Kryetari i PD, Lulzim Basha, bëhet i gjallë dhe bën një koment në Facebook për përjashtimin e Sali Berishës nga Kuvendi.
“I papranueshëm përjashtimi nga Kuvendi i ish- Presidentit dhe ish- Kryeministrit të vendit, prof. dr. Sali Berisha.
I patolerueshem zbatimi prej dyshes Rama-Meta i kuteve që ndyshojnë si nata me ditën: kur deputetë-bashibozukë të Edi Ramës ushtrojnë dhunë kundër opozitës, justifikohen e lavdërohen prej tyre, kurse lideri historik i Partisë Demokratike, që po mban një peshë të madhe të parlamentarizmit dhe kuptimit të tij dënohet për fjalën e lirë.
Nuk përballojnë dot debatin. Nuk kanë fakultetin politik për të duruar pikëpamjen ndryshe, pikëpamjen e kundërt, të vërtetën. E duan Kuvendin një stallë propagandistike. E duan pa opozitën, ose me një opozitë që u mban ison. Kjo u lexohet në çdo fjalë, në çdo gjest.
Sot në një akt të frymëzuar jo nga e vërteta e debatit, por nga spekullimet dhe hakmarrja politike, kanë provokuar rëndë Partinë Demokratike dhe mbarë qytetarët shqiptarë që besojnë në vlerat e parlamentarizmit.
Nuk do t’u ecë provokimi. Nuk do t’u ecë hipokrizia. Nuk do t’u ecë paligjshmëria dhe djallëzia. Nuk do t’u ecë asnjë skenar që mund të pengojë Partinë Demokratike dhe grupin e saj parlamentar në misionin e mbrojtjes dhe zhvillimit të demokracisë në Shqipëri,” shkruan Basha në Facebook.