në fund janë shkelur dhe procedurat për mosfaturimin e këtij shërbimi ndaj palëve të treta, ku të jetë përcaktuar kostoja financiare për këtë aktivtet që do të kryente kjo kompani private.
Për të gjithë ata që janë kuriozë të shikohet se çfarë është bërë me helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes në kohën e Sali Berishës, shikoni vidoklipin e mëposhtëm.
Zaimina Vasjari – I Kom (Official Video) by MusicOnAir
Janë të njëjtët njerëz që ankohen përse helikopterët e ministrisë përdoren në luftë kundër trafikantëve të drogës në Dukagjin.