Ishte cilësuar si grupi i ferrit dhe ashtu po del.
Por, protagonistë nuk janë ekipet e pritura, por Kosta Rika.
Pas fitores befasuese kundër Uruguajit, Kosta Rika ka mposhtur 1-0 edhe Italinë, duke siguruar kështu kualifikimin.
Tashmë Italia kualifikimin do ta luajë në ndeshjen e ardhshme kundër Uruguajit, ndeshje në të cilën do t’i mjaftonte edhe një barazim.
Për të mbetur tek ndeshja, Italia ka humbur dy raste të pastra me Mario Balotelin në pjesën e parë, për t’u ndëshkuar në fund të saj, në momentin më të mirë për të kaltërit.
Pjesa e dytë ka qenë një monolog mes qarkullimit të topit nga italianët dhe mbrojtjes nga ana e Kosta Rikës.
Pavarësisht përpjekjeve, italianët nuk kanë qenë të qartë dhe nuk kanë krijuar dot ndonjë rast të pastër për të barazuar.
Dhe, e kanë humbur ndeshjen.
Kosta Rika tashmë vazhdon për më tej, ndërsa Italia do të ketë një përballje të zjarrtë me Uruguajin e Luis Suarez.
Me këtë fitore të Kosta Rikës ndërkohë, është eleminuar zyrtarisht edhe Anglia, e cila priste një fitore të Italisë, për të shpresuar në një kualifikim të mundshëm.