Nga Mero Baze
Në fillim ishte vetëm Bollano. Ai e dha paradhënie sinjalin se Himarën nuk e lëshonte, edhe pse ajo e kishte lëshuar tre vjet më parë. Pak më i duruar, por pas tij foli dhe Dule. Edhe pse i mori dy njësi me kufij që rrethojnë pakicën greke, në Dropull dhe Vurg, ai i qëndroi korrekt linjës zyrtare të Greqisë, që kërkon dhe Himarën në çdo rast. Pastaj u shfaqën çamët. Ata donin një sebep ta votonin këtë reformë të qeverisë, por donin dhe shpërblim meqë vinin nga ana e shumicës. Dhe qeveria e zgjidhi qesen deri në 16 njësi më shumë. Pastaj u shfaqën deputetët socialistë që janë kundër ndarjes territoriale, të cilët realisht e shikojnë si ndarje elektorale. Ata shkojnë diku tek 5 vetë. Pastaj u shfaq Berisha. Ai tentoi një aleancë më të gjerë, mes Dules, Bollanos, deputetëve socialistë të pakënaqur dhe ideve të tij për ndarjen Meta- Rama. Në fund, dhe i vetmi që ka pak të drejtë, është Andrea Marto, deputet i Delvinës, që kërkon që dy fshatra të Livadhjasë të mbeten brenda Delvinës dhe jo Konispolit, duke respektuar kufijtë e komunës Livadhja. Duke qenë se respektimi i kufijve të komunave në bashkimin e njësive është një kriter, pretendimi i tij është më logjik. Në fund ia plasi dhe qeveria greke, a thua se këtu po copëtohet Shqipëria dhe Greqinë e kanë lënë pa pjesë.
Por nuk dua të bëj avokatin apo gjyqin e secilit pretendues për ide në reformën territoriale. Reforma territoriale nuk është çështje e gjykimit fshatçe dhe as çështje peticionesh. Ajo po ndërmerret për një kontroll më efikas të territorit, shkurtim shpenzimesh dhe planifikim më të mirë investimesh. Pati një fazë konsultimesh që e kufizonte deri në 45 numrin e njësive, por nuk pati kaq shumë debate. Tani që reforma thuajse u mbyll dhe mbetet vetëm të depozitohet, shpërthimi i peticioneve fshatçe dhe nxitimi që secili të gjejë ndonjë arsye përse do qeveriset me atë zonë dhe jo me atë zonë, është një humbje e kotë energjie.
Ajo që dua të theksoj është se ka një hipokrizi të madhe nga kundërshtarët e reformës. Të gjithë kudnërshtarët e reformës, që nga i zemëruari i parë e deri tek i fundit, po tregojnë se kanë vetëm një hall dhe ai hall ka të bëjë me gjeografinë elektorale të njësive vendore.
Të gjithë ata që po e kundërshtojnë reformën, pavarësisht si e maskojnë fjalinë apo pretendimin, duke përdorur historinë, gjeografinë, folklorin apo gjuhën, në mendje kanë votat.
Më e pakujdesshmja në këtë pikë është treguar qeveria, e cila duke menduar që po e bën vetë këtë punë, mendon se po e bën mirë dhe në këtë drejtim. Ndarja e re natyrisht që nuk ka impakt elektoral në zgjedhjet e përgjithshme pasi nuk preken 12 zonat elektorale të qarqeve, por ka impakt padyshim në zgjedhjet lokale, pasi kemi një bashkim njësish elektorale. Kjo nuk rrezikon partitë e mëdha pasi aty i kanë votuesit, por partitë më të vogla dhe zona të veçanta, që janë të brishta nga pikëpamja elektorale, natyrisht rrezikohen.
Kaq është i gjithë debati. Ky është thelbi i debatit për Himarën, jo se Himara po të jetë njësi më vete, do jetë greke. Më vete dhe vetëm me fshatrat ortodoksë shqiptarë ka qenë deri tani Himara, dhe e ka fituar tradicionalisht Partia Socialiste, përveç rasteve kur PD ka bashkuar votat me Bollanon. Më vete ka qenë Dropulli, dhe në shumicën e rasteve votat i ka marr Vangjel Tavo si socialist më shumë se Vangjel Dule si përfaqësues i tyre grek. Më vete ka qenë Livadhjaja dhe ka votuar Stefan Çipën nga Piluri, bashkë me çamët e Konispolit. Shembuj të tillë ka pafund. Të gjitha pretendimet e atyre që duken të prekur nga reforma territoriale, nuk kanë asnjë lidhje me arsyet përse po bëhet reforma, por me hallet e tyre elektorale. Socialistët treguan se as që e kishin fare problem të ndryshonin hartën, sapo u erdhi oferta e parë nga grupi i PDIU, duke e shtuar me 16 njësi ndarjen. Kjo do të thotë që s’kishin asnjë llogari të tyre elektorale, por thjesht donin një konsensus më të gjerë. Kjo tregon po ashtu se çamët i kishin bërë disa hesape elektorale në propozimin e tyre. Disa socialistë që takoj, të pakënaqur nga ndarja, të gjithë po ashtu kanë arsyetime elektorale. Dhe në këtë pikë kanë të drejtën e tyre të mërziten, por jo me reformën, por me fatin e tyre elektoral. Ky është një hall për t’u qarë, por jo reforma territoriale.