Lajmi për marrjen e statusit, e vuri në siklet të madh Kunatin. Luli ishte në një konferencë tek Hotel Tirana kur u dha lajmi.
-E morën më duket, i shkruajti Kunati.
-E dija që do ta merrnin, i tha Luli.
-Çfarë do bëjmë, i tha Kunati.
-Të presim një herë ç’do bëjë ai, tha Luli.
Ndërsa po priste reagimin e atij burrit, vjen vajza e reklamave të Bashkisë.
-Zoti Kunat, tha. I nxorëm të gjitha tabelat, i kemi gati. Bëjmë noj event?
-Çfarë tabelash, i tha Kunati.
-Po ja mo ato që bëmë atëherë gati kur na tha Doktori që do marrim statusin para dy vitesh. Me dritë jeshile Evropë, me dritë të kuqe PS, me dritë të verdhë LSI.
-Le, le, tha Kunati, prit një herë.
-Po skenën e koncertit ta bëjmë gati, i tha vajza.
-Po jo mo çfarë koncerti, i tha Kunati.
-Qyqja, po ça ke mo shef, nuk e thërrasim Çiljetën, kemi këngëtarë të tjerë plot.
-Nuk e kam aty, po s’bëjmë dot koncert, tha Kunati. Duket sikur gëzohemi për festën e Ed Ramës.
-Po këto tabelat në rrugë, Brukseli 1200 km, etj, t’i vëmë, i tha vajza.
-Jo, jo, asgjë, i tha Kunati. Po do bëjmë diçka, do t’u them unë.
Ndërkohë që iku vajza e reklamave, mori sërish Luli.
-Porositi pak këta të partisë të mos bëjnë komente për statusin, tha.
-Po Majlinda me Mesilën e kanë bërë, i tha Kunati. E kanë quajtur ditë të gëzuar.
-Ato do mbajnë përgjegjësi, tha Luli, po ti shiko mos flasin këta të tjerët. Sidomos ruaj Aldon, se ai të bën gjëmën kur flet.
I alarmuar, Kunati mori Aldon.
-A ke bërë ndonjë deklaratë për statusin, i tha.
-Jo, nuk kam bërë, tha Aldo, por jam dakord me atë të Doktorit.
-Mirë, po mos e thuaj, tha Kunati.
-Si mos ta them, tha Aldo. Pse, çfarë ke ti me Doktorin?
-Nuk kam gjë, tha Kunati, por duhet të mos e zhurmojmë Doktorin, të flasë vetëm ai, që të zërë vend fjala.
-Ashtu po, tha Aldo, por zakonisht po nuk e përsërita unë atë që thotë Doktori, nuk e mbajnë mend njerëzit. Kur e thotë ai, u duket gjë e bukur, kur e them unë, thonë budallallëk. Nuk e kuptoj këtë punë.
-Është pak e komplikuar, tha Kunati, por mirë është të mos flasësh sot.
Pas kësaj i shkruajti Lulit.
-Duhet të sulmojmë Ramën. E ka quajtur fejesë marrjen e statusit. Kjo është gjë e rëndë. Sipas tij, mund të mos bëhemi anëtarë nëse nuk jemi të virgjër.
-Le mos ia kujto Doktorit, tha Luli, se na vë në siklet. Fillon me atë avazin e kurvave.
-Po një gjë duhet t’ia themi, tha Kunati, se ai e ka quajtur fejesë. I bie të jemi vend lezbik se jemi fejuar me Evropën.
-Aman të keqen, tha Luli, se po ia kujtove dhe këtë, nuk durohet ai.
-Po të paktën t’i themi, zoti Rama, ty ka për të të ndarë gruaja se nuk je burrë tamam.
-Aman, i tha Luli, se kaq do ai e fillon prapë.
-Po një gjë duhet t’i them, tha Kunati. Ta sulmojmë këtë punën e fejesës të paktën.
-Po mirë t’i themi martesë me mblesëri nga halla Merkel, jo me dashuri.