Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Në emër të moralit!

$
0
0
jona dervishiNga Jona Dervishi

Jemi pranë marrjes së statusit kandidat për t’iu bashkuar kështu Familjes së Madhe Evropiane dhe ende gjendemi nëpër ujëra të një mentaliteti të turbullt që dita ditës mbyt nën të shpirtra të rinj e të brishtë, me ëndrra të kristalta që nuk janë mësuar të notojnë në këto ujëra të ndotura, pasi “dora” e shpëtimit në vend që t’i tërheqë nga ky llum, i zhyt ata edhe më thellë duke i lënë të mbyten aty së bashku me ëndrrat e tyre për një të ardhme më të mirë, më të bukur, më të lirë e më të paqtë.

“Shpirtrat” që unë i quaj të tillë, janë ata të rinj e të reja që janë larguar nga kjo botë me dëshirën e tyre ose nga mllefi i paragjykimit të familjareve të tyre, pra ata që janë vetëvrarë. Ata shpirtra që në përpjekje për një botë evropiane janë etiketuar si imoralë. E çfarë është lumturia sot? Po morali çfarë është? Kush ka më moral, një vajzë e re që dashuron një djalë, apo një nënë që vret vajzën e saj sepse dashuron? Një vajzë shtatzënë apo një baba që vret vajzën e tij sepse mbart nipin e tij në embrion? Ku është morali i vërtetë i kësaj jete?! Dhe a vihet ai në zbatim me vetëgjyqësi?! Hasim çdo ditë qoftë në jetën reale apo në media, hendekun e madh të “moralit” të pamoraltë dhe të njerëzve që në emër të tij kryejnë akte barbare duke e kthyer kështu Shqipërinë në hapa regresive edhe më mbrapa se vetë koha kur zbatohej Kanuni.
 
Sot më shumë së kurrë shqiptarët dhe kryesisht ata të zonave rurale kanë nevojë për ndërgjegjësim emergjent. Psikologët, punonjësit socialë dhe OJF-të nuk duhen të jenë më thjesht njerëz që analizojnë situatat post-mortore nëpër televizione të ndryshme duke mbushur kohën e emisioneve, por duhen të ulen kokë më kokë me banorët nëpër fshatra e zona të thella malore për t’u kthyer në misionarë e për t’u shpjeguar atyre se emancipimi nuk është degjenerim ashtu sikurse dhe vrasja nuk është ruajtje nderi.
 
Prindërit janë ata që u falin fëmijëve jetën, por nuk mund të bëhen kurrë Zot e t’ua marrin atë. Ajo ç’ka falet nuk merret më kurrë. Prindër të dashur nuk është jeta e gjitha një betejë. Ajo ka paqe, por ka dhe luftë, ka konkonkurse dhe medalje të fituara, por ka edhe nota jo kaluese.
Ka njerëz që besojnë në Zot, por ka dhe nga ata që nuk u besojnë asgjëje. Nuk është fundi i botës nëse vajza mbetet në provim shkolle dhe nuk është gjithçkaja e jetës nëse ajo del e para e klasës. Nuk është fundi i botës nëse ajo dashuron dikë pa përfunduar universitetin dhe nuk është merita më e madhe nëse ajo e fejohet pas universitetit. Nuk është fundi i botës nëse ajo gabon. Jeta ka edhe dështime ashtu sikurse ka edhe fitore. Ju e bëtë fëmijën që të mësohet të ecë vetë, atëherë lëreni të bëjnë edhe hapa “të gabuar” se nuk jeni ju matësit e gabimit. Lërini fëmijët të ikin edhe në Pub-e edhe në koncerte, madje edhe nëse vjen një natë i pirë nuk është fundi i botës, por nëse gjithë jetën e tij do të jetë esëll, ai atëherë do të ketë gjithnjë kuriozitet për dehjen. E nëse do t’i mbani gjithnjë mbyllur, më shumë e më shumë do t’u shtohet dëshira për të dalë. Gjithnjë njeriu priret të dëshirojë të “shqyejë” një dry se sa të hapë një derë të pakyçur. Dëgjojini, kuptojini, pyetini nëse ndihen mirë, jo gjithnjë janë ashtu siç hiqen. Pas buzëqeshjeve ndonjëherë fshihet misteri më i madh ashtu sikurse ai i Monalizës! Ata kurrë nuk do të jenë të sinqertë me ju nëse fillimisht nuk ia pranoni gabimet por i ndëshkoni ato.
 
Të rinjtë kanë nevojë të kenë edhe sedër, ego dhe ambicie për jetën, por absolutisht t’u kthehen këto në xhelozi e cinizëm sepse në vend që të ecin përpara, ata do të depresohen gjithnjë e më shumë. E kjo jo për shkak individual personal, por për arsyen e thjeshtë se ju nuk pranoni dështimin tek ta.
 
Shumica e rasteve të prindërve që frustojnë fëmijët e tyre duke i shtyrë ekstremisht të jenë më të mirët, më të aftët, më të përgjegjshmit, etj., nuk është asgjë më shumë se sa një ego prindërore personale për të parë tek fëmijët e tyre atë ç’ka nuk mundën ta realizojnë vetë në jetën e tyre. Duke mos kuptuar kështu që fëmijët nuk janë pronë dhe nuk janë të telekomanduar për t’u bërë ajo ç’ka nuk mundët të bëheshit ju. Ata kanë prirjet, ndjesitë dhe dëshirën e tyre për të ndjekur profesionin ku ndihen më mirë dhe më të realizuar e më të aftë. Pra problemi qëndron tek fëmijët apo tek egoja prindërore që ka përfshirë më së shumti zonat rurale të Shqipërisë por jo pak edhe zonat urbane të saj.
 
Lufta për moral është sot për sot lufta më egër, betejat e së cilës marrin pa kursim jetët e shpirtrat e të rinjve që përballen me mentalitetet arkaike duke sjellë kështu vdekje.
 
Uroj dhe shpresoj që të ketë ndryshim në këtë luftë morali të pa moraltë duke dhënë kontributin tonë në çdo mënyrë të mundshme për ta parandaluar, qoftë media vizive apo e shkruar, OJF-të, punonjësit socialë, politikanët por mbi të gjitha qytetarët e thjeshtë të cilët ndikohen direkt nga këto ngjarje që na trishtojnë e na bëjnë të kuptojmë që pika kyçe e problemit nuk qëndron as në ekonomi, as në infrastrukture e as në arsim por në Mentalitet!

Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>