Quantcast
Channel: Gazeta Tema
Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852

Ditari i Kosovës/ Tymi i parë në shtëpitë e serbëve (3)

$
0
0

images

Nga Mero Baze

Tymi i një shtëpie që digjej tri kilometra para Vushtrrisë, dhe disa karroca dore të ngarkuara me sende shtëpiake ishin pamjet e para që të ofronte fshati Nadakovc, një katund që tashmë ishte zbrazur nga banorët serbë.

Banorët shqiptarë të periferisë së fshatit po hynin në shtëpitë e serbëve për të kërkuar sendet e tyre. Shumë shtëpi po digjeshin ende dhe njerëzit thoshin se serbët, të cilët kishin ikur atë ditënë mëngjes, i kishin djegur vetë shtëpitë. Disa djem të rinj i gjetëm në oborrin e një shtëpie serbe që digjej. Ata thanë se po kërkonin sendet e tyre të humbura.

Betimi, djali dhjetëvjeçar që kishte hyrë në shtëpinë e serbit, kërkonte orenditë e tij. Por, ndonëse ai nuk i gjeti ato, askush nuk e ndalte të merrte ato që gjente.

“Mua më duhet të fle, të jetoj, të mbulohem dhe të ha, – tha ai. – Nuk kam ku t’i gjej. Serbët na i morën të gjitha dhe ne tani do të mar- rim këto që gjejmë.”

Shtëpia, një ndërtesë njëkatëshe e një serbi të quajtur Dragan, po digjej plotësisht. Në oborrin e saj ishte një kalë i ngordhur, i cili dukej se sapo ishte vrarë, ndërsa çatia e shtëpisë ishte e gjitha në flakë. Ndërsa u afrova të shihja, nëse kishte mbetur gjë brenda, çatia e kasolles u rrëzua përtokë dhe brenda u dëgjua hingëllima rrëqethëse e një kali. Pak më vonë ai mundi të dilte i asfiksuar dhe u shtri i ngordhur në oborr.

Kris, gazetari i Chanel 4, nisi ta filmojë. U ndjeva ngushtë. Po më dukej vetja se po merrja pjesë në një djegie shtëpie. Zhurma e tjegullave të fundit të shtëpisë na largoi nga oborri i saj, ndërsa dys- hemeja ishte mbushur me tulla dhe hi. Plaçkat e shtëpisë ishin hequr prej andej më parë.

E njëjta skenë ishte edhe në shtëpinë fqinje me të. Ajo po digjej, ndërsa në oborr kishte mbetur një zetor me tri koshere bletësh. Bletët kishin dalë nga kosherja dhe silleshin rrotull oborrit. Dy shqiptarë zgjasnin kokën të trembur pas murit dhe, kur panë që ishim gazetarë, vrapuan para nesh gjysmë të shfajësuar se “po kërkonin sendet e tyre”.

Njëri prej tyre më pyeti mua.

- A i Shqipnisë je a?

- Po, – i thashë.

- Pashë zotin, a bën me i marr këto bletë, se ju në Shqipni merreni me këto. Këtej veç shkijet kan pas.

- Merri, – i thashë, – por kujdes, mos i tremb.
Vrapoi, mori një karrocë të vogël trirrotëshe, me motor dhe ingarkoi kosheret pas. Sapo u nis, bletët e trembura nga zhurma e mo- torit iu turrën dhe ai humbi ekuilibrin pas njëqind metrash, duke u rrëzuar në kanal. Ishte një skenë që kishte humor dhe tragjizëm. Ai po mallkonte bletët serbe dhe po vraponte në fushë i pickuar prej tyre.

Shtëpitë e tjera po digjeshin dhe serbët kishin ikur. Shqiptarët thoshin se i kishin ndezur vetë serbët që të mos i gëzonin shqiptarët. Kishte prej tyre që krenoheshin se i kishin djegur dhe shqiptarët, por ky ishte një fenomen më pak i pranuar.

Zëdhënësi i forcave franceze në Mitrovicë më tha se i vinte keq që serbët po iknin. “Por, – tha ai, – nuk kam raporte se shqiptarët po iua djegin shtëpitë. Di që shtëpitë digjen, sapo ikin serbët.”

