Kryeministri Edi Rama e cilësoi operacionin e Policisë së Shtetit në Lazarat si një ngjarje që dha një kontribut në marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Vlerësimet Kreu i Qeverisë i bëri gjatë një pritjeje në Pallatin e Brigadave me uniformat blu të cilat janë angazhuar në operacionin kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe goditjen e elementëve dhe organizatave mafioze në fshatin Lazarat. Duke u ndalur tek puna e punonjësve të policisë, Kryeministri i siguroi ata se qeveria do të punojë për të përmirësuar kushtet e punës së tyre.
“Unë e di se sa e vështirë ka qenë dhe mbetet puna juaj, detyra juaj, lufta juaj. Duhet të dini se për sa kohë do jemi në detyrë unë dhe ministri i Brendshëm ju nuk do jeni kurrë vetëm, nuk do të jeni të tradhtuar. Do bëjmë që kushtet tuaja të punës të jenë më të mira, dhe lufta juaj të jetë me fitore”, tha Rama.
“Ajo që ju bëtë në Lazarat nuk është e pazakonshme, është e jashtëzakonshme. Një pjesë e kolegëve tuaj po vijojnë aksionin në Lazarat, në atë vend droge që mbuloi me turp Shqipërinë. Do doja t’u shtrëngoja dorën sot për kontributin e dhënë, ashtu si dhe ju sot, pasi ju ia ngritët kokën lart Shqipërisë, dhe kontribuat drejtpërdrejt edhe për marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Treguat se me çfarë përkushtimi të përbashkët e kemi ne të vullnetin për të ecur përpara e për të ndërtuar të ardhmen”, iu drejtua Rama disa qindra punonjësve të Policisë së Shtetit të pranishëm në ceremoni.
Duke ironizuar ceremonitë festive që organizoheshin nga Qeveria Berisha në raste të tilla, Kreu i Qeverisë Rama tha se ne sot duhet të ishim në një koncert 1 milionë dollarësh për vendimin e marrë në mëngjes nga ministrat e BE.
“Flamujt e NATO-s, BE-së, Shqipërisë dhe partisë tani duhet të ishin duke u valëvitur në sheshin Nënë Tereza, nën ritmin e këngëve të Çiljetës. Ndërsa unë duhet ë ndodhesha i rrethuar nga 120 roje në pritje për të nisur fjalimin e radhës, dhe për fitoren mbi opozitën. Por edhe ajo traditë fodullëku mu në mes të Evropës sot merr zyrtarisht fund, kjo nuk është dita e qeverisi, është dita e Shqipërisë. Kjo nuk është dita e qeveritarëve, por e qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi pa përjashtim, është edhe dita e punonjësve të policisë. Është dita e atyre që dalin në mëngjes, përqafojnë nënën, gruan, fëmijët, dhe nuk e dinë nëse do kthehen, por janë në krye të detyrës, për të vendosur zbatimin e ligjit. Qershinë në tortën e kësaj feste të sotme, superaksionin e Lazaratit. Respekte! Respekte! Respekte!”, u shpreh Rama.
Aktiviteti nisi me shfaqjen në monitor të disa nga momenteve më të rëndësishme gjatë ndërhyrjes së policisë në Lazarat. Zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea vlerësoi në fjalën e saj pjesëmarrjen e punonjëseve femra të policisë në këtë aksion, ndërsa theksoi se do vijohet me projektet e zhvillimit në Lazarat.
“Projektet e zhvillimit dhe bashkëpunimi ndërinstitucional do të vijojnë pas aksionit të policisë në Lazarat, për ta kthyer vendin në normalitet”, tha ajo.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi vlerësoi punën e punonjësve të policisë gjatë aksionit në Lazarat, ndërsa shprehu mbështetje edhe për efektivët që po vijojnë operacionin aty.
“Ky operacion ishte i veçantë. Ndonëse u përballët me breshëri plumbash, ju nuk u tërhoqët. U qëlloi të bënit nga 8 orë rrugë, e sërish të kapnit pozicione më të përparuara, dhe nuk thatë u lodhëm. Bashkëpunimi ishte i palodhshëm. Ky operacion nuk ka emra të përveçëm, por ka vetëm emrin e punonjësve të policisë së vijës së parë. Kush nuk i ka provuar nuk mund të kuptojë çastet e një operacioni ku vihet në rrezik jeta. Në këtë rast të gjithë ishin në një mendje, të vërsuleshin në këtë operacion, pa marrë parasysh rrezikun”, theksoi Didi.
Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri e konsideroi ndërhyrjen në Lazarat si një ndryshim të vullnetit për të bërë shtet. Tahiri tha se pas këtij operacioni banorët e Lazaratit ndihen më të çliruar nga trafikantët, ndërsa shtoi se ndihej krenar për policinë duke hapur një faqe të re në historinë e shtetit.
“BE sot njohu përpjekjet dhe arritjet tona në luftën kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit. Këto janë momente të rëndësishme për vendin, kanë rimëkëmbur dinjitetin që i takon Policisë së Shtetit shqiptar. U shemb një bunker kriminal në Lazarat që mbante peng një fshat të tërë, dhe dëmtonte imazhin e gjithë vendin. Ishte ngritur nën hundën e shtetit perandoria e Lazaratit. Më kanë pyetur si ndodhi që kjo të ishte në zemër të vendit, dhe askush të mos ndërhynte për gjithë këto vite. Por tani ka ndryshar vullneti. Dhe ne kemi vullnetin për të bërë shtet, për të vendosur sundimin e ligjit. Ne rilindëm dhe e ngritëm në këmbë policinë e Shtetit. Unë vizitova Lazaratin dhe takova njerëz që ndiheshin të çliruar nga trafikantët e drogës. Do të hapim një kapitull të ri zhvillimi për këta banorë, për Lazaratin dhe për gjithë vendin. Në shumë raste më parë shefat ishin ura lidhëse me krimin, ndërsa sot është e qartë se policia e shtetit nuk tradhtohet dhe nuk lihet në baltë nga askush. Sfida të mëdha kemi ende përpara në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut dhe korrupsionit. Ne kemi sfidën e madhe të çojmë përpara luftën e shpallur kundër kriminalitetit, edhe me ata që janë lart, duhet të përballemi edhe me ata që bëjnë padrejtësi. Do të shembim murin e pandëshkueshmërisë, dhe të vendosim përgjegjësit para ligjit. Unë jam krenar për Policinë e Shtetit, e veçanërisht për punën që e bëtë në Lazarat. Keni hapur një faqe të re në historinë e shtetit. Bravo të Gjithëve.”, u shpreh Tahiri.