Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Berisha, ai që guxon veç për marrëzira

$
0
0

INAGUROHET-TUNELI-I-KRRABES-Kryeministri-Sali-Berisha1Nga Altin Ketro

 

Rezultati elektoral që prodhoi vota e shqiptarëve më 23 qershor, po analizohet gjerësisht në rrethet mediatike dhe elektronike nga përfaqësues të politikës dhe gazetarisë. Për njërën palë, rezultati ishte i pritshëm ndonëse jo në shifrat që ofroi; për palën tjetër, rezultati ishte befasues dhe i papritur.

Sekush po përpiqet t’i trajtojë sipas këndvështrimit të tij shkaqet që sollën këtë humbje katastrofike të Partisë Demokratike dhe liderit të saj historik, Berishës. Edhe këtu shfaqet një ndarje, ku njëra palë bën fajtor pikërisht Berishën, kurse tjera ia heq një dozë të madhe të fajit atij dhe e kanalizon tek ekipet drejtuese në qendër e në bazë, pa harruar edhe nivelet politike të qeverisjes.

 

Guximi i munguar i Sali Berishës

Kohë më parë, në një emision në Vizion Plus, ku moderatorët ishin fëmijë dhe të ftuarit të rritur, Sali Berisha, i pyetur se: “Cilat janë cilësitë tuaja më të mira që shfaqeshin në adoleshencë”, jepte këtë përgjigje: “Unë, kur shoh mbrapa, them se guximi. Unë jam njeri që kam guxuar dhe kam qenë i përkushtuar. Unë kam guxuar, kjo ka qenë. Motoja ime në jetë ka qenë guximi. Keqardhjet që mund të kem unë, kur nuk kam guxuar. Pra, çka do të thosha, që ju duhet të guxoni dhe nuk duhet të ngurroni asnjëherë të guxoni. Edhe po e pësove duke guxuar, arrin ta riparosh atë dhe guximi të shërben shumë në jetë.”

Është shumë interesante ta ndash në dy pjesë atë çka Berisha ka thënë në lart. Në pjesën e parë do trajtoj dy nga momentet ku mungesa e guximit te Berisha i është kthyer kundër, ndonëse të qënit i guximshëm dilte përtej interesit personal dhe i vinte në ndihmë gjithë formacionit politik që drejtonte. Në pjesën e dytë, do trajtoj shkurtimisht disa momente ku Berisha ka guxuar thjesht për hir të marrëzisë që e karakterizon.

 

Momenti i parë ku Berishës i mungoi guximi politik

Më 10 janar 2011, kryeministri Berisha u gjend përballë një situate të vështirë për të ardhmen e tij e të mazhorancën që drejtonte. Televizioni më i madh, TCH, kishte shfaqur në një prej emisioneve të tij më të ndjekura, “Fiks Fare”, një video- përgjim midis zv/kryeministrit të qeverisë dhe një ish ministri të kabinetit qeveritar.

Berisha kishte pasur gjatë mandatit të tij të parë një precedent të ngjashëm me video-përgjim, për të cilin me krenari u mburr se e kish shkarkuar ministrin pas 4 minutash të transmetimit të videos në po të njëjtin televizion, në po të njëjtin emision.

Kësaj here personaliteti politik ishte jo vetëm i një rangu më të lartë përfaqësimi, por mbartte edhe fuqinë e numrave të brishtë për mazhorancën në Kuvend. Si i tillë, vendimi për ta përsëritur precedentin e mëparshëm kërkonte guxim të madh.

Në një rikthim të filmit mbrapsht, cili do të qe skenari më i mirë për Sali Berishën dhe PD-në pas publikimit të videos? Padyshim, ai i marrjes së një vendimi ku të shpallte të prishur koalicionin qeveritar, si të papajtueshëm me moralin politik të qeverisë. Dhe, meqenëse PD-ja humbte kontrollin e mazhorancës parlamentare, kryeministri duhet të shpallte mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Pavarësisht se Berisha dhe qeveria e tij, për vetë faktin se qenë forca kryesore që mbanin përgjegjësi për mirëqeverisjen e vendit, ishin në sytë e qytetarëve shkaktarët kryesorë të korrupsionit të lartë në Shqipëri, publikimi i videos ishte një rast i artë që ta përdorte si gomone shpëtimi. Ai ishte nga ato raste që nuk të vijnë shpesh, të cilat duhet të dish se si t’i përdorësh në favorin tënd.

Berisha vërtet po shkonte më herët në zgjedhje të parakohshme, por karta morale e tij se ai sakrifikon Pushtet për të bërë Shtet, do të ishte një kauzë mbresëlënëse për atë fushatë.

 

Momenti i dytë ku Berishës i mungoi guximi politik

Më 1 prill 2013, vetëm 83 ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, partneri kryesor i koalicionit qeveritar tërhiqet dhe kalon në opozitë. Në këto kushte, mazhorancës së djathtë i humbën numrat në Kuvend.

Largimi i LSI-së duhet t’i shërbente Sali Berishës si një mundësi e artë, që fati ia solli për herë të dytë në derë. Por, ashtu siç shpërdoroi rastin e parë, sërish Berisha nuk guxoi. Dhe, bëri lëvizjen e gabuar për t’i zgjatur jetën qeverisë, duke peshkuar mandate në radhët e opozitës. Gjeti si gomone shpëtimi tri të gatshëm, ndër ta, njëri me emër të spikatur qysh nga nomenklatura komuniste. Berisha vijoi në rrugën e tij të aleancave fluide me përbetime të dëshpëruara në Kuvend se “me tri ish deputetët e majtë do kishte bashkëpunim afatgjatë në të ardhmen”.

Të mos harrojmë se efekti i koalicionit të papritur, PS- LSI, ishte shumë tronditës për elektoratin e majtë dhe atë të pavendosur. Ishte ky një shkak që Berisha duhet ta kish shfrytëzuar më së miri. Por, ai i dha kohë këtij koalicioni ta merrte veten, të organizohej dhe ta shuante dalëngadalë gjithë atë mosbesim që e shoqëroi fillimisht.

Çfarë i kushtonte Berishës që moton e tij për të guxuar ta vinte në jetë kësaj here? Përse i dha frymë veç për 30 ditë më tepër qeverisë së tij, ndërkohë që mund ta kish çuar vendin në zgjedhje të parakohshme? Kreditet e tij politike në elektorat vërtetë ishin në pikiatë, por situata që iu paraqit ishte një mundësi shumë e mirë për të përfituar sa të mundeshe. Fundja, po të kish guxuar, s’do mund të kish dalë më keq se sa doli më 23 qershor.

 

Guximi veç për marrëzira

Në këto 23 vite të jetës aktive në politikë të Sali Berishës, ka shumë e shumë momente kur ai ka guxuar në marrëzitë që vetë ka prodhuar. Secili prej nesh ka një argument të tij për secilën prej tyre. Unë s’kam ndërmend të bëjë një listë të gjatë me to, por kam zgjedhur dhjetë nga momentet më të spikatura që kanë lënë gjurmë negative për vendin tonë:

-Guximi për të vënë dorë në vitin 1996 mbi votën e lirë të shqiptarëve, e cila shërbeu më pas si pikënisje e një mosbesimi reciprok nga secila palë që organizonte zgjedhjet.

-Guximi për të prodhuar ngjarjet e vitit 1997 me mijëra të vrarë e të plagosur, me qindra milionë pasuri të humbura e të dëmtuara dhe me një popull të tërë të traumatizuar.

-Guximi për ta rrëzuar qeverinë, në vitin 1998, me armë anti-tank, automatikë kallashnikov e deri me rrëmbim tankesh. Marrja nën kontroll nga PD-ja e ndërtesës së qeverisë, selisë së Kuvendit dhe televizionit publik.

-Guximi për të toleruar trafikun e municioneve që më pas, në vitin 2008, shkaktoi tragjedinë e Gërdecit me 26 të vrarë, dhjetëra të plagosur e qindra shtëpi e biznese të shkatërruara.

-Guximi për të bekuar aktin e dhurimit të qindra kilometrave katrorë të hapësirave tona detare fqinjit tonë jugor.

-Guximi për të qenë në krye të operacionit për eliminimin fizik të 4 qytetarëve të pafajshëm e paqësorë në bulevardin e Dëshmorëve të Kombit.

-Guximi për t’i dhënë me koncesion apo për t’i shitur, të pasurive tona strategjike me karakter kombëtar, në duar të dyshimta.

-Guximi për ta ngritur shkallën e korrupsionit në nivelin më të lartë të përfaqësimit politik dhe ngritjen e barrikadës për mosndëshkueshmërinë e cilitdo politikan e zyrtar që i shërben interesave të partisë në pushtet.

-Guximi për të kapur të gjitha pushtetet, vënien nën kontroll dhe përdorimin e tyre, për interesa personale apo të një grushti njerëzish.

-Guximi për ta ngritur marrëzinë, paaftësinë, nepotizmin, klientelizmin, krahinarizmin, injorancën, fudullëkun, arrogancën, gënjeshtrën, shantazhin, vjedhjen, etj., etj., në vlerë e virtyt shoqëror.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>