Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Ne shkuam në Himarë pas Vangjelit

$
0
0

bledNga Bledi Mane-Public Enemy

 

1./E duam Himarën si Ibica

Himara në realitet nuk duket aq agresive sa në kronikat televizive. Mbetet një qytezë e qetë, por e shëmtuar nga dora e robit. Fatmirësisht ka mbi kokë një mal të egër e fisnik, dhe poshtë kembëve i përkëdhelet deti Jon si brekët e pastërta të sapo zhveshura të një zonje mendjemadhe qe hiqet si virgjëreshë e përjetshme. Ne erdhëm këtu fill pas Vangjel Dules, i cili kishte mbledhur ca burra lokalë e tek u fliste në një nga dy gjuhët e tyre, i yshtte të mos flinin nën vapën e korrikut, por të ngrihen e të kundërshtojnë qeverinë për ndarjen e re territoriale. Ndërsa Vangjeli shkoi me urgjencë se e thirri në Athinë qeveria greke, ne mbetëm këtu për punë të qeverisë shqiptare. Kemi zbritur buzë bregdetit të Jugut sepse mes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, ku unë punoj, dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kemi krijuar një ‘task forcë’ vërtet të domosdoshme për të inspektuar, qortuar e vlerësuar cilësinë, shërbimet dhe evazionin fiskal të hotelerisë. Pas Vlorës dhe Dhërmiut, ata pak hotele të deklaruar të Himarës “u krehën” nga inspektimi dypalësh. Në pozicionin që kam nuk kam të drejtë ligjore të penalizoj financiarisht askënd, por më duhet të them e të shkruaj se nuk mund të hesht e mos penalizoj mediatikisht atë realitet grotesk mbi të cilin turizmi ynë ka hedhur themelet.

Po keni kohë po u tregoj një historizëzë që përplas kokë më kokë edhe menaxhimin edhe klientët e hoteleve.

Kur ia behëm brenda rezortit më me emër himariot “Rapo’s”, të parën këshillë që dhamë dhe kërkuam në mënyrë taksative ishte vendosja e çmimeve në një vend të dukshëm te sporteli ku mund të shihej qartë nga klientët. Menaxherët nuk përtuan dhe brenda pak minutash u printua dhe u kornizua lista me çmimet përkatëse. Në unison të plotë gjithë hotelet përgjatë Bregut publikojnë çmime standarde: 3 mijë lekë të reja për dhomë me mëngjesin e përfshirë në çmim dhe nuk përtojnë të të tregojnë dhe ndonjë kupon tatimor, po me këtë çmim qesharak. I frustruar nga kjo parodi biznesmenësh kodoshë, u detyrova të pyes klientët që hipnin dhe zbrisnin nëpër dhomat e tyre pavarësisht se ishin shqiptarë shqiptarë apo shqiptarë të natyralizuar italianërisht, britanikisht, helenërisht, amerikanërisht…

-Vijmë nga Ministria e Turizmit për inspektim dhe a mund të na tregoni sa keni paguar për dhomën tuaj në këtë hotel?

-80 euro nata, përgjigjej italiani tironc.

-90 euro nata, përgjigjej barkderri me X6 të bardhë.

-95 euro nata, përgjigjej anglezi burrels…

-Eja me mua t’u tregoj diçka, kemi zbuluar abuzim dhe vjedhje me paratë tuaja. Ja, e shikon, një natë në dhomën tuaj kushton vetëm 22 euro. Kërko pjesën tjetër të parave mbrapsht!

-No, Nëo, Oqi, Never, Jooooooooooooooooooooooooooo!-refuzonin të gjithë një zëri me fonetikën e tyre të vrazhdë dhe arogante. Dhe monologjet e tyre përvëlonin më keq se zhegu i korrikut:

-Joooooo, në asnjë mënyrë!

-Pse çfarë jam unë, pabuks?

-Pse çfarë jam unë, spiun?

-Pse çfarë jam unë, fukara?

-Joooooo, nuk i marr paratë mbrapsht, aq më kërkoi që në fillim.

-Noooo, Oqi, Never, Joooooooo! Dhe largoheshin duke përshëndetur:

-Ika në pishinë unë, ika në plazh unë, ti rri aty spiuno për çmimet!

…Himara nuk është aq agresive sa duket nëpër ekrane apo forume nacionalistësh. Ka natyrë të bukur, qytetarë që flasin greqisht, por kur acarohen nuk rezistojnë dot pa sharë në shqip. Mbetet qytezë e shëmtuar, por historinë dhe çmimet i ka më të kripura se uji i Jonit, deti që i qëndron qytezës poshtë këmbëve si brekët e pastërta të një virgjëreshe të qepur keq nga duart e jo një, por të disa kirurgëve pijanecë.

 

2./Çimi martoi djalin

Ti nuk ishe, as unë nuk shkova dot, ose më mirë nuk më ftoi njeri. Teuta e Bamirit ishte, Bamiri i Teutës ishte. Linda e Edit nuk ishte, Edi i Lindës ishte. Ishte Edi dhe madje vetë Çimi shkrepi dhe një foto. I duhet kjo foto se nuk i dihet. Nga shtatori fillon reforma në drejtësi e pavarësisht se prokurorët i emëron e i shkarkon Bujar Nishani, nuk i dihet se ç’mund të bëhet me kompetencat e presidentit. Megjithatë Çimi e bëri të vetën. E ftoi kryeministrin, hëngrën, pinë, kërcyen, u dorovitën e në fund… Zogu, zogu, zogu, shiko te xhaxhi, çak, fak u bë dhe fotoja që do mbahet të zyra, te bufeja e shtëpisë dhe te koka e krevatit. Është fotoja më fantastike e këtij behari të nxehtë arvanitas. Foto që do të intigrojë shumë juristë e do të kallë shumë xhelozi. Ndaj prokurori Shkëlqim Hajdari e meriton një 10 për nuhatje. Në kohë krize për drejtësinë shqiptare, në kohën e mësymjes së madhe të qeverisësve, i gjeti një vajzë djalit, e fejoi, e martoi, bëri dhe foto me kryeministrin. Ndaj unë i jap të drejtë Gjin Gjonit që ndjehet i kërcënuar e i abandonuar. Të dy, edhe Gjini, edhe Çimi, kanë qenë shokë klase (të ngushtë fare) për 6 muaj rresht te Plepat në Durrës. A nuk është kjo një padrejtësi që i bëhet drejtësisë?

 

3./Shënim i rëndësishëm

Ndërsa po shkruaj në laptop-in tim, këtu në dhomën e hotelit, e shpërqendroj vëmendjen time qëllimisht sa nga televizori varur në mur, sa nga ballkoni dera e të cilit qëndron hapur. Nga ekrani dëgjoj Tom Doshin që i bërtet policisë së Sajmir Tahirit, ndërsa nga ballkoni vjen ofshama relaksuese e detit. Sot jemi në Sarandë, nesër do kontrollojmë përsëri hotelet e mbetura. Ndryshe nga Vlora, këtu çmimet e dhomave ekspozohen 3500 lekë, ndërsa pushuesit shqiptarë janë të njëjtë si ata të Himarës. Ika të ushqehem. Kolegët po më bërtasin të ekzaltuar. Paskan gjetur një restorant të lirë andej nga stadiumi ku supa kushton vetëm 4 mijë lekë. Ika. Lexohemi javës tjetër!

fb.com/bledi.mane

twitter.com/blediMANE


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>