Fullhani doli sot para Komisionit parlamentar të Ekonomisë për të dëshmuar mbi vjedhjen e 7 milionë dollarëve në bankë.
Komisioni ishte me dyer të mbyllura dhe Fullhani ishte i qetë.
I pari e mori fjalën Braçe, i cili e akuzoi Fullhanin si të papërgjegjshëm dhe vjedhjen si një bombë e hedhur në ndërtesën e bankës.
Para se ta merrte fjalën Fullhani, ndërhyri Koço.
-Biri im, mos u nxito. E para e punës, ajo është bankë dhe 7 milionë dollarë në një bankë janë një pikë në oqean. Ne nuk do t’i bëjmë gjyq guvernatorit për një pikë uji. Ne e bëmë këtë mbledhje për t’i rritur besimin bankës, jo për ta shkatërruar.
-Çfarë keni për të thënë, i tha Braçe Fullhanit.
-Po prit mo burrë se na zure frymën, i tha Fullhani. Kam sjellë ca arka RedBull se m’i dha Gimja, dhe nga një shishe verë dhuratë se s’kam ardhë kurrë në komision dhe nuk kam pasur rast t’u qeras. Nuk qenkan as këta të opozitës, tha. S’ka gjë se atyre u kam kalamajtë në punë dhe ua nis me kalamajtë.
-Lëri dhuratat, tha Braçe, po fillo shpjegohu!
-Po prit mo burrë se qenka nxehtë. Këta kondicionerët i paskeni për ibret. Ta dija, ua kisha blerë një palë të rinj. Po s’e dija. S’më kishit thirrë ndonjëherë këtu.
-Mirë, tani fillo, fol, tha Braçe.
-Po lëre guvernatorin të qetësohet, ndërhyri Koço. Ai është bankier, nuk është shofer.
-S’ka problem o burrë, tha Fullhani. Jam mësuar me këto gjëra. Që kur isha i ri, më caktun ekonomist në Sauk. Tek Beu i Saukut. Qamet i madh. Hanim gjithë ditën. Gatunte mirë ç’është e vërteta. Prej tij kam mësu biftekun e mbushur dhe bërcollën fjorentinë. E qante. Po s’kishim verë atëhere. Me resling e shtynim. Njeri më të mirë nuk kishte. Kur ça ndodhi, thoni ju. Një ditë më thërret baba mu dhe më thotë kujdes me atë nga puna jote se do ta arrestojnë. E arrestun në fakt. Pastaj dhe e pushkatun. Paskësh vjedhur legeni e ne s’dijshim gjë. Ne veç hanim e pinim.
-Hahahaha, qeshi Koço. Biri im, kjo është një analogji historike e paparë. Dëgjoje Braçe, biri im, dëgjoje!
Braçes i iku truri.
-Do flasësh për bankën ti apo jo, i tha.
-Aty do dal, i tha Fullhani. Dhe në bankë e njëjta gjë. Ua kam plotësu të gjitha kushtet. Gocë e Ridvanit dhe Jozefinës janë goca të mira, i keni sha kot. Nuk bëjnë za. Dhe s’kanë vërejtje për ushqimin. Kunata e Doktorit është gru e mirë. Ato të tjerët ashtu mo si gjithë dynjaja. Tani të dalim tek tema. Ky tipi më ka pasë rënë në sy për mirë. Sa herë më dilte para, më ipte noj shishe verë të mirë. Thoshte kapa lloton. E besojsha me thënë të drejtën se dukej djalë tirons, çun qyteti mo. Kurrë s’më kish shku mendja që do vidhte.
-Të lutem, hy në temë, i tha Braçe, se po flet gjëra kot.
-Biri im, lëre djalin të shprehet, i tha Koço. Është guvernator tjetri. Do shprehë vizionin e tij.
-Ke të drejtë zoti Koço, thanë dhe dy deputetë të tjerë. Ky është presion mbi guvernatorin.
Braçe ktheu kokën nga rreshti tjetër.
-E vërtetë, thanë dhe deputetët e tjerë. S’mund t’i bëjmë presion guvernatorit.
-Ore se po më luani menç, tha Braçe. Vërtet doni ta kaloni pa dhënë llogari ky?
-Po dha llogari biri im, tha Koço. Tregoi që s’i kish shku mendja se vidhte ai djali, se kur e qeraste, i thoshte i kam fitu në lloto.
-Epo mirë, i tha Braçe. Zoti Fullhani, mbaruam. Komisioni konstaton se dhe ty të ka rënë llotoja dhe je bë miliardier. Paç fat, t’i gëzosh.