Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave nëpërmjet një udhëzimi ka përcaktuar vendndodhjen dhe kriteret që duhet të plotësojnë tregjet e shitjes me shumicë.
Sipas këtij udhëzimi, i cili ka dalë vetëm dhjetë ditë para vendimit të prefektit të Tiranës për mbylljen e dy tregjeve në kryeqytet, përcaktohet si pikë kryesore që tregjet e produkteve agroushqimore me shumicë të jenë jashtë vijës së verdhë të qyteteve. Dhe distanca sipas këtij udhëzimi, duhet të jetë plotë 500 metra larg vijës së verdhë.
Në udhëzimin e Ministrisë së Bujqësisë, i cili mban firmën e ministrit Edmond Panariti, tregjet agroushqimore duhet të plotësojnë 10 kritere, që veç distancës nga zonat e banuara, përfshihen edhe disa kushte të tjera që kanë të bëjnë me furnizimin me ujë dhe drita 24 orë, rrethimin e ambienteve, por edhe disa kritere për numrin e magazinave, ambienteve frigoriferike etj.
Në rregullat e reja që ka përcaktuar Ministria e Bujqësisë për vendndodhjen dhe kushtet e tjera të tregjeve të shitjes me shumicë, kriter kryesor është distanca që këto tregje duhet të kenë me zonat e banuara. Në pikën e parë të këtij udhëzimi përcaktohet se tregjet agroushqimore duhet të kenë një distancë prej 500 metrash nga vija e verdhë e qytetit.
Udhëzimi nr.11, datë 2.7.2014 të firmosur nga ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, përcakton se tregjet e produkteve agro-ushqimore me shumicë duhet të plotësojnë këto kritere:
të jenë jashtë vijës së verdhë të qyteteve në një distancë jo më afër se 500 m nga vija e verdhë;
me distancë jo më pak se 500 m nga zona të miratuara për banim ose pushim;
brenda zonave të miratuara për ushtrimin e aktivitetit të tregtimit të produkteve agroushqimore me shumicë, të përcaktuara në këtë udhëzim;
pranë rrugëve kryesore dhe lehtësisht i aksesueshëm; jo më pak se 1 kilometër larg zonave të kontaminuara ose ndotje mjedisore, si fabrika që prodhojnë ose gjenerojnë mbetje të dëmshme për shëndetin, mbetje kimike etj.;
duhet të kenë 2 porta, hyrëse dhe dalëse; numri i magazinave brenda stabilimentit të jetë jo më pak se 10 (dhjetë); të ketë ambiente frigoriferike; të ketë ambiente të veçanta për punonjësit; objekti të jetë i rrethuar, të jetë i pajisur 24 orë me ujë dhe energji elektrike.
Në pikën dy të udhëzimit, përcaktohet se për zbatimin e tij ngarkohet Drejtoria e Prodhimit Bujqësor dhe Politikave Tregtare dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.