Një shqiptar thërriste me zë të lartë pas shtëpisë se kishte gjetur raftet e shtëpisë së tij. Ishte një raft me tri kate prej melamine, ndërsa një djalë i vogël vraponte të kapte një pulë që kishte mbetur në kotec. Për dy muaj ai kishte qenë në mal dhe nuk kishte vënë mish në gojë.

***

largea_zjarri-shtepia111360597484

Në kryqëzimin e rrugës ku hyje në Vushtrri, shikoje qindra shqiptarë të sapokthyer nga malet në shtëpitë e tyre. Një çift nuk kishte mundur të gjente dot fare vendin ku kishte qenë shtëpia e tyre, pasi e kishin rrafshuar dhe kishin pastruar vendin. Të tjerë i kishin gjetur të plaçki- tura dhe të djegura.

Të gjithë ata që ishin kthyer, iu përkisnin atyre që nuk kishin dalë nga Kosova, por kishin qëndruar fshehur nëpër male.

Duke udhëtuar drejt Mitrovicës, rrugës shiheshin qartë fshatrat e shkatërruar, por rrugët kishin nisur të gjallëroheshin. Në hyrje të qytetit të Mitrovicës u shfaq një pamje tjetër. Trupat franceze kishin bllokuar rrugën dhe ftonin shoferët të ulnin shpejtësinë.

Ushtari i parë francez na ndaloi dhe na këshilloi se nuk ishim të lejuar të filmonim asgjë franceze, përfshi dhe tanket dhe autoblindat.

Por zëdhënësi i batalionit ishte më xhentil. Ai na shpjegoi se “për fatin tonë të keq, nuk kishte ndodhur asgjë e jashtëzakonshme”.

“Edhe serbët, edhe UÇK na janë bindur, – tha ai, – dhe kanë dorëzuar armët. Kanë mbetur vetëm disa serbë të grumbulluar te sta- cioni i autobusit, rrethuar nga forcat franceze.”

Një ushtar i plagosur i UÇK po transportohej me ambulancën e francezëve për në spital, ndërsa një veturë kishte rënë në mina, por nuk kishte vdekje të pasagjerëve.

Zëdhënësi më thotë se po përpiqej të kuptonte se çfarë pondodhte në shtëpitë që po digjeshin, por nuk ishte në gjendje të jepte një version përfundimtar. E besonte shumë tezën se serbët i digjnin vetë, por nuk përjashtonte as ndonjë shqiptar të mllefosur me ta.

***

Mitrovica ishte një nga qytetet e dëmtuara rëndë nga ushtria serbe. Rruga kryesore e qytetit, në pjesën ku kishin banuar me shumicë shqiptarët, ishte thuajse e shkatërruar nga themelet. Më në brendësi, ndërtesat ishin të djegura dhe të plaçkitura, ndërsa dyqanet ishin ende të mbyllura. Por njerëzit kishin filluar të lëviznin në rrugë dhe po për- piqeshin të rihapnin shtëpitë e tyre.

Shkatërrimi i Mitrovicës ishte më tepër një barbari ndaj pjesës shqiptare të qytetit. Ibri, lumi që ndante qytetin në dy pjesë, kishte ndarë në dy pjesë edhe sasinë e dëmeve që ishin bërë. Në anën serbe të qytetit ishin djegur pak ndërtesa, vetëm ato të shqiptarëve, ndërsa në anën shqiptare ishin shkatërruar gati gjithë dyqanet dhe ishin plaçkitur shumica e shtëpive të shqiptarëve.

Në të dalë të Mitrovicës, në vendin e quajtur Shipol, shihej se ishin kthyer shumë shqiptarë. Edhe aty shihje njerëz me karroca dore që mbart- nin plaçka. Dikush gjente rrugës ndonjë dyshek apo jorgan, dikush ndonjë sfungjer për të shtruar dhe e çonte te shtëpia e shkatërruar.

Një fëmijë i vogël kishte nxjerrë një arkë në anë të rrugës dhe po shiste disa paketa cigare. Shumica e atyre që kalonin aty, kryesisht gazetarë dhe punonjës të organizatave ndërkombëtare, blinin diçka më shumë për të bindur Liridonin dhjetëvjeçar të mendonte për të ardh- men e tij, pikërisht tek ai vend parë shtëpisë së tij në Mitrovicë.

***

Kthimi i shqiptarëve në fshatrat e shkatërruara të Kosovës tashmë kishte filluar. Të parët që po çelnin dyert e shtëpive ishin ata që kishin lëvizur brenda Kosovës. Në fshatin Rudnik, në lagjen Sejdiaj, Rexhep Sejdiu, një profesor në shkollën e Skënderajt ishte kthyer në shtëpinë e tij ndanë rrugës, por kishte frikë se do ta pësonte nga minat. Pa makinën tonë, një fuoristradë angleze e blinduar, me shenja të NATO-s dhe na doli përpara. Na kërkoi ndihmë.

- A ka shqiptarë ktu bre? – tha.
- Jam unë, – i thashë
- Qenke i Shqipnisë, – tha. – Hajt se ju oficerët e Shqipnisë mer-rni vesh nga minat.
Ai na tregoi një send metalik buzë gardhit që kishte shumëshanse të ishte një minë. Shkova ta fotografoja, por nuk isha i bindur, nëse ishte një minë. E këshillova ta rrethonte vendin, derisa të vinin ekspertët e NATO-s.

Shpjegimi im nuk i mjaftoi.

- Pashë zotin, ma shif, – tha, – se s`i dihet, kur vjen “Nata”. E kishte fjalën për NATO-n.

Drama e tij më e madhe ishte pusi i shtëpisë, i vetmi vend ku furnizohej me ujë. Ai mendonte se serbët e kishin ndotur dhe helmuar atë. Për tre muaj e kishin përdorur si tualet dhe në fund kishin derdhur aty miell dhe mbeturinat e shtëpisë.

Rexhepi thoshte se nuk kishte asgjë ku të shtrihej. Shtëpia kishte mbetur pa kulm, por kishte katin e dytë si mbulesë. Dyshemeja ishte e papastruar dhe dy gra po përpiqeshin të hiqnin shtresën e trashë të hirit prej saj.

U afrova ngadalë te vendi ku thoshte se ishte mina. E pashë dhe u binda se ishin hekurishtet e sahatit të shtëpisë. Vendosa t`ia hiqja frikën plakut. Mora trikëmbëshin e kamerës, e vendosa sipër saj dhe i thashë se e çminova. Për t`i dhënë siguri, mora në duar hekurishtet e sahatit dhe i futa në makinë.

“Tani je i qetë, – i thashë, – por kujdes te pusi, se s`kam siguri. Kur të vijë NATO ta kontrollojë, fillo ta pastrosh.” M`u duk se ubind.
Njësoj si Rexhepi dhe shumë bashkëfshatarë të tij po ktheheshin, por nuk po gjenin gjë në shtëpitë e tyre. Një burrë i moshuar tregonte se një ditë më parë para shtëpisë së tyre kishin kaluar serbët e fundit, banorë dhe ushtarë, dhe ai po shkonte në Prekaz të merrte familjen dhe ta kthente në fshatin e vet. Së largu tregoi kullën e një xhamie të Prekazit afër shtëpisë së Jasharëve, ku na tha se kishte futur familjen dy ditët e fundit, ndërsa nënën dhe një kunat ia kishte vrarë një granatë.

Tutje fshatit Rudnik, një katund i banuar nga serbët. Katundi Brojë, po ashtu po digjej. Serbët ishin larguar një ditë më parë. Te Klina e Epërme, një shqiptar tha se shumica e Drenicës dhe zonës së Skën- derajt ishte brenda Kosovës, pasi nuk kishin mundur të dilnin. Ai tha se nga ajo ditë njerëzit do të fillonin të zbrisnin nga malet dhe të çelnin shtëpitë e tyre. Rruga ishte tërësisht e zbrazët dhe vetëm disa posto- blloqe të forta te vendi i quajtur “Përroi i keq”, para Klinës, të kujtonin tmerrin e ditëve që kishin mbajtur të rrethuar dhe nën shënjestër shqiptarët e Drenicës.

 


Viewing all articles
Browse latest Browse all 10852


<script src="https://jsc.adskeeper.com/r/s/rssing.com.1596347.js" async> </script>