Nga Mero Baze
Shumica do të miratojë sot në Kuvend tre ligje të rëndësishme, që kërkojnë 84 vota. Kryeministri Edi Rama ia ka arritur të mposhtë zërat kritikë në grup, përmes një autokritike, dhe të bindë LSI dhe disa deputetë kritikë me ndarjen teritoriale, ta votojnë atë. Nga të tre ligjet, rëndësi politike në nivelin e një reforme ka ndarja administrative. Qëndrimi i qeverisë në këtë çështje ka qenë në thelb tolerant dhe pa prirje për ta përdorur politikisht apo përfitime elektorale. Kjo u pa që mjaftoi një kërkesë e një partie opozitare si ajo e çamëve dhe zonat shkuan nga 47 në 61 pa asnjë problem.
Po ashtu qeveria dëshmoi vullnet të prodhonte dy zona minoritare, jashtë kritereve të reformës, duke favorizuar pakicën greke në Sarandë dhe Gjirokastër.
I vetmi problem i panevojshëm është ndërhyrja që është bërë në Qarkun e Vlorës. Lumi i Vlorës është ndarë në tre njësi bashkiake, njëra me Selenicën, njëra me Vlorën dhe një komunë e vogël, më e parëndësishmja, me Himarën, sa për sherr. Po ashtu sa për sherr janë hequr dy fshatra të pakicës greke nga Livadhjaja dhe i janë bashkëngjitur Konispolit, duke prekur kufirin aktual të komunës, ndërsa një lagje të Sarandës e kanë degdisur në Himarë, d.m.th do jetë një bashki me Vranishtin.
E përsëris se ky mish-mash në Qarkun e Vlorës nuk ka asnjë argument bindës pse është bërë. Askush nuk më bind dot se 1000 banorët e Vranishtit tani do jenë të lumtur se do kenë qendër Himarën dhe as që pse dy fshatra të pakicës greke në Livadhja duhet të jenë me Çamërinë. Vijat e hequra janë arbitrare, të diktuara nga megalomania e superdeputetit të PS në Vlorë dhe nuk kanë asnjë shpjegim, as logjik, as politik, as elektoral. Pasoja do të ketë plot.
Pasoja e parë do të jetë largimi i mundshëm i Vangjel Dules nga koalicioni qeveritar. E di në këtë rast reagimin e shumicës duke thënë “të p…”, por në të vërtetë nëse ndodh, është një gjë e rëndë për qeverinë. Kjo do të jetë qeveria e parë shqiptare, pa përfaqësues të pakicës greke. Dhe do të jetë jashtë natyrës së saj, pasi kjo nuk është një qeveri nacionaliste. Thjesht është një qeveri që nuk di se ç’bën në këtë pikë, duke u errur si ortodokse e duke u gdhirë si anti-greke.
Nuk e kam fjalën këtu për ata që bëjnë si trima kundër grekut në blogje dhe shkojnë ndërrojnë emrat në Greqi, por për mendjet e ftohta që e kuptojnë çdo të thotë të hyjmë në një luftë të ftohtë me Greqinë, ku kemi 1 milionë shqiptarë, për mustaqet e Koços. Prania e pakicës greke në qeveritë shqiptare është identitet dhe jo sasi. Nuk ka rëndësi nëse Dule ka një apo tre vota në Kuvend, por grekët duhet të jenë në qeveri, edhe nëse nuk ia arrijnë të marrin deputet. Edhe Enver Hoxha që kish mbyllur kufijtë dhe i shante nga mëngjesi në darkë, e kishte Vitori Currin dhe nja 4 zëvendësministra, e herë- herë dhe ministra deri në ministri të Mbrojtjes.
Ikja e PBDNJ nga Kuvendi është pasojë politike dhe nuk mund të kompesohet me drekat e Koço Kokëdhimës në Jalë dhe Dhërmi me Pirro Dhimën.
Një pasojë e dytë do të ketë në bëjë në rrafshin diplomatik. Edhe pse padrejtësisht, Greqia do të ketë një qëndrim nervoz dhe mistrec ndaj Shqipërisë, në një rrugë që nuk na intereson të jetë kështu. Ne kemi para hapjen e negociatave dhe shumë projekte të përbashkëta rajonale, dhe një rikthim në gjendjen e luftës së ftohtë do të ketë pasoja. Frika reale që unë kam në këtë rast, është se këta që bëjnë si patriota duke copëtuar Labërinë e duke ia veshur një copë të saj Himarës, do ulin brekët para Greqisë kur të rishikojnë Marrëveshjen e Detit apo probleme të tjera të hapura mes nesh. Dhe kjo do të jetë shumë herë më keq.
Patriotët, që gjoja po luftojnë për Vranishtin, do të detyrohen t’i bëjnë Greqisë koncesione shumë herë më të mëdha dhe antikombëtare për të korrigjuar një gjë që nuk ua kërkoi njeri ta bënin.
Pasoja e tretë besoj do të jetë politike. Në këtë çështje Ilir Meta pati një qasje më realiste se Edi Rama dhe kjo ndoshta falë përvojës së tij si ish- kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Ai ishte për ndryshim të hartës dhe ka pranuar për hir të kolaicionit hartën Rama- Kokëdhima. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka mbajtur një qëndrim shumë djallëzor. PD, zyrtarisht ka nxjerrë PD-në e Vlorës dhe ka kërkuar që Himara të mos preket, duke qenë në një koherencë me faktorin ndërkombëtar, ndërsa Berisha si shejtan budalla, nuk ka thënë as po as jo, por ka goditur takimin e Kokëdhimëve në Himarë. Berisha nuk u shpreh se kishte frikë se Rama do ta korrigjonte gafën dhe kjo nuk i interesonte. Nesër me siguri do dalë e do thotë ishte gabim që u prek Himara dhe do bëhet një me faktorin ndërkombëtar për këtë çështje.
Pra, në aspektin politik, reforma krisi koalicionin dhe kam dyshim se do të jetë një prangë nëpër këmbët e qeverisë në rrugën e saj drejt Evropës, në vend që të ishte një lehtësi. Dhe e gjithë kjo nga një qasje enveriste nacionalkomuniste ndaj Himarës, e ideuar nga Kokëdhima, për të kompesuar defektet e tij në raport me Labërinë. Në finale pasoja politike do të jetë dhe më e keqe për Partinë Socialiste. Kjo është një gjë që realisht nuk e do populli i Himarës. Nuk e do as gjyshi i Gjiknurit, as gjyshi i Petrit Vasilit, as kushërinjtë e Edi Ramës në Vuno, as kushërinjtë e Koços në Qeparo, përveç atyre që bëjnë hotele në rërë. Pra, me këtë gjest Partia Socialiste ka humbur mbështetjen e saj reale në Himarë, dhe nuk ka fituar asnjë pikë në Labëri, se lebërit nuk janë budallenj t’i gënjejë Koçoja si patriot. Përpjekja për të na bindur se kjo gjë është pritur mirë në Shqipëri dhe e miraton 67 përqind e shqiptarëve, është fyese. Për çështje ku është në pyetje identiteti kultoror apo kombëtar, nuk vlejnë referendumet apo sondazhet. Në Himarë ai sondazh nuk del kurrë mbi 50 përqind. Kush thotë të kundërtën, gënjen. Dhe kush beson këtë gënjeshtër, ose nuk është njeri i lirë, ose nuk është njeri normal.
Pra, mungesa e fleksibilitetit për të korrigjuar një gabim të bërë nga megalomania e një superdeputeti, ka çmim të rëndë, politik, diplomatik dhe institucional. Ajo do të riformatojë qeverinë, do të ridimensionojë raportet me Greqinë dhe kam frikë se tani do të ndryshoj dhe raportet politike në Bregdet në raport me superdeputetin Kokëdhima.
Duke qenë një çështje delikate, ajo duhet të ishte një çështje ku duhet të bashkoheshin opsionet e PS, PD dhe LSI, pasi është një çështje që prek interesat kombëtare. PD dhe LSI zyrtarisht kanë pasur qëndrim të kundërt, dhe diktimi i qëndrimit të PS në këtë pikë është i panevojshëm, i paarsyeshëm, i papjekur dhe kam frikë se do të jetë dhe i pakorrigjueshëm në ndikimin që do ketë në të ardhmen e koalicionit. Megjithatë Edi Rama i doli zot këtij projekti dhe këtu nuk është më përgjegjësi e Kokëdhimës. Përkundrazi, është meritë e tij që vë në rresht kryeministrin dhe heq zvarrë Shqipërinë. Në përpjekje për të hequr viza mbi Shqipëri, ai në të vërtetë plasariti shumicën dhe po shkon drejt një vote me zemër të thyer.