Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Hajduti i Bankës na ka dëmtuar më pak se Guvernatori!

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Ka disa elementë të frikshëm në skandalin e vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. Disa punonjës të saj, në mënyrë sistematike kanë vjedhur deri më sot së paku 5 milionë dollarë dhe kanë mundur të thyejnë me lehtësi protokollin e sigurisë, që duhet të ketë një Bankë Qendrore.

E frikshme është koha e gjatë, gati rutinë, që hajdutët kanë pasur në dispozicion, pa u shqetësuar, për të vjedhur. Kjo kohë, e cila nuk përjashton mundësinë të shtyhet në kohë dhe më parë, tregon se mungesa e protokollit të sigurisë ka qenë një normalitet, çka përbën një përgjegjësi direkte për kupolën e Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatorin e saj.

Hajdutët nuk kanë bërë veprime të jashtëzakonshme apo operacione speciale, por kanë pasur ditë pune normale vjedhjen e Bankës. Kjo dëshmon se Banka vetëm si Bankë nuk ka funksionuar.

Po ashtu ka një paqartësi për sasinë e pareve të vjedhura. Auditi ka mundur të kapë vetëm pjesën e paasgjësuar të  kartëmonedhave të nxjerra nga tregu, por jo pjesën e asgjësuar. Edhe pse do të jetë e vështirë t’i shkohet deri në fund skandalit, është e qartë se kjo praktikë nuk është e vitit 2011, por një traditë më e hershme.

Nga ana tjetër, deklarimet e dy të kapurve në vjedhje janë kontradiktore dhe duket se fshehin një skandal shumë më të madh, që dëshmon se Banka e Shqipërisë nuk ka funksionuar si institucion bankar, por si një institucion qokash politike, që garantonin karrigen e Guvernatorit dhe poshtë bëhej kërdia.

Unë nuk mund të them se Guvernatori Fullani ka dorë direkt në këtë skandal si pjesë e tij, pasi do ishte më i trashë se ç’mund të na shkojë në mendje, por ai është përgjegjës kryesor për këtë skandal, pasi mënyra se si ai është bërë dhe ka mbetur Guvernator, pjell padyshim skandale të tilla.

Nëse Fullani do të ishte një Guvernator që do të shkonte në atë vend pune me meritë, që do ta kishte diplomën jo vetëm me 5-, por dhe me ndonjë 6 a më shumë, nëse do ishte një bankier i suksesshëm dhe me një karrierë për t’u pasur zili, ai do ta shikonte Bankën Qendrore si Bankë dhe jo si një post politik, që garantohet me punësim familjarësh të qeverive që venë e vijnë. Një Guvernator profesionist nuk kishte nevojë ta mbushte Bankën Qendrore me gra, vajza, djem dhe dhëndurrë pushtetarësh, por me njerëz profesionistë, të cilëve minimalisht nuk mund t’ua hidhte ky tipi që ka nxjerrë qetësisht nga 1 milionë euro në vit nga Banka pa u marrë vesh.

Fakti që garancitë si Guvernator Fullani nuk i ka marrë nga zotësia, por nga qokat politike, e kanë çuar Bankën Qendrore në një gjendje të tillë, që më i mençuri i Bankës është një punonjës ordiner, i ngarkuar për asgjësimin e kartëmonedhave.

Kjo sa i përket anës profesionale të drejtimit të Bankës. Nga ana tjetër, shpërdoruesi më i madh i Bankës në këto vite nuk është ky hajduti që ka gjetur një mënyrë si të vjedhë çdo ditë, por vetë Guvernatori i Bankës. Nëse ky ka nxjerrë rreth 1 milion euro në vit me “sakrifica”, Fullani pa iu dridhur dora i ka hequr Bankës Qendrore dhjetëra miliona euro për t’i bërë qoka qeverisë që e mbante Guvernator. Shikojeni Hotel Dajtin, një nga pasuritë e mëdha historike të turizmit shqiptar, si është katandisur. Fullani nxori nga Banka 30 milionë euro se i duheshin për fushata promocionale Berishës dhe Frangajt, dhe bëri sikur bleu Dajtin për ta bërë zyra. Sot pas kaq vitesh ne kemi vetëm 30 milionë euro të humbura, nja 12 të tjera të planifikuara për t’u humbur dhe një pasuri kombëtare të rrezikuar të zhduket si e tillë. Është po ky Guvernator, që ka justifikuar çdo manovër fiskale të qeverive, çdo rritje borxhi, çdo spirale të rrezikshme ku e kanë futur qeveritë, që ai u ka shërbyer, vendin, duke mos folur kurrë si Guvernator, por si shërbëtor i tyre. Si i tillë, ai na ka hequr qindra herë më shumë lekë nga xhepi se hajduti i xhepave që u kap këto ditë.

Unë besoj se Banka Qendrore ka plot profesionistë të zot, që nëse motivohen profesionalisht, mund ta nxjerrin Bankën nga bataku ku e ka futur klientelizmi politik dhe nepotizmi i Guvernatorit Fullani. Skandali i fundit është një kapak i hequr mbi pusetën e ujrave të zeza, në të cilën noton ky institucion i mbushur me të afërm politikanësh dhe qoka Guvernatori. Hajdutët e kapur janë nga të paktët, që nuk kishin njerëz të afërt në pushtet dhe kishin gjetur ngushëllim tek biznesi që kishin shpikur vetë.

Nuk di se deri ku do të shkojë prokuroria dhe deri ku mund të provohet ndonjë përgjegjësi ligjore e Guvernatorit, por meqë ai është aty si produkt politik dhe jo profesional, së paku të mbahet ndaj tij një qëndrim politik para se të flasë prokuroria. Është mirë të largohet me urgjencë dhe të emërohet Guvernatori i ri, për të shpëtuar së paku autoritetin e Bankës, ku duket se nuk hahen vetëm tava peshku dhe meze, por dhe vidhen çdo ditë miliona lekë.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>