Një shtetas italian, i vetëshpallur konsull nderi në Shqipëri, është denoncuar dje për mashtrim në Policinë e Tiranës nga 3 persona.
Ai quhet Massimiliano Nicolini, është 37 vjeç dhe gjatë tri viteve të fundit emri i tij është lakuar vazhdimisht si i përfshirë në vjedhje me anë të mashtrimit, por asnjëherë nuk është arrestuar.
Massimiliano Nicolini, italiani që denoncoi në policinë e Tiranës ish- të përndjekurin Asllan Patrioti gjatë grevës së urisë, është denoncuar vetë nga katër persona, pasi ata e pretendojnë se janë mashtruar nga Nicolini. Lori Zylaj me profesion fizioterapiste, Rediol Laraku, Saimir Godinaj dhe ish-bashkëshortja shqiptare, janë paraqitur në policinë e Tiranës, duke e kallëzuar penalisht për akuzën e “mashtrimit”.
Ky i fundit zotëron në Shqipëri disa kompani tregtare, ndërkohë që tre personat e kanë akuzuar se i ka mashtruar duke mos i dhënë rrogat,detyrimet financiare për marjen e ambjenteve me qëra dhe punimeve të kryera për ndërtimin e zyrave të tij në Tiranë, ku ka hapur një qendër mjekësore.
Emri i tij u lakua fillimisht në vitin 2012, kur Policia e Tiranës arrestoi ishtë përndjekurin, Asllan Patrioti, pasi u denoncua nga Nicolini për vjedhjen e makinës së tij tip “Jaguar”.
Në fakt Patrioti asnjëherë nuk e pranoi këtë akuzë, duke pretenduar se ky ishte një mashtrim i shtetasit italian, pasi jo vetëm që nuk ia kishte vjedhur, por kishte ndihmuar në gjetjen e makinës, duke i treguar se ku e kishte parë automjetin.
Pretendimet e Patriotit u aprovuan edhe nga ish- e fejuara e shtetasit italian, e cila pohoi se vjedhja e makinës ishte mashtrimi i radhës.
Gruaja me të cilën ai jeton gjatë dy viteve të fundit në një banesë në Durrës, ka pretenduar se Nicolini e ka detyruar të merrte një kredi në emër të saj, një shumë prej 20 milionë lekësh dhe më pas është ndarë me të, duke mos paguar as këstet në bankë.