Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Diferenca mes politikës policore dhe policisë së lirë

$
0
0

meroNga Mero Baze

 

Për pesë ditë rresht, policia shqiptare u angazhua në një operacion të pashembullt për dekriminalizimin e një pjese të territorit të Shqipërisë, për t’i kthyer asaj normalitetin. Lazarati, i cili kishte thuajse 20 vjet jashtë kontrollit të shtetit shqiptar, ishte kthyer në një zonë të lirë për kriminelë nga gjithë vendi, dhe një tokë e keqpërdorur nga narkotrafikantët që komandonin bizneset e tyre nga qelitë.

Qindra banorë të Lazaratit ishin punësuar në industrinë e kultivimit të drogës, në kushtet e një territori jashtë kontrolli dhe me një të ardhme të pasigurt për veten dhe familjet e tyre.

Operacioni i policisë nuk ishte aq i lehtë. Policia u përball me sulme me armë, me kallashnikovë, me mitraloza dhe antitanke. Rezistenca zgjati pesë ditë dhe dëmet ishin të papërfillshme. Policia nuk vrau askënd, edhe pse ishte në të drejtën e saj të qëllonte mbi banditët për t’i asgjësuar. Nuk lëndoi banorë, nuk shkaktoi dëme dhe nuk ngjalli armiqësi mes shtetit dhe banorëve.

Po të shikoje sot pamjet e takimit të policëve me banorët, Lazarati ngjante vërtet si një tokë e çliruar.

Po ku është kyçi i këtij suksesi?

Mijëra vetë lavdërojnë Saimir Tahirin, të tjerë Didin, të tjerë qeverinë, të tjerë vetëpërmbajtjen e banorëve të Lazaratit, etj. Në të vërtetë çelësi i suksesit qëndron tek fakti se policia është e lirë të veproj si polici. Ndërroni pak rolet, mendojeni Lazaratin një bastion socialistësh dhe mendoni Sali Berishën kryeministër, që ndërhyn në një fshat kundërshtar, që pritet me armë. Mund të ishte bërë kërdia.

Më 21 Janar në Tiranë, mijëra njerëz të paarmatosur, të parrezikshëm, të pambrojtur dhe të pafajshëm, u përballën me policinë, në një dhunë fizike normale për protestat. Nuk kishte asnjë protestues të armatosur, nuk kishte asnjë me kundërtank, kallashnikov apo thika me helm e çadra pistoletë, siç ëndërronte Sali Berisha.

Kur përballja mbaroi dhe njerëzit ishin duke ikur në shtëpi, dy burra të pabesë, njëri si tutor e tjetra si kamikaz i tij, urdhëruan pas xhamit të blinduar të qëllohej mbi “armikun”, të derdhej gjak, që ata të mos shfaqeshin më para dritares së tyre. Falë Zotit, policia dhe atë ditë nuk i lyeu duart me gjak, por besnikët e pushtetit qëlluan duke lënë 8 fëmijë jetimë. Ishte hakmarrja e një regjimi, që mendonte se kundërshtarët duhet ta paguanin me gjak rezistencën fizike ndaj policisë, edhe pse ishin të paarmatosur dhe të parrezikshëm. Ishte urdhri politik ai që dominoi logjikën e vrasjeve dhe masakra ndodhi.

Në Lazarat kishte shumë herë më tepër arsye për të vrarë. Kishte kriminelë të panjohur për policinë, që kryetari i komunës thotë se u “shporrën nga malet”. Kishte kriminelë që rezistuan me armë. Autoblindat prisnin plumbat sipër tyre si kokrra breshri. Por askush nuk qëlloi nga policia për të vrarë. Policia nuk kishte motiv të vriste, nuk kishte motiv të mposhte kundërshtarin, nuk ishte aty për të bërë poltikë, por për të vendosur rendin. Është kjo arsyeja pse ky operacion po duartrokitet kaq shumë dhe pse ministri Tahiri dhe kryepolici Didi po marrin vlerësime maksimale. Ata po vlerësohen jo se arritën të çlirojnë Lazaratin, pasi çlirimi i tij ka qenë çështje vullneti politik, siç ka thënë dhe Berisha. Ata po vlerësohen se nuk e panë Lazaratin si kampin armik, por si një territor nën kontroll të mafies, pushteti i të cilës duhet të merrte fund. Dhe ia dolën.

Operacioni bën njëherësh diferencën e thellë mes policisë politike të Sali Berishës, që vriste pas krahëve, kur mbaronte protesta, dhe policisë së lirë profesioniste, që nuk vret as kur qëllohet, nuk gjuan as kur gjuhet me mitraloz, nuk hakmerret edhe pse i plas buza pesë ditë për të çliruar një fshat nga kriminelët. Është kjo arsyeja që njerëzit ndjehen mirë dhe i japin mbështetje maksimale qeverisë për atë që ndodhi. Nuk është çështje operacioni policor. Është një politikë, e cila po ndryshon tërësisht rolin e policisë në një shtet demokratik. Po i kthen asaj dhe shoqërisë dinjitetin duke perënduar koha e policisë politike.


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